Ish të burgosurit: Nëse qeveria nuk reagon, do të kërkojmë largimin e saj
Grevistët e urisë kanë kaluar javën e tyre në protestën ekstreme, por ende nuk e kanë marrë vendimin final që të përshkallëzojnë kërkesat e tyre. Kryetari i grevës së urisë, Gjergj Ndreca, përgjigjet optimist, edhe pse shfaq lodhje në sytë që i puliten me shpejtësi. “Ardhja e ambasadorit amerikan na ka dhënë më shumë forcë. Ne nuk duam ta politizojmë grevën tonë. Nuk lëvizim nga kërkesat tona për dëmshpërblimin dhe ndihmën sociale për shtresën e të burgosurve politikë. Presim të vijnë edhe ambasadorë të tjerë, ai i OSBE-së dhe diplomatë të tjerë”, tha Ndreca, i cili në shenjë respekti, tenton të ngrihet pak nga dysheku ku rri shtrirë por ka marrje mendsh. Ulet sërish dhe diskuton me kolegët, të cilët kërkojnë një organizim më të saktë të punëve të grevës. Interesohen për shëndetin e një kolegu, i cili ndodhet në spital i shkruar me probleme të rënda me qarkullimin e gjakut dhe tensionin arterial. Skënder Tufa, kreu i Shoqatës së të Burgosurve Politikë, thotë që “gjithçka do të varet nga veprimi i qeverisë. Çdo të enjte, ne kemi thirrur qytetarët që të bëjmë një protestë përballë Parlamentit. Të enjten e ardhshme, ky manifestim do të jetë më i madh dhe do të kërkojmë me forcë që të zbatohen kërkesat tona. Nëse ata (qeveria) do të jenë sërish të shurdhër ndaj nesh, atëherë do të kërkojmë largimin e kësaj qeverie”. Rreth çadrës ku janë ngujuar ish të burgosurit politikë nuk shihet asnjë autoambulancë, por kryetari i grevës, Gjergj Ndreca, thekson për “Shqip” se mjekët kanë ardhur disa herë për të monitoruar shëndetin e grevistëve. Por dje, këshilli i grevës ka lëshuar një deklaratë për mediat, ku theksohet se ata janë të vendosur në qëllimin e tyre dhe nuk tërhiqen. “Nga kjo qeveri që e kemi mbështetur dhe dhënë gjakun dhe vitet e rinisë sonë që jemi djegur dhe përcëlluar burgjeve të tmerrshëm të diktaturës, të na plotësojë kushtet minimale për të jetuar dhe për të pasur mundësi t’u mbushin barkun me bukë fëmijëve tanë që shumicën e rasteve flenë të pangrënë dhe që aktualisht nuk kanë mundësi të na bëjnë edhe një telefonatë për të na pyetur si jemi nga pamundësia ekonomike. Ne kërkojmë një çati për të mos lagur fëmijët sa herë që bie shi. Një punë për të jetuar me dinjitet dhe për të pasur mundësi të çojmë bukë e djathë në shtëpi që fëmijët tanë të mos na vdesin si në tregimet e Migjenit që janë aq aktuale edhe sot. Ne nuk kemi asnjë inat dhe zili kundër jush, u treguam qytetarë në rënien e sistemit komunist, në sjelljen tonë përkundrejt baballarëve tuaj diktatorë dhe do të tregohemi edhe sot. Ne nuk duam të vjedhim si ju, të grabisim si ju, ne nuk duam toka, gjire e vila. Ne duam vetëm atë që Kushtetuta na garanton, ajo Kushtetutë dhe ajo drejtësi për të cilën ne sakrifikuam gjithë jetën tonë. Asnjë nga ne nuk del i gjallë nga kjo grevë pa u plotësuar të drejtat tona minimale krahasuar me ç’të drejtë na takon”, thuhet në deklaratën e firmosur nga 20 të ngujuarit e urisë. Dy ditë më parë, grevistët i vizitoi ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Aleksandër Arvizu, i cili ka mirëkuptuar kërkesat e ish të burgosurve dhe ka kërkuar dialog konstruktiv për zgjidhjen e çështjeve për të cilat ata janë ngujuar në protestën ekstreme.
Skënder Tufa, kreu i Shoqatës së të Burgosurve Politikë, thotë që “gjithçka do të varet nga veprimi i qeverisë. Çdo të enjte, ne kemi thirrur qytetarët që të bëjmë një protestë përballë Parlamentit”
VOA: Qeveria: Kompensimi vazhdon sipas ligjit
Qeveria ka bërë të ditur jo në qëndrime zyrtare, se nuk do të kenë axhendë shtesë në lidhje me kërkesat që kanë publikuar grevistët e urisë, të cilët sot hyjnë në ditën e 10 të protestës. Seksioni shqip i “Zërit të Amerikës” bën të ditur në një korrespondencë nga Tirana, se “zyrtarë nga Ministria e Financave pohuan se procesi i kompensimeve po vazhdon normalisht sipas ligjit. Sipas ligjit, rreth 12 mijë ish të dënuar kanë marrë këstin e parë dhe sapo ka filluar kësti i dytë, të cilin e kanë marrë mbi 500 persona. Ndërkaq në Ministrinë e Drejtësisë janë përpunuar mbi 20 mijë dosje dhe një pjesë e tyre kanë mungesa në dokumente, që po plotësohen”. Deri tani nuk është vendosur asnjë kontakt i qeverisë me ish të burgosurit politikë. Edhe kontakti i personelit mjekësor ka qenë i vakët, pasi ambulanca ka mbërritur pas vizitës së ambasadorit Arvizu në çadrën e grevës.