Dëshmia
Vrasja – “Më shtyu shumë fort, gati sa u gjunjëzova. Me shpejtësi qëlloi mbi Admirimin tri herë”, ka thënë para policisë 30-vjeçarja, nëna e një djali
Ndihma – “Kërkova ndihmë, pasi një pjesë e mirë e personave që ndodheshin aty, u larguan me vrap, në të njëjtën kohë me autorin”, vijoi rrëfimin e veja
Autori – Autori ishte i veshur me të zeza, pantallona dhe xhup. Ishte rreth 170 centimetra dhe kishte konstrukt të hollë. Kokën e kishte të rrumbullakët
Entela Sako, dëshmitarja okulare: Ishte 170 cm, me kokë të hollë. Iku me vrap
Atentatori i Admirim Sakos dyshohet se ka studiuar me detaje të gjithë planin
Në vendngjarje janë sekuestruar tri gëzhoja, me kapsolla të plasura
Silvana Muça
“Gjithçka ndodhi shumë shpejt. Po ecnim drejt makinës kur një person na u afrua. Ishte i veshur me të zeza dhe me trup të imët. Më shtyu me forcë dhe i drejtoi pistoletën Admirimit. Qëlloi tri herë. Unë reagova dhe e qëllova me çadër, por ai u largua me shpejtësi”. Kështu ka deklaruar para policisë gjyqësore, Entela Sako, bashkëshortja e Admirim Sakos, i cili u qëllua me armë zjarri mbrëmjen e së martës, në afërsi të Gjykatës së Tiranës. Ai u transportua me shpejtësi drejt Spitalit Ushtarak dhe në orët e para të së mërkurës, humbi jetën. Sipas burimeve policore, dëshmitarja kryesore e kësaj ngjarjeje është Entela, e cila ka parë të gjithë skenën, madje ka ulëritur për të thirrur ndihmë. Ajo është marrë në pyetje në spital dhe, pas ceremonisë mortore, është ripyetur për ndonjë konflikt të mundshëm që mund të ketë pasur 40-vjeçari, me të cilin kishte edhe një djalë.
Përleshja me autorin
Një pikë kyçe për zbardhjen e vrasjes së Admirim Sakos ishte përshkrimi që i ka bërë bashkëshortja e viktimës autorit. Sipas saj, rreth orës 21:45 të së martës, çifti po shkonte për të marrë automjetin, që e kishte parkuar pranë një pallati. Ata kanë përshkuar rreth 50 metra rrugë, e ndriçuar. Në momentin që janë futur pranë një qosheje pallati dhe Admirimi po bëhej gati të nxirrte çelësat, një person, i veshur me të zeza, i është afruar. Ka nxjerrë nga brezi pistoletën dhe veprimi i parë ka qenë shtyrja e Entelës. “Më shtyu shumë fort, gati sa u gjunjëzova. Me shpejtësi qëlloi mbi Admirimin tri herë”, ka thënë para policisë 30-vjeçarja, nëna e një djali. Më pas, ata janë përleshur, ku Entela e ka qëlluar me çadër dhe ka kërkuar ndihmë te personat që gjendeshin aty pranë. “Kërkova ndihmë, pasi një pjesë e mirë e personave që ndodheshin aty, u larguan me vrap, në të njëjtën kohë me autorin”, vijoi rrëfimin e veja.
Grupi hetimor e ka pyetur për detajet e autorit, moshën apo edhe të dhënat fizike, për të ndërtuar më pas një identikit. Ajo tha se autori ishte i veshur me të zeza, pantallona dhe xhup. Ishte rreth 170 centimetra dhe kishte konstrukt të hollë. “Kokën e kishte të vogël e të rrumbullakët dhe ishte qethur shumë shkurt”, vijoi rrëfimin 30-vjeçarja, ndërsa tha se ai u largua me shpejtësi drejt rrugës “Myslym Shyri”.
Hetimet e policisë
Burimet nga policia bëjnë me dije se Sako është person mjaft i njohur për drejtësinë shqiptare. Ka qenë i dënuar më parë për shitje dhe prodhim të lëndëve narkotike, si edhe për armëmbajtje pa leje. Prej kohësh ai ishte nën vëzhgimin e policisë, pasi dyshohej se vazhdonte të kishte kontakte me trafikantët e drogës, ku dhe ishte dënuar vite më parë për të njëjtën arsye. Viktima njihej si njeriu më i afërt i Elton Deliut, i cili është vrarë më 27 dhjetor të 2008, në apartamentin e tij, së bashku me nënën, Flutura Delia. Vrasja e dyfishtë, ende nuk ka një autor të dyshuar dhe është cilësuar si ekzekutim mafioz. Pas vdekjes së Elton Deliut, pasuria e tij, e cila kap vlera prej miliona dollarësh, kaloi nën administrimin e njerëzve të tij të afërt dhe të ish-shoferit, Admirim Sako. Ekzekutori i këtij të fundit dyshohet se e ka studiuar me detaje të gjithë planin e ekzekutimit. Ai ka piketuar edhe vendin e ngjarjes, i cili ishte në errësirë të plotë dhe pa kamera sigurie. Gjithashtu ka llogaritur rrugën që do të largohej me shpejtësi, për të mos u kapur nga policia apo identifikuar nga dëshmitarët. Vrasësi ka pritur për një kohë të konsiderueshme kthimin e Admirim Sakos në shtëpi.
Shoqërohen disa persona
Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur forcat e Komisariatit Nr. 2 dhe oficerë të krimeve të rënda. Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes, janë sekuestruar me cilësinë e provës materiale 3 copë gëzhoja me kapsolle të plasura. Policia ka shoqëruar me dhjetëra persona, një pjesë e të cilëve kanë qenë dëshmitarë. Ata kanë pohuar se mjeti tip BMW është sulmuar befasisht. Gjithsesi, ata nuk kanë mundur që të krijojnë një identikit të vrasësit, i cili në momentin e ekzekutimit ka qenë i vetëm. Nuk mund të thuhet nëse ekzekutori ka qenë vrasës me pagesë, apo ka pasur konflikt të drejtpërdrejtë me biznesmenin. Paraprakisht, policia ka ngritur dy pista hetimesh.
Kamerieri
“Autori u largua me një vrap të lehtë”
Krahas bashkëshortes së viktimës, policia e Tiranës ka marrë në pyetje edhe një kamerier, që punonte në një lokal afër vendit të ngjarjes. I riu ka pohuar për policinë se e ka parë autorin që të largohej. “Kam qenë disa metra larg vendit të ngjarjes. Kam dëgjuar tri krisma dhe më pas një ulërimë. Kam parë një person që po largohej me një vrap të lehtë drejt rrugës ‘Myslym Shyri’” ka pohuar kamerieri për policinë. Madje, ky dëshmitar, ka treguar edhe të dhënat fizike të autorit, veshjen dhe ndonjë tipar dallues. “Ishte i dobët. Kokën e kishte të rrumbullakët dhe bënte një vrap të lehtë. Në dorë kishte diçka, por unë nuk e dallova dot”, ka vijuar rrëfimin kamerieri. Për policinë, këto dëshmi, të gruas dhe të kamerierit, janë më se të mjaftueshme për të identifikuar autorin, megjithëse asnjë prej tyre nuk e ka parë në fytyrë.