Opozita propozon që paketa e ndryshimeve të mos kalojë nga e majta pa u certifikuar nga ndërkombëtarët
Paketa e opozitës është e fokusuar në 294 rekomandime për sistemin e drejtësisë, ndër të cilat rreth 60 prej tyre kanë të bëjnë me ndryshimet kushtetuese. Gjatë prezantimit të draftit, nënkryetari i Komisionit të Posaçëm për Reformën në Drejtësi, Eduard Halimi, deklaroi se dokumenti i opozitës do të shqyrtohet dhe vlerësohet nga ekspertët ndërkombëtarë të Komisionit të Venecias, dhe jo nga ana ekspertët shqiptarë të nivelit të lartë që po asiston Kuvendin për këtë reformë. “Kjo platformë përmban jo vetëm kritikën apo oponencën ndaj masave të propozuara, por edhe mbështetjen për zgjidhjet pozitive, dizavantazhet e zgjidhjeve të papërshtatshme, dhe alternativën tonë konkrete për reformimin e sistemit të drejtësisë, duke synuar në mënyrë të njëkohshme, garantimin e pavarësisë dhe forcimin e përgjegjshmërisë dhe luftën kundër korrupsionit. Për këtë arsye, mendojmë që masat e propozuara në këtë platformë, duhet të analizohen me kujdes nga ekspertët ndërkombëtarë, për të përzgjedhur zgjidhjet më të mira dhe oportune për Shqipërinë, në funksion të arritjes së objektivit për garantimin e njëkohshëm të pavarësisë së sistemit dhe luftën ndaj korrupsionit”, tha Halimi. Në ndryshimet kushtetuese, demokratët kanë propozimin tyre për Presidentin e Republikës ku parashikojnë që të mos ndryshojë formula për zgjedhjen e tij. “Çdo zgjidhje tjetër mbart rrezikun e nevojës për rishikimin e tre pushteteve, që do të thotë që sjell nevoja për të bërë një Kushtetutë të re. Për këtë shkak ne rekomandojmë që të mos ndryshojë formula e përzgjedhjes së Presidentit të Republikës. Në çdo rast me shumicë të cilësuar prej dy të tretash, ose me alternativë me pjesëmarrjen thelbësore të opozitës parlamentare, e pasuar gjithmonë nga një mekanizëm zhbllokues në rast ngërçi”, sqaroi një ndër ekspertët kryesorë që mori pjesë në hartimin e kësaj platforme, Enkelejd Alibeaj. Ndërsa duke iu përgjigjur interesimit të gazetarëve lidhur me draftin e opozitës për trajtimin e çështjes së korrupsionit në drejtësi, deputeti demokrat, Oerd Bylykbashi, theksoi se burimi kryesor i korrupsionit është qeveria dhe organet që varen prej saj. Ndërkohë, tashmë pritet që brenda pak ditësh të mblidhet Komisioni i posaçëm i Reformës në Drejtësi, ndërsa mazhoranca ka miratuar strategjinë e punës së komisionit, material i cili konsiderohet nga demokratët si një veprim i njëanshëm, pasi ende nuk janë konsultuar grupet e interesit.