Partia Demokratike e cilëson si një akt kriminale vendimin e qeverisë për rinisjen e procesit mësimore në universitete. Nënkryetari i PD-së, Edmond Spaho në një deklaratë për mediat e cilëson si akt që mund të shkaktojë pasoja serioze për shëndetin e studentëve dhe pedagogëve.


PD e lidh hapjen e universiteteve edhe me procesin për zgjedhjen e rektorëve, që sipas Spahos, synohet të marrë nën kontroll drejtimin e këtyre institucioneve arsimore. Për këtë PD kërkon anulimin e procesit të zgjedhjes së rektorëve.


Deklarata e plotë


Fermani i Edi Ramës, që u shpall me gojën e Besa Shahinit, për fillimin e mësimit në auditorët e Universitetit, është në rastin më të mire i papërgjegjshëm dhe në rastin më të rëndë, kriminal dhe me pasoja serioze për shëndetin e studentëve dhe pedagogëve.


Ai është tregues i qartë i mënyres se si kjo qeveri po menaxhon këtë krizë kaq të madhe që ka përfshirë tërë globin. Edi Rama nuk ka strategji për daljen nga kriza, ashtu sikurse nuk kishte në fillimet dhe vazhdimin e saj.


Ai me kokëfortësi vepron sipas tekave te tij prej diktatori, pa konsultuar personelin akademik, drejtuesit e Universiteteve dhe studentët.


Hapja e Universiteteve pa marrë mendimin e pedagogëve dhe administratorëve të tyre, mbi mundësitë që ata kanë për të garantuar distancimin social, mjetet mbrojtëse dhe disinfektimin tërësor të ambienteve dhe pajisjeve, tregon sa te papërgjegjshëm janë klika që na drejton sot dhe sa pak e vënë në pune mendjen dhe sa pak i vret ndërgjegja për shëndetin e qytetareve dhe rreziqet që atyre ju kanosen në javët e muajt e ardhshëm.


A do të mbajnë përgjegjësi Edi Rama dhe Besa Shahini, në përputhje me Kodin e ri Penal që sapo miratuan, nëse edhe një student apo pedagog i vetëm infektohet nga koronavirusi?


Asnjë Universitet në Europë nuk ka deklaruar rithirrjen e studentëve në auditore. Të gjithë po kalojnë ne dhënien e provimeve online për vitin shkollor në vazhdim.


Ministria e Arsimit ë Shqipërisë në kundërshtim me strategjinë që ka ndjekur deri më sot, duke mos garantuar asnjë masë për mbrojtjen e pedagogëve dhe studentëve, duke mos ofruar asnjë ndihme ndaj Universiteteve, me papërgjegjshmëri vendos rihapjen e tyre.


E njëjti veprim i papërgjegjshem dhe kriminal që po ndiqet me Universitetet u ndoq me fasonet duke ju lënë atyre përgjegjësine e përhapjes së mundshme të epidemisë në ambientet e punës, si dhe shkurtimet e punonjësve nga puna.


Por jo çdo gjë bëhet nga padija, injoranca dhe kokëfortësia. Këmbëngulja për të zhvilluar zgjedhjet për drejtuesit e të gjitha niveleve në Universitete, tregon qëllëmin e vërtetë të kësaj qeverie te paturp.


Pasi vodhën zgjedhjet e 30 Qershorit, pasi vodhën zgjedhjet në Akademinë e Shkencave, tani Edi me Besën, duan të vjedhin zgjedhjet në të gjithë Universitetet e vendit, me metodën e ujkut në mjegull, për të emëruar kudo sahanlëpirësit e tyre.


I bëjmë thirrje Edi Ramës dhe Basa Shahinit të anulojnë vendimin për hapjen e Universiteteve dhe te konsultohen sa më parë me trupën pedagogjike, drejtuesit e universiteteve dhe studentët, për mënyrën dhe afatet se si do mbyllet ky vit shkollor.


Paralelisht me këtë, të anulohet procesi i zgjedhjeve në Universitete, si një veprim i papergjëgjshëm dhe flagrant i shtrirjes se pushtetit monist edhe në Universitete dhe t’i zhvillojë zgjedhjet vetëm kur vendi dhe sistemi arsimor të ketë hyrë ne normalitet.