Kushtet
Kreu i grupit socialist në PE flet për statusin
Numri një i socialistëve dhe socialdemokratëve në Parlamentin Europian, Hannes Swoboda, deklaron se Shqipëria ka të gjitha mundësitë të marrë statusin në dhjetor, dhe ajo që nevojitet, është bashkëpunimi mes palëve për reformat e mbetura. “Unë mendoj se Këshilli mund ta marrë vendimin për statusin. Unë besoj edhe te Shqipëria, por edhe në vullnetin e Këshillit për t’i dhënë një shans Shqipërisë. Siç është bërë tashmë e njohur, mbeten për t’u aprovuar me shumicë të cilësuar tre ligje në Parlament: ai për Gjykatën e Lartë, rregulloren parlamentare dhe administratën publike. Nëse këto mbyllen brenda nëntorit, Komisioni i paraqet Këshillit Europian, në muajin dhjetor, raportin për plotësimin e tyre, se bashku me rekomandimin e tij për t’i akorduar Shqipërisë statusin e vendit kandidat të BE-së”, deklaroi për AS TV, Swoboda. Për kreun e të majtëve në PE ashtu siç theksohej edhe në progresraportin për Shqipërinë kusht për hapjen e negociatave për anëtarësim janë zgjedhjet e 2013-s, të cilat sipas tij, duhet të jenë të lira dhe të ndershme dhe të pranohet rezultati. “Unë mendoj se zgjedhjet e 2013-s, procesi dhe pranimi i rezultatit janë testi i pjekurisë së politikës shqiptare pas marrjes së statusit. Dhe është shumë e rëndësishme që gjithçka të jetë e qartë që në fillim dhe që rezultati të pranohet. Sepse zgjedhjet duhet të jenë të lira, të drejta dhe korrekte”, u shpreh Swoboda. Në progresraportin që Komisioni Europian publikoi për Shqipërinë, u rekomandua dhënia e statusit, por deri në marrjen e vendimit në dhjetor kërkohet të plotësohen edhe tri reforma të tjera, që kanë të bëjnë me gjyqësorin, administratën publike dhe procedurat parlamentare.