Kreu i LSI-së: Ministria e Financave të ballafaqohet me grevistët


Të përndjekurit politikë ashtu siç kishin paralajmëruar vijuan protestën përpara Kuvendit të Shqipërisë, ku deputetët mblidhen të enjten për të zhvilluar seancat plenare. Me qindra mbështetës protestuan dje duke kërkuar plotësimin e kërkesave të tyre ekonomike. Të gjendur pa asnjë përgjigje nga ana e qeverisë, ndonëse prej 20 ditësh në një grevë urie të shoqëruar me akte të rënda vetësakrifikuese, koordinatori i grevës, Skënder Tufa, kërkoi që të paktën kërkesat e tyre të dëgjoheshin nga pjesa tjetër e qeverisë, siç ishte Lëvizja Socialiste për Integrim e drejtuar nga Ilir Meta. Sipas tij, kjo grevë nuk ishte politike, por qeveria duhet të dëgjonte kërkesat e tyre. “Kryeministri Berisha na fyen rëndë kur e cilëson grevën si politike dhe ne si mbështetës të interesave të Partisë Socialiste. Nuk mund ta pranojmë kurrë këtë, ne jemi në grevë për interesat tona që rrjedhin nga ligji dhe janë ekonomike”, deklaroi Tufa në emër të  rreth 15 grevistëve që vijojnë të jenë në grevë urie. Ai i quajti Kryeministrin Berisha dhe Presidentin e vendit, Bujar Nishani, si përgjegjësit kryesorë, të cilët kanë bërë që situata në grevë të shkoj deri në vetëflijim. “Gjergj Ndreca dhe Lirak Bejko u dogjën nga dëshpërimi që ndien kur dëgjuan deklaratat e Kryeministrit Berisha dhe Presidentit Nishani për këtë grevë ekonomike”, deklaroi Tufa. Nga ana tjetër, kreu i LSI-së, Ilir Meta, në një aktivitet të partitë së tij, nuk ngurroi ta cilësonte grevën si politike. Por ai shtoi se i vinte shumë keq për situatën që ishte krijuar dhe se ishte i nevojshëm një ballafaqim i të dhënave të Ministrisë së Financave me ato që pretendonin grevistët. “Është për të ardhur keq për situatën e ish të përndjekurve politikë në grevë urie. Por greva është një protestë politike”, deklaroi Meta në lidhje me grevën e urisë.