Shqipëria do të ketë përherë probleme nëse zyrtarët e lartë kanë ndjesinë e imunitetit
Analisti me përvojë i politikës së Shqipërisë, Robert Hand, u bën thirrje partive politike të arrijnë kompromis për reformën në drejtësi për të mirën e vendit. Këshilltari i lartë politik i Komisionit amerikan të Helsinkit, në një intervistë për Zërin e Amerikës, thotë se Shtetet e Bashkuara kanë një ndjesi solidariteti me dëshirën e popullit shqiptar për të pasur një qeveri më të përgjegjshme, më të efektshme dhe për progres të vërtetë. Ai thotë se ka pasur shenja përparimi në drejtim të luftës kundër trafikut të qenieve njerëzore, të drogës dhe ka më shumë reagim kur ka shqetësime ndërkombëtare për korrupsionin. “Nuk mundet vetëm të paraqesin materiale konkurruese, pasi duhet të kuptojnë se kështu rezultati do të jetë më i dobët. Duhet të përpiqen të gjejnë mënyra bashkëpunimi. Shpresoj që partitë në pushtet të mirëpresin një gjë të tillë dhe se partitë e opozitës do të përgjigjen në mënyrë të ngjashme dhe se do të punojnë së bashku. Ka arsye për t’u shqetësuar se nuk do të bashkëpunojnë, por ekzistojnë gjithashtu të gjitha arsyet e mundshme që dëshmojnë se është në interesin e tyre të punojnë së bashku”, thekson Hand. Më tej, ai shton se “besoj se është e dukshme që ka një impakt shumë serioz negativ nëse nuk ke një sistem efikas gjyqësor që heton korrupsionin, ngre akuza dhe merr vendime bazuar mbi një proces gjykimi. Atëherë nuk mund të ketë vërtet llogaridhënie. Shpresoj që përpjekjet për të bërë reformim të gjyqësorit të dalin me sukses”. Më tej ai shprehet se Shqipëria do të ketë përherë probleme nëse zyrtarët e lartë do të jenë sërish imunë ndaj drejtësisë. “Shqipëria do të ketë gjithnjë probleme nëse kur njerëzit ngjiten në një nivel të caktuar të lartë fitojnë një ndjesi imuniteti dhe u duket se nuk u duhet të japin llogari. Nuk po them që thjesht duhet zgjedhur njëri në atë nivel dhe t’i ngrihen akuza, por sigurisht nëse ka prova të besueshme për marrje ryshfetesh apo angazhimi në praktika korruptive të çfarëdo lloji, këto gjëra duhet të hetohen dhe prokurorëve duhet t’u jepet mbështetje në përpjekjet e tyre. Veprime të tilla duhet të ndërmerren pavarësisht se në çfarë niveli të lartë duhet të arrijë llogaridhënia. Nëse nuk veprohet, atëherë gjithnjë do të ketë probleme të fshehura”, thekson Hand. Ai flet dhe për çështjen e ndërrimit të elitave politikave, ku thekson se veç largimit të Nanos apo dhe Berishës asgjë nuk ndryshuar në nivelet e dyta apo të treta të përfaqësimit. “Fytyrat që njihnim vite më parë mund të jenë larguar. Por në nivele më të ulëta, si p.sh. disa nga parlamentarët që kanë qenë të dënuar penalisht në vitet ’90 kur gjërat ishin më kaotike, tashmë kanë ngjitur shkallët dhe janë rrënjosur në sistem. Pra, ende përballemi me trashëgiminë e së kaluarës. Do të thotë që ndoshta ka pak progres, ka mundësi që krijohen me ndryshimin e gjeneratave, por nuk mund të ndodhë vetiu. Do të thotë që ende duhet të jemi vigjilentë, duhet të flasim hapur. Mendoj se këtë ka bërë SHBA-ja dhe BE-ja në Shqipëri dhe e mbështes këtë gjë me gjithë zemër. Të përfitojmë nga kjo mundësi e re që ta detyrojmë qeverinë të bëhet më e përgjegjshme duke thënë se nuk duhet të ketë në listat e saj partiake njerëz që janë dënuar për trafik droge, apo trafik qeniesh njerëzore, dhe gjëra të tilla. Ndoshta dua të shmang fatalizmin duke thënë që asgjë s’ka ndryshuar. Mendoj se ka mundësi të reja”, thekon Hand.