“Emërimet, proces transparent dhe të verifikueshëm”


Milena HaritoQeveria do të krijojë një database online për llogaritjen e pagës së të gjithë punonjësve në qeverisjen qendrore dhe atë vendore. Ministrja për Inovacionin dhe Administratën Publike, e bëri publike një nismë të tillë në seminarin me temë “Roli i drejtuesve të lartë në Administratën Publike Shqiptare”, organizuar nga Departamenti i Administratës Publike dhe Projekti i binjakëzimit, “Mbështetje për reformën e Shërbimit Civil në Shqipëri”. Ministrja është ndalur në prezantimin e sistemit të Menaxhimit të Burimeve Njerëzorë (HRMIS). Puna për këtë sistem, mbështetur nga fonde të Bankës Botërore dhe IPA 2008 deri 2011, kishte nisur që në vitin 2005. Por me gjithë këto projekte e investime, deri në fund të vitit 2013, sistemi i HRMIS kishte të dhëna vetëm për 4 ministri. Aktualisht ky sistem është shtrirë dhe është funksional në të 16 ministritë e linjës dhe Kryeministri duke përfshirë në të mbi 1600 dosje elektronike të punonjësve, si dhe po hidhen të dhënat për të gjithë institucionet dhe agjencitë në varësi të ministrive. Një nga risitë më të rëndësishme të sistemit HRMIS është llogaritja e pagave për punonjësit e administratës publike në mënyrë automatike. Sistemi do të gjenerojë në mënyrë elektronike listën e pagesave të punonjësve të institucioneve. Kjo do të realizohet me anë të ndërveprimit të sistemit HRMIS me Sistemin e Thesarit në Ministrinë e Financave. Aktualisht sistemi HRMIS ndërvepron me bazën e të dhënave të Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile, në bazë të numrit të identifikimit të punonjësit. Pjesë e sistemit do të jenë të gjitha institucionet e administratës shtetërore, institucionet e pavarura dhe njësitë e qeverisjes vendore. Sa i përket punësimeve në administratë, ministrja theksoi se “kemi krijuar sistemin më transparent, që përmbledh aplikimin, konkurrimin dhe përzgjedhjen e kandidatëve fitues, duke ju dhënë mundësinë të gjithë atyre që marrin pjesë në konkurse, por edhe më gjerë ta kontrollojë dhe verifikojnë të gjithë procesin. Dhe çelësi është këtu. Asnjë sistem nuk mund të jetë perfekt, por çdo sistem perfeksionohet nëse është i kontrollueshëm”.