Në përmbyllje të vizitës së kreut të AKK, Ramush Hardinaj në vendin tonë, Kuvendi i Shqipërisë organizoi një seancë të posaçme parlamentare, ku ai iu drejtua deputetëve me një fjalë të shkurtër.
Ish-kryeministri i Kosovës u shpreh para deputetëve se, shqiptarët tashmë e kanë të qartë rrugën e tyre drejt NATO dhe BE, duke u zotuar se do të japë kontributin e tij që edhe Kosova të ecë me hapa të sigurt drejt integrimit europian.
Sipas Haradinajt, faktori shqiptar e ka treguar tashmë se luan një rol kyç në Ballkan dhe se anëtarësimi i Shqipërisë në NATO është një moment shumë i rëndësishëm për vendin.
Haradinaj iu referua fundit të viteve ’90, kur shqiptarët hapën dyert për të pritur vëllezërit e tyre kosovarë të rrezikuar nga gjenocidi serb, duke shtuar se fryt i sakrificës dhe flijimit të shumë shqiptarëve ishte liria, të cilën ata e gëzojnë sot.
“Unë e kam njohur për së afërmi Shqipërinë, vendin tim, në vitet nëntëdhjetë, si një djalë i ri, shqiptar nga Kosova, që synonte aftësimin e Kosovës në luftë për liri. Dhe, ashtu siç edhe kam pritur, kam gjetur këtu vëllezër dhe motra të gatshëm që të na bëjnë strehë dhe të na ndihmojnë në të gjitha mënyrat, me zemër, përkundër shumë vështirësive kolektive dhe individuale me të cilat ballafaqoheshin në atë kohë. Liria erdhi si gjithnjë, me flijime të mëdha”, u shpreh Haradinaj.
10 dhjetor 2012 (gazeta-Shqip.com)