Në një intervistë për të përditshmen spanjolle “El pais”, Komisioneri Evropian për Zgjerim, Johannes Hahn, shpreson që pasi Kosova e Serbia të arrijnë marrëveshje, pesë vendet e Bashkimit Evropian që nuk e kanë njohur Kosovë, do ta rivlerësojnë qëndrimin e tyre.
“Qëndrimi i gjithë Bashkimit Evropian kur flasim për ballkanasit është se ne ose dhurojmë stabilitet ose marrim destabilitet, – ka thënë Hahn, kur është pyetur nëse Spanja po shton pengesa në stabilitetin e Ballkanit duke qëndruar kundër njohjes së Kosovës. – Përvojat na tregojnë se paqja dhe stabiliteti afatgjatë në Ballkan arrihet vetëm nëse shohim kah perspektive evropiane. Ne kemi publikuar strategjinë për Ballkanin në muajin shkurt. Aty kemi treguar se vetëm vendet që janë në gjendje të zgjidhin problemet mes tyre do të pranohen si anëtarë të rinj të BE-së”, ka shtuar Hahn.
Komisioneri e quan kyçe për rajonin e Ballkanit një marrëveshje që duhet të arrihet mes Kosovës dhe Serbisë.
Sipas tij, pasi të arrihet kjo marrëveshje, pesë vendet e BE-së që nuk e njohin sovranitetin e Kosovës, do të rishikojnë qëndrimin e tyre.
“Unë shpresoj që pas marrëveshjes do të jemi në atë situatë kur 5 vendet që nuk e kanë njohur sovranitetin e Kosovës, do ta studiojnë këtë marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë, e pastaj të marrin vendim”, shtoi ai.
16 tetor 2018 (gazeta-Shqip.com)