Vizita në shkollë


Për incidentin merren në pyetje kreu i PS-së për zonën dhe ndëshkohen disa policë


Ardian Bushi


Për herë të parë, Kryeministri Sali Berisha nuk ka gjetur klimën e mirëpritjes në Has, ashtu siç ishte mësuar edhe më parë. Në vizitën e fundit të tij, ai është pritur me parulla të ashpra kundër tij, duke e detyruar që të takojë vetëm nxënësit e shkollës së Krumës dhe mësuesit e atyshëm, ndërkohë që garda dhe policia kanë formuar një gardh në ambientet e jashtme, me qëllim për të mbajtur turmën larg.


Parullat në Has


Ai ka preferuar të udhëtojë me helikopter për të prerë shiritin e shkollës nëntëvjeçare në Bashkinë e Krumës, pasi rruga nga Kukësi për në Krumë është e shkatërruar plotësisht, ndërsa rikonstruktimi i saj ka nisur, por edhe pse kanë kaluar dy vite nga fillimi i punimeve ende nuk ka përfunduar. Nga ana tjetër, ditën e udhëtimit të tij, qyteti i Krumës është zgjuar jo si zakonisht, por i gjithi i mbuluar me parulla kundër Kryeministrit. “O Berishë o Gadaf, nuk ke pse vjen më në Has” si dhe parullat “Poshtë Sali Rama”, “Berisha ka harruar Hasin” “Hasi në mjerim”, “Sa i pabesë Saliu” kanë qenë disa prej tyre. Kjo situatë, aspak e zakontë për këtë qytet verior, i cili vazhdimisht e ka mirëpritur liderin demokrat, ka sjellë një aksion të shpejtë të vendorëve për të fshirë parullat, në pjesët më të dukshme të qytetit. Në aksionin e nisur që në orët e para të ditës që Berisha do të shkonte në Krumë, kanë marrë pjesë forcat policore dhe ato të pushtetit vendor, që janë drejtuar nga zëvendësprefekti.



Masat në qytet


Kjo situatë ka bërë që në oborrin shkollës së Krumës, Garda e Republikës, por edhe policia të mos lejonin asnjë nga banorët për t’iu afruar oborrit të saj në një distancë prej më shumë se dhjetë metrash. I trembur nga situata e krijuar, Kryeministri i vendit në këtë inaugurim ka kursyer edhe fjalët për liderin e opozitës, ku ndryshe nga rastet e tjera, që jemi mësuar të shikojmë, ai këtë radhë ka folur vetëm për shkollën, rrugën Kukës-Krumë dhe një stadium. Më pas, ai është larguar sërish me helikopter. Kryeministri Berisha, pasi vizitoi ambientet e shkollës 9-vjeçare “Sejdi Dida”, e cila është ndërtim i ri, me vlerë investimi 170 milionë lekë, nga buxheti i shtetit,  vlerësoi se ambientet moderne të saj e vendosin atë, në të njëjtin standard me shkollat e vendeve të zhvilluara. Ai u shpreh se arsimi është përparësi i të gjitha përparësive dhe në projektin e Shqipërisë, vend i zhvilluar, arsimi është themelor dhe ndërtimi kudo i një infrastrukture moderne arsimore, mësues të përgatitur e të trajnuar, trajtimi i merituar financiar i tyre, janë në fokusin e qeverisë.


Kreu i PS-së


Kryetari i Partisë Socialiste të Hasit, Halit Mulaj, është thirrur në polici pas vizitës së Kryeministrit Berisha. Ai tha dje për gazetën “Shqip” se u thirr në polici dhe u pyet në lidhje me parullat që ishin shkruar në muret e qytetit gjatë natës përpara vizitës së Kryeministrit. Ai ka dhënë sqarimet e tij dhe ka mohuar përfshirjen e strukturave të PS-së në këtë incident. Ai thotë se nga ana e policisë dhe e strukturave lokale në Has, parullat kundër Kryeministrit janë klasifikuar si incident i rëndë. Ai madje thotë se ka informacion se për këtë shkak është diskutuar anulimi i vizitës së Kryeministrit në qytetin e Krumës. Kreu i PS-së së Hasit thotë se ka informacione të pakonfirmuara zyrtarisht, sipas të cilave një numër policësh të Hasit kanë marrë vërejtje me paralajmërim për këtë incident, ndërsa të paktën një punonjës policie, i cili ka pasur për detyrë të patrullojë qytetin e Krumës gjatë natës, është pezulluar nga detyra. Sipas informacioneve, polici i pezulluar është I. Rexha, por nuk ka konfirmim për këtë masë.