Krim pasioni 


Policia e Korçës shoqëron C.M, nga Rajca e Librazhdit. Qëlloi me gurë nënën e dy fëmijëve


Gëzim Ashimi


Identifikohet autori i vrasjes me gurë i 24-vjeçares Fatjona Sula. Policia e Korçës pohon se ka shoqëruar shtetasin me iniciale C.M, 27 vjeç, nga Rajca e Librazhdit. Ka dyshime se ky person ka pasur lidhje me viktimën, madje e ka qëlluar me gurë pas kryerjes së marrëdhënies seksuale. Personi është marrë në pyetje dje në mbrëmje, ndërsa pas ndalimit të këtij personi, hetimet po fokusohen te motivi i vrasjes. Sërish grupi hetimor ka dyshime dhe pohohet se vrasja mund të ketë qenë për motive të dobëta, viktima punonte si prostitutë.


 


Hetimet e policisë


Trupi i 24-vjeçares, nënë e dy fëmijëve, është gjetur pasditen e së mërkurës poshtë një ure, rreth 100 metra larg kryqëzimit të vendit të quajtur Qafë-Thanë dhe nga këqyrja paraprake e kufomës nuk kishte asnjë dyshim për policinë se kjo femër ishte viktimë e një krimi. “Viktima Fatjona Sula nga fshati Orenjë i rrethit të Librazhdit ka pasur një të kaluar jo të mirë morale që mund të ketë shërbyer si precedent për vrasjen e saj”, deklaroi një drejtues i Komisariatit të Pogradecit. I njëjti burim shtoi se ky dyshim nuk ngrihet thjesht nga fakti se 24-vjeçarja punonte si kameriere në një lokal në Përrenjas, por nga dëshmitë që janë marrë ka dalë se viktima mund të kishte krijuar lidhje që i ka sjellë edhe fundin tragjik.


Edhe të afërm të 24-vjeçares, që janë marrë si persona në shoqërim në policinë e Pogradecit, janë shprehur se Fatjona Sula ishte e detyruar të punonte për të rritur dy fëmijët e saj të vegjël, por pa specifikuar nëse siguronte të ardhura të tjera veç punës si kameriere. Gjatë hetimeve të policisë për të identifikuar kufomën, bazuar kryesisht te tatuazhet që 24-vjeçarja kishte në trup, janë shoqëruar fillimisht në Komisariatin e Pogradecit të paktën 8 persona, kryesisht të afërm apo shoqe të femrës së vrarë. Sipas policisë së Pogradecit, këta persona të shoqëruar, pasi kanë dhënë dëshmitë e tyre janë lënë të lirë.


Hetimet për ngjarjen e rëndë drejtohen nga policia rajonale e Korçës, meqenëse edhe krimi ka ndodhur në zonën e këtij qarku dhe viktima u zbulua brenda territorit që mbulon policia e Pogradecit. Nga drejtues të policisë rajonale të Korçës, pretendohet se është arritur të identifikohet autori i vrasjes me gurë të 24-vjeçares Fatjona Sula, i cili është një shtetas 27-vjeçar me iniciale C.M nga Rajca e Librazhdit.


 


Këqyrja e viktimës


Nga dëshmitë që ka mbledhur grupi hetimor, del se 24-vjeçarja nga Orenja e Librazhdit, ishte larguar prej fshatit të saj pas një martese të dështuar, nga e cila ka një djalë 4 vjeç e gjysmë dhe një vajzë rreth 2 vjeç e gjysmë. Të afërmit e saj kanë pohuar në polici se Fatjona ishte martuar me një person nga fshati Zhyrë i rrethit të Librazhdit, nga i cili ishte divorcuar. Viktima ishte larguar pas divorcit nga fshati i saj, sepse ishte në kushte të vështira dhe nuk ishte në gjendje të rriste dy fëmijët e saj dhe kishte filluar të punonte si kameriere në Përrenjas. Por, sipas të dhënave, gjatë kohës që punonte si kameriere, 24-vjeçarja është lidhur me persona të ndryshëm. Sipas policisë që kreu këqyrjen e kufomës, në vendin e ngjarjes, 24-vjeçarja ishte pjesërisht e zhveshur, me një fustan thuajse të grisur, me reçipeta në pjesën e sipërme të trupit, por pa mbathje. Nisur nga këto të dhëna, policia ka ngritur dyshime se viktima mund të ketë kryer edhe marrëdhënie seksuale para se të vritej me gurë. Ndërkaq, nga këqyrja e kufomës përjashtohet mundësia që viktima të jetë përdhunuar, pasi veç dëmtimeve në pjesën e kokës që i kanë shkaktuar vdekjen, nuk ka shenja dhune në pjesën e poshtme të trupit.


 


I dyshuari – Personi që është ndaluar ditën e djeshme ka pasur lidhje me viktimën, madje e ka qëlluar me gurë pas kryerjes së marrëdhënies seksuale


Këqyrja – 24-vjeçarja ishte pjesërisht e zhveshur, me një fustan thuajse të grisur, me reçipeta në pjesën e sipërme të trupit, por pa mbathje


Policia – Përjashtohet mundësia që viktima të jetë përdhunuar, pasi veç dëmtimeve në kokë, nuk ka shenja në pjesën e poshtme të trupit