Nga rrëshqitja, në të dyja anët e autostradës janë krijuar radhë të gjata me automjete


 Pas rikonstruktimit të rrugës u vendosën rrjeta pritëse për inertet, por ato u vodhën për skrap


Pavarësisht vjedhjeve, strukturat e mirëmbajtjes së rrugëve nuk kanë bërë asnjë denoncim në polici


Rrëshqitja e një mase të madhe gurësh dhe inertesh ka bllokuar përkohësisht aksin rrugor Elbasan-Librazhd. Ngjarja ndodhi dje, në orët e para të mëngjesit, në vendin e quajtur “Kthesat e Murrashit”, në afërsi të Librazhdit. Fatmirësisht nuk ka pasur dëme në njerëz e automjete, por nëse në atë çast do të kishte qarkullim automjetesh, pasojat do të ishin të paparashikueshme. Në vendin e ngjarjes shkuan menjëherë inspektorë të policisë rrugore, si dhe mjete e fuqi punëtore të Drejtorisë së Mirëmbajtjes së Rrugëve Nacionale. Masa shkëmbore ka qenë tepër e vështirë për t’u larguar dhe vetëm pas më shumë se një ore punimesh, rruga është hapur vetëm në njërin kah. Në të dyja anët e autostradës janë krijuar radhë të gjata me automjete dhe është dashur ndërhyrja e policisë së qarkullimit rrugor që të disiplinohet lëvizja e tyre. Makineritë kanë zhvendosur mbi 100 metër kub shkëmbinj që kishin bllokuar rrugën. Për të zhbllokuar sa më shpejt situatën, Shtabi i Emergjencës ka dërguar në vendin e ngjarjes makineri shtesë dhe gjatë ditës është punuar për hapjen e plotë të këtij segmenti. Por, ky vend vazhdon të mbetet problematik, veçanërisht në kohë reshjesh e me mot me lagështi, për shkak të pozicionit dhe përbërjes së nëntokës. Gjithmonë në kohë reshjesh, në aksin rrugor Elbasan-Librazhd tek “Kthesat e Murrashit” bien gurë dhe inerte, të cilat rrezikojnë të shkaktojnë aksidente me pasoja për jetën. Dje janë kryer edhe disa shpërthime mbi mal, duke tentuar që të vendosen prita mbrojtëse. Megjithatë, në këtë vend është e nevojshme që të kryhen investime për të parandaluar në të ardhmen aksidente me pasoja për jetën e qytetarëve. Kjo rrugë është rindërtuar pak kohë më parë dhe firma ndërtuese, aty ku zgjeroi rrugën, duke gërryer malin, kishte vendosur rrjeta masive për të shmangur fenomenin. Por, në pjesën më të madhe të tyre, rrjetat janë vjedhur nga banorët e zonës ose për rrethimin e kopshteve të tyre, ose për t’u shitur për skrap. Për këtë fenomen me pasoja të rrezikshme për udhëtarët, asnjëherë nuk ka pasur asnjë denoncim apo reagim nga strukturat e mirëmbajtjes së rrugëve.


B. Nergjoni