Tubimi
Ish të burgosurit zhvillojnë protestë para Kuvendit. Oketa dhe AKZ përkrahin kërkesat
Ish të përndjekurit, pas 9 ditë grevë urie kërkojnë dorëheqjen e qeverisë Berisha. Shtresa që prej 20 vitesh ka votuar për PD-në, ka dalë kundër liderit të së djathtës, Sali Berisha, duke kërkuar largimin e Kryeministrit. Para godinës së Parlamentit, ish të burgosurit politikë nisen paraditen e së enjtes protestën e tyre të radhës. Kreu i Shoqatës se ish të Burgosurve Politikë, Skënder Tufa, deklaroi se, pas 13 ditësh grevë urie dhe indiferencës së qeverisë, është shtuar mes kërkesave ekonomike, edhe ajo e largimit të qeverisë. “Në mënyrë të vazhdueshme zëri qytetar po dëgjohet në rrugë, sepse në zyrat e pushtetit po injorohet, sepse në zyrat e pushtetit, me zërin e qytetarëve, po bëhet korrupsion. Duhet të largohet një orë e më parë. Kërkesat tona deri tani kanë qenë ekonomike, sot e mbrapa kërkesa jonë është largimi i kësaj qeverie të korruptuar”, tha Tufa. Qeveria ka heshtur deri më tani ndaj kërkesave të ish të përndjekurve politikë. Protesta dhe greva e ish të përndjekurve u mbështet nga deputeti i Frymës së Re Demokratike, Gazmend Oketa. Në një prononcim për mediat, ai u shpreh se “qeveria duhet t’u japë një zgjidhje dhe jo të merret me prerje shiritash”. “Është krejtësisht e pashpjegueshme dhe e pajustifikueshme, qoftë nga aspekti moral, nga detyrimet që qeveria shqiptare ka përkundrejt gjithë qytetarëve shqiptarë që një problematikë e tillë të kalohet krejt në heshtje dhe debati politik, apo qeveria të jetë e vëmendshme për çështje në prerje shiritash dhe të mos thotë as edhe një fjali të vetme, qoftë edhe për humanizëm”, deklaroi Oketa. Ndërsa kreu i Aleancës Kuqezi, Kreshnik Spahiu, gjatë një takimi me grevistë, u premtoi atyre dëmshpërblim të menjëhershëm. “Ne kemi premtimin, pas 8 muajsh 100 për qind kompensim, duke i nxjerrë paratë nga konfiskimi i pasurive të pista të shtetasit Sali Berisha, dhe gjithë ministrave të tij. Llogaritë e tyre bankare, vilat, fshatrat, minierat, bizneset, qendrat tregtare që disponojnë do të sekuestrohen, duke kompensuar 100 për qind”, tha kreu i AK-së, Kreshnik Spahiu.
13 ditë – Greva e urisë e ish të përndjekurve politikë ka hyrë në ditën e 13 të saj, gjendja shëndetësore e tyre vjen duke u rënduar
Kërkesa – Grevistët proklamuan një kërkesë të re në protestën e tyre para Parlamentit, duke kërkuar dorëheqjen e Kryeministrit Sali Berisha