Greva e urisë
Në ditën e pestë të grevës së urisë, grevistët shfaqin gjendje të rënduar shëndetësore
Lulzim Basha – “Para se t’i kërkojmë ndihmë ambasadorëve, duhet të reflektojmë si shoqëri për sjelljen e Ramës, sepse po luan me jetë njerëzore”
Greva e urisë në çadrat pranë Kryeministrisë ka hyrë në ditën e saj të gjashtë, ndërsa dje grevistët kanë shfaqur probleme të shumta shëndetësore, ku dy prej tyre janë shoqëruar për në spital për shkak të problemeve me shëndetin.
Ata janë Astrit Lika, ish-punonjës i mirëmbajtjes në Institutin e Sigurimeve dhe Kujdesit Shëndetësor dhe Mahir Reçi, ish-punonjës i Ndërmarrjes së Studentëve, të cilët, pasi morën ndihmën mjekësore në spital, u kthyen sërish në grevën e urisë. Por, grevisti Mahir Reçi dje pasdite ka shfaqur sërish probleme me tensionin e lartë dhe është dërguar përsëri në spital për kurim. Dy grevistë të tjerë: Gladiola Bardhoshi, ish-punonjëse e Shërbimit Social në Ndërmarrjen e Konvikteve dhe Ludovik Berisha, ish-punonjës i zjarrfikëses në Berat, janë larguar përfundimisht për shkak të gjendjes së keqe shëndetësore. Mjekët që po asistojnë grevën nga afër thonë se gjendja e 12 grevistëve të mbetur është po ashtu e rënduar për shkak të problemeve me tensionin dhe respirimin. Rreth orës 20:00 të mbrëmjes, grevistët e urisë janë vizituar edhe nga kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ndërsa gjatë ditës kanë qenë prezentë deputetë dhe përfaqësues të opozitës. Në një deklaratë të shkurtër për mediat, shefi i opozitës ka akuzuar Kryeministrin Rama se po u shmanget përgjegjësive, “duke mos denjuar as t’i shikojë e as t’i dëgjojë grevistët” në çadrat e ngritura fare pranë zyrës së tij. Pranë çadrave të grevës qëndrojnë mjaft mbështetës dhe familjarë, të cilët kanë takuar grevistët.
Apeli
Kryetarja e Shoqatës për Mbrojtjen e të Larguarve nga administrata, Nertila Qafzezi, në emër të të gjithë grevistëve të urisë, që kërkojnë rikthimin në vendet e punës, u bëri dje thirrje ambasadorëve të akredituar në vendin tonë që të reagojnë dhe të mbështesin kauzën e tyre. “Ne përfaqësuesit e shoqatës, të ngujuar prej pesë ditësh në grevë urie, për shkak të sjelljes arrogante të qeverisë, mungesës së transparencës së publikut lidhur me kauzën tonë, sjelljes antihumane ndaj grevistëve, ne kërkojmë mbështetje nga ambasadorët, mbështetje për realizimin e kërkesave tona, ne kërkojmë reagimin tuaj”, – deklaroi Qafzezi, dhe më pas u ndje keq, pasi pati luhatje të tensionit.
[callout]Rexhep Qosja: “Konflikti politik është bërë patologjik. Greva, me prapavijë politike”
Në një intervistë për “News 24” akademiku Rexhep Qosja theksoi dje se politikën shqiptare e karakterizon konflikti dhe një retorikë e jashtëzakonshme që të irriton. “Politikën shqiptare e karakterizon konflikti. Konflikti ekziston mes opozitës dhe qeverisë. Po të mos ishte kjo gjë, Shqipëria do të kishte ecur përpara. Konflikti pas 23 qershorit është bërë patologjik”- u shpreh Qosja.Duke u ndalur te greva e urisë që po zhvillojnë të larguarit nga administrata, Qosja e konsideron atë një veprim normal në demokraci, por shprehet se greva ka prapavijë politike.
“Mendja e shëndoshë, ata që shohin me të dy sytë dhe ata që e kanë mendjen për të gjykuar të pavarur mund ta supozojnë, mund ta marrin me mend se dikush pas shpinës së tyre punon. Domethënë ka një forcë politike që mundet të mos jetë e vetme, për të vështirësuar sa më shumë punën e qeverisë së sotme shqiptare.”- u shpreh dje Qosja nga Gjirokastra, ku zhvilloi një takim me qytetarët, takim ky i kërkuar nga vetë gjirokastritët.[/callout]