Vrasja e ish-boksierit


Lubjana rrëfen zanafillën e krimit për zhurmat në pallat dhe kërcënimet ndaj burrit


“Më kujtohet që atë natë, Adriani e mori tri herë policinë në telefon, por askush nuk erdhi”


Silvana Muça


Viktima, Adrian Levanti

Viktima, Adrian Levanti


Lubjana Myzeqari, bashkëshortja e ish-boksierit Adrian Levanti, merret në mbrojtje nga policia, një veprim që nuk i ishte ofruar burrit të saj, pavarësisht se, sipas së shoqes, ai kishte denoncuar për kërcënime të vazhdueshme. Ajo ka treguar për zanafillën e konfliktit me vëllezërit Gjini që ka nisur më 19 mars të këtij viti. Në të njëjtën kohë e veja pretendon se 28-vjeçarit i janë bërë disa herë atentate dhe kërcënime, duke shprehur zemërim të thellë ndaj policisë që, sipas saj, nuk u është përgjigjur ankesave të Adrianit.


Dëshmia e gruas


“Gjithçka ka nisur më 19 mars të këtij viti. Ishe ora 22:30 e mbrëmjes. Im shoq zbret poshtë që të blejë një kartë telefoni. Në katin e dytë sheh disa djem që pinin hashash dhe bënin zhurmë. Duke qenë në rolin e administratorit të pallatit, ai u ka kërkuar që të largohen, për të ruajtur qetësinë në godinë. Kështu lindi një sherr i madh. Më kujtohet që atë natë Adriani e mori tri herë policinë në telefon, duke u thënë që disa persona me pistoletë në dorë po e kërcënonin me jetë. Policia nuk iu përgjigj kërkesës së tij. Si pasojë e kësaj, im shoq mori në telefon të vëllain për t’i kërkuar ndihmë. Marjani erdhi dhe për vetëmbrojte e qëlloi njërin prej tyre me një lloj thike, biçak. Plaga ishte e lehtë, sa për ta trembur. Pastaj Adriani së bashku me Marianin e kanë dërguar në spital dhe i vëllai është vetëdorëzuar në polici, duke treguar të gjithë historinë e plagosjes dhe motivin e sherrit. Pavarësisht kësaj, ata nuk e kanë lënë të qetë Adrianin. Im shoq është kanosur disa herë, madje i kanë bërë disa atentate”, shprehet Lubjana Myzeqari, bashkëshortja e viktimës.


Nata e vrasjes



Gjithashtu e veja thotë se nuk ka dëgjuar asnjë zhurmë natën e krimit. “Adrianin e vranë në katin e shtatë të pallatit, ndërsa ne jetojmë në katin e tretë. Nuk pati kohë që të trokiste në derë, pasi ata e kanë ndjekur me vrap. E kanë pritur, poshtë te hyrja e pallatit dhe në momentin që ai i ka njohur, ka tentuar të largohet. Si rrugëzgjidhje të vetme ka gjetur ngjitjen nëpër shkallë, deri në katin e shtatë” vijon të tregojë Myzeqari për momentet e fundit të të shoqit. Pas ngjarjes ajo ka marrë në telefon babanë e saj, Aliun, duke i treguar se i kanë vrarë burrin. Fillimisht Aliu nuk e ka besuar lajmin e hidhur, duke e pyetur sërish se çfarë kishte ngjarë, si ishte vrarë, vrarë në kuptimin e plotë të fjalës, apo lënduar.


Zhgënjimi


“Adriani donte të ruante qetësinë në pallat. Donte të përzinte drogaxhinjtë dhe prostitutat që strehoheshin në hyrje të pallatit. Ata e vranë, i morën jetën për hiçgjë. Policia nuk i erdhi në ndihmë, sado që ai i kërkoi herë pas here. Disa ditë para vrasjes, ai bëri kallëzim për kanosje”, thonë familjarët me lot në sy, të cilët shprehin zhgënjim të madh për strukturat policore. Tashmë, pas vrasjes së tij, policia ka vënë efektivë për ruajtjen e familjes. Banesa e viktimës ruhet 24 orë nga dy efektivë policie. Vendimi është marrë menjëherë pas vrasjes së 28-vjeçarit, pasi tremben se mos vrasësit rikthehen për të lënduar pjesën tjetër të familjes së Levantit. Burimet thonë se ende nuk ka një afat të përcaktuar për ruajtjen e shtëpisë nga policia, ndërkohë që familja shprehet e zhgënjyer, sepse nuk i sollën policët para vrasjes së ish-boksierit.


 


 


Vrasja


Levanti u qëllua me shtatë plumba


Adrian Levanti u vra me armë zjarri mbrëmjen e së enjtes. Ngjarja e rëndë ndodhi në katin e shtatë të pallatit ku ai jetonte. Në tentativë për t’u shpëtuar vrasësve, Levanti ka vrapuar nëpër shkallët e godinës, me shpresën se do të gjente një derë hapur për t’u strehuar. Fati nuk deshi që ta ndihmonte. Sapo ka mbërritur në katin e parafundit, dy personat, të cilët e ndiqnin nga pas, kanë qëlluar në drejtim të tij rreth 7 herë, duke e lënë të vdekur në vend. Plagët e shkaktuara nga 7 të shtënat janë të gjitha poshtë belit, çka i kanë shkaktuar hemorragji të madhe 28-vjeçarit e për pasojë ka ndërruar jetë në vend. Pas vrasjes, autorët kanë ikur me shpejtësi nga shkallët, duke mos pritur ashensorin. Krimi i rëndë ka tronditur të gjithë banorët e pallatit, të cilët një ditë më vonë nuk denjonin që të hapnin derën për të folur rreth asaj që kishte ngjarë. Në cilësinë e dëshmitarëve, policia ka marrë në pyetje familjarët e viktimës dhe banorët e pallatit, të cilët janë në dijeni të konfliktit të hershëm mes palëve.


 


Hetimet


Prokuroria e Tiranës: S’ka prova për të arrestuarin Gjini, krimi klasifikohet pa autor


Lirohet i dyshuari kryesor për vrasjen e Adrian Levantit


largea_policia-e-tiranesI dyshuari Pjetër Gjini u arrestua 40 minuta pas vrasjes, në banesën e tij në Orosh të Mirditës


I dyshuari kryesor për vrasjen e ish-boksierit Adrian Levanti pak net më parë është liruar nga prokuroria për mungesë provash. Duke vlerësuar provat e mbledhura nga grupi hetimor, prokurori i çështjes ka vendosur të lirojë Pjetër Gjinin, i cili është dyshuar nga policia bashkë me vëllain e tij për ekzekutimin e 28-vjeçarit për motive hakmarrjeje. Në këto kushte, grupit hetimor do i duhet të mbledhë prova të reja për krimin e ndodhur mbrëmjen e së enjtes brenda një pallati në rrugën “Teodor Keko” në Tiranë, që aktualisht mbetet pa autor.


Hetimet


Natën e krimit Pjetër Gjini është arrestuar nga policia rreth 40 minuta pas vrasjes, në banesën e tij, që ndodhet në Orosh të Mirditës, kur është shpallur në kërkim edhe vëllai i tij, Zef Gjini. Pjetri ka qenë në gjumë në momentin që policia ka trokitur në derën e tij për t’i komunikuar vrasjen e Adrian Levantit dhe dyshimet që ishin ngritur ndaj tij për këtë krim. Në dëshminë e dhënë para grupit hetimor, ai ka thënë se nuk ka asnjë lidhje me vrasjen e Levantit, duke këmbëngulur që i ka mbyllur hesapet me viktimën, me anë të drejtësisë. Alibia e të qenët në banesën e tij, e cila ndodhet disa orë larg vendit të krimit dhe mungesa e provave të tjera, ka bërë që policia ta lërë të lirë të dyshuarin për vrasje. “Pjetër Gjini është arrestuar rreth 40 minuta pas vrasjes në Orosh të Mirditës. Vendi i krimit nga banesa e të dyshuarit, janë mjaft larg nga njëra-tjetrës. Duhen orë që i dyshuari të shkojë deri atje. Kam përshtypjen edhe sikur të kishte helikopter, sërish nuk do të arrinte në Orosh brenda 40 minutave pas vrasjes. Kjo është alibi shumë e fortë, që e përjashton nga vrasja”, thonë burime të brendshme policore. Si të dyshuar kryesor, policia ka hedhur në pistën e hetimeve edhe vëllain tjetër, Zef Gjinin. Por, nga sistemi TIMS rezulton se personi në fjalë nuk ndodhet në Shqipëri, por në Angli. Pavarësisht alibive të forta që kanë vëllezërit Gjini, policia këmbëngul që vrasja ka lidhje me emrat e lartpërmendur, duke pasur si motiv hakmarrjen. “Pjetër Gjini nuk e pranon autorësinë e krimit dhe alibia është bindëse. Pavarësisht kësaj, ne sërish mendojmë që ai ka lidhje me ekzekutimin me 7 plagë të Levantit. Themi që ekzekutimi nuk është bërë nga vrasës me pagesë, por nga persona të afërt të vëllezërve Gjini. Pista kryesore e jona vazhdon të mbetet ajo e hakmarrjes për plagosjen që vëllezërit Levanti kanë bërë në muajin mars. Gjithsesi edhe pistat e tjera mbeten të hapura, pasi viktima është person me precedentë të lartë penal. Ai ka pasur shumë probleme të mprehta, çfarë na bën neve që të hetojmë edhe në drejtime të tjera, përveç asaj të hakmarrjes”, shprehen burimet zyrtare të Policisë së Tiranës. Ndërsa burime jo zyrtare thonë se eliminimi i babait të dy fëmijëve dyshohet se është bërë nga persona me pagesë. Por, në këto kushte, krimi mbetet pa autor.


Dëshmitari


Një dëshmitar që ka parë ngjarjen nga përtej derës thotë për gazetën “Shqip” se vrasësit kanë qenë në moshë të madhe, ndërkohë që Pjetër dhe Zef Gjini janë të rinj në moshë. Gjithashtu, dëshmitari ka arritur që të bëjë një përshkrim flesh të personit që mbante pistoletën në dorë. “Pashë dy persona, njëri prej të cilëve ishte me pistoletë në dorë. Ai kishte veshur xhup me zinxhirë dhe në kokë mbante një kapele. Xhinset ishin ngjyrë blu. Personin tjetër nuk e mbaj mend se çfarë kishte veshur. Fytyrat e tyre më kujtohen si mjegullnajë. Po t’i shoh tani në rrugë, kam përshtypjen që nuk do t’i njihja. Ata ikën me shpejtësi nga shkallët e pallatit, nuk pritën që të merrnin ashensorin. Thonë se vëllezërit Gjini me të cilin ka pasur probleme Adriani, janë të vegjël në moshë, ndërsa vrasësit m’u dukën të mëdhenj në moshë”, shprehet dëshmitari i pallatit.


Hakmarrja


Ndërkaq, burime nga organi i akuzës thonë se vrasja dyshohet se është kryer për motive hakmarrje, pasi Ardian Levanti një muaj para vrasjes, është konfliktuar me disa të rinj, mes të cilëve ishte Zef Gjini, i cili mbeti i plagosur me thikë. Shkaku i kësaj plagosjeje duket se ka ardhur pas një konflikti me Levantin, i cili u ka kërkuar të rinjve të largohen nga pallati, ku ai punonte si administrator, por njëkohësisht jetonte së bashku më familjen e tij. “Për këtë plagosje, në polici është vetëdorëzuar i vëllai i viktimës, Mariani, i cili e ka marrë përsipër krimin. Dy javë pas ngjarjes, Gjykata e Apelit ka liruar Marian Levantin, vëllain e viktimës. Një vendim i tillë dyshohet se nuk është përtypur nga vëllezërit Gjini, të cilët dyshohet se kanë dashur të bëjnë vetëgjyqësi”, shprehet grupi hetimor. S. Muça