Ballkani perëndimor
Konferenca me vendet e rajonit për dialog dhe partneritet
Konferenca rajonale “Dialogu për partneritet për qeverisje të hapur në Ballkanin perëndimor 2015”, në kuadër të nismës së Presidentit amerikan, Barak Obama, startoi dje, një nismë kjo për herë të parë në rajon. Ministrja e Inovacionit, Milena Harito, e cila ishte dhe nismëtarja e kësaj konference, vlerësoi dy elementet e rëndësishme të kësaj konference për vendin tonë. “Zhvillimi rajonal dhe fakti që zhvillohet në rajonin tonë, i cili është një nga rajonet që ka njohur ndoshta më ashpër se çdo zonë tjetër përballjen me antipodet e vlerave të OGP-së, Partneritetit për Qeverisje të Hapur, me izolimin, arbitraritetin dhe mungesën e transparencës në qeverisje. Elementi i dytë shumë i rëndësishëm është përqafimi i OGP-së gjithmonë e më shumë nga qeveritë. Në fillim shoqëria civile ka qenë ajo që nxiste vlerat e OGP-së, sot gjithmonë e më shumë qeveritë bëhen promotore dhe iniciatore të vlerave të OGP-së dhe të transparencës. Dhe këtu do të më lejoni të jap disa shembuj, për të cilët do të kemi rast të flasim gjatë këtyre dy ditëve, por disa shembuj shumë të mirë, shumë të spikatur të qeverisë sonë”, tha Harito, duke dhënë edhe dy shembuj konkretë, siç janë ajo e portalit, elementi tjetër që ka të bëjë me komisariatin dixhital, si dhe portali i administratës publike. Në kuadrin e përmirësimit të marrëdhënieve mes qeverisë dhe shoqërisë civile, Harito shtoi se “bëj thirrje që shoqëria civile të na ndihmojë të progresojmë, sepse ky është roli i saj. Të na kontrollojë, të na kritikojë, të na thotë se si mund të përmirësohemi, sepse për këtë është shoqëria civile dhe për këtë bashkëpunimi ynë me të është i domosdoshëm. Në planin tonë kombëtar të angazhimeve që kemi marrë në kuadër të OGP-së, një pjesë shumë e madhe e iniciativave janë angazhime të përbashkëta të qeverisë dhe të shoqërisë civile”, tha Harito.