Të përndjekurit 


Gjergj Ndreca, gjate homazheve ne Institutin e Studimit te Krimeve te KomunizmitGjergj Ndreca, grevisti i urisë që tentoi të sakrifikohej duke u djegur për kauzën e ish të përndjekurve politikë, thotë se kësti i dytë i qeverisë është për t’u mbyllur gojën. Sipas tij, vendimi është një gënjeshtër e madhe, pasi me problemet e të burgosurve politikë, u sensibilizuan të gjithë ndërkombëtarët dhe me anën e këtij veprimi, Kryeministri i Shqipërisë, kërkon t’u mbyllë gojën. “Ai lufton edhe me shejtanin, për të mbyllur këtë histori, por flakët e heroit të demokracisë do ta djegin. Dje me paturpësinë më të madhe, Kryetarja e Parlamentit debaton me një deputet, Gazmend Oketa, që mori pjesë në hidhërimin tonë, se ky i fundit kërkoi që të mbahej një minutë heshtje për nder të Lirak Bejkos. Qeveria nuk mund të na gënjejë si pëllumbat, duke na hedhur një dorë grurë, se këstin që ai pretendon se ai na e ka dhënë është thjesht një lëmoshë. Me këtë veprim, ai kërkon t’u hedhë hi syve edhe ndërkombëtarëve dhe me dy lekët që na dha, kërkon t’u thotë atyre se i ka kryer detyrat e shtëpisë. Nuk ka për të gjetur qetësi edhe sikur të gjejë dialog me neve. Zjarri sapo është ndezur, dhe lufta do të vazhdojë”, tha Ndreca. Ndërkohë, Skënder Tufa, koordinatori i grevistëve të urisë, thotë se jeta e një njeriu nuk mund të paguhet me para, siç ishte Lirak Bejko. “Qeveria e sotme kërkon të na gënjejë me këto lëmosha, ndërkohë që ne nuk kemi kërkuar këtë. Kërkojmë tri këste t’i marrim njëherësh dhe rivlerësim me 30 për qind të tyre nga inflacioni i vitit 2007. Gjithashtu kërkojmë që 1500 të burgosurve t’u jepet pension i veçantë, duke hequr dorë nga procedurat burokratike. Pensioni të jetë 50 mijë lekë të reja sepse ekzekutorët, siç ishte Aranit Çela, personi i cili ka ekzekutuar 100 njerëz dhe ka kërkuar falje publike, i është dhënë pension 80 mijë lekësh dhe për çdo ditë burgu, ka kërkuar 5 mijë lekë. Pretendojmë për të ulur tensionin, por ai është rritur se trupi i Lirak Bejkos është futur në dhe, dhe vetëm pas këtij akti atij i është dhënë kësti, i cili mund t’i jepej në kohën që ishte ende në grevën e urisë. Bejko është vetëflijuar për kauzën tonë. Më datë 16 nëntor, rreth orës 10:00 do të zhvillojmë një protestë masive si kundërpërgjigje të sjelljes së Jozefina Topallit, e cila nuk pranoi kërkesën e Gazmend Oketës për të mbajtur një minutë heshtje. Jozefina, parafabrikate e Sigurimit të Shtetit, dëshmoi se jo vetëm që nuk i përket shtresës së ish të përndjekurve politikë, por e kërcënoi Oketën se do t’i nxirrte dosjen”, përfundon Tufa. S.Muça