Intervista
Juristi i njohur: Vota 4-3 mund të rrëzojë numërimin elektronik
Ylli Pata
“Kjo KQZ nuk garanton një proces fair”. Kështu është mendimi i juristit të njohur, Sokol Hazizaj, ish-zëvendësministër i Drejtësisë dhe ish-deputet i Partisë Socialiste. Në një intervistë për “Shqip”, Hazizaj thekson se polarizimi i përcaktuar me ligj mund të djegë zgjedhjet e 2013-s, vetëm nga qëndrimet politike të palëve…
Z. Hazizaj, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u formatua sërish sipas formulës politike. A mund të ketë garanci për një administrim korrekt të zgjedhjeve të ardhshme?
Ndryshimet ligjore që iu bënë Kodit Zgjedhor së fundmi, të cilat u trumbetuan si fitore konsensuale e poleve politike në vendin tonë nëpërmjet ligjit nr. 74/2012 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 10 019, datë 29.12.2008 ‘Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë’”, çka se në kuptimin tekniko-formal, pasuruan në terminologji dhe detaje Kodin Zgjedhor të mëparshëm, duket haptazi se më tepër janë dhe u konturuan si përgjigje e rezultatit të kontestuar të zgjedhjeve vendore të fundit se sa në të vërtetë duhet të kryenin, në lidhje me mangësitë që shfaqte ish-kodi në lidhje me raportin midis së drejtës së shtetasit për të votuar dhe transparencës së numërimit të votës tij. Më qartë duhet thënë se ndryshimet e fundit saktësisht pasuruan folklorin elektoralo-politik, me nocionin e numërimit elektronik të votës dhe me shkurtizma organesh në funksion të tij. Nëse qytetarët mbajnë mend debatin politik të para reformës elektorale, për këtë është e mjaftueshme të kujtosh se debati më i madh iu kushtua konstituimit të një KQZ-je jopolitike, si një organ i pavarur dhe transparent në kundërpërgjigje të polarizimit drastik të mëparshëm, duke pohuar me të madhe se ish-KQZ-ja në veprimtarinë e saj nuk doli mbi palët, por u bë pjesë e tyre, prandaj dhe rezultati i shpallur prej saj mbeti i kontestuar sot dhe kësaj dite. Aktualisht, vetëm nga një vëzhgim i thjeshtë duket qartazi se institucioni i ri, KQZ-ja, jo vetëm që është tërësisht politike, shkak i cili dha si pasojë tejkalimin në kohë të krijimit të saj, por edhe dispozitat e Kodit Zgjedhor të ri, në vend të një akti që duhej domosdoshmërisht të imponojë konsensus sa më të gjerë të këtij institucioni në vendimmarrje, e kufizuan atë duke e polarizuar tejskajshëm institucionin më të lartë që administron zgjedhjet. Në ilustrim të kësaj që pohova më sipër, mjafton të përmend nenin 21/1 ku citohet se: “Në rastet e defekteve teknike që cenojnë integritetin e teknologjisë që aplikohet apo që e bëjnë zbatimin e tyre të pamundur në zgjedhje, KQZ-ja mund të vendosë zbatimin e votimit ose numërimit me dorë, sipas këtij Kodi. Vendimi për numërimin me dorë miratohet me votën ‘pro’ të jo më pak se 4 anëtarëve të KQZ-së. Efektet juridike të vendimit të KQZ-së për përdorimin e teknologjisë, të miratuar me jo më pak se 5 vota ‘pro’, pushojnë së ekzistuari sapo merret vendimi për numërimin me dorë, sipas këtij Kodi”. Ashtu si më parë, kur teknikisht komisionet zonale të zgjedhjeve ishin më të sakta dhe më normale në vendimmarrjen e tyre, si dhe më të qeta në veprimtarinë e tyre, ndërsa KQZ-ja për shkak të vendimmarrjes së ndarë pafundësisht katër me tre, shfaqej pasoja e funksionimit arbitrar të shumicës së thjeshtë të saj, pra të katërshes së mazhorancës qeverisëse, e njëjta gjë do të jetë dhe në zgjedhjet e 2013-s, për më tepër nuk nxitohem të them se ndryshimet e fundit të kodit, jo vetëm kanë rritur peshën e vendimmarrjes së KQZ-së, por kanë neglizhuar sa ka qenë e mundur mënyrën dhe kuorumin e vendimmarrjes në këtë institucion. Në të njëjtën mënyrë, duke mos qenë paragjykues ngelet për t’u provuar se konturimi i këtij institucioni sot është më politik se sa ndonjëherë i ndodhur më parë. Në argument të deklarimit tim, mjafton të citoj se neni 15 i ndryshuar në Kodin Zgjedhor, sa i përket zgjedhjes së kryetarit të saj nga Kuvendi i Shqipërisë, jo vetëm që u bë në kohë të vonuar jashtë parashikimeve të ligjit, por dhe ishte totalisht jotransparent, shkak i së cilës nuk janë qytetarët, por politika. Përpos këtyre defekteve të shfaqura deri sot, jo vetëm ligjore, por dhe për pasojë të polarizimit të theksuar politik, jam shumë pesimist se mund të realizohet ndonjë proces zgjedhor që do të mbahet mend për mënyrën e realizimit të tij, por do të jetë si këta që kanë shkuar ose më i kontestuar siç dhe ka filluar. Është aksiomatike se produkti formohet dhe duket që në lindje dhe sa kohë lindja e ndryshimeve ishte nën tension të lartë, llambat si produkt nuk mund të durojnë tensionin e ulur dhe paqësor, pra rezultati do të digjet sërish nën valën e kontestimit.
Z. Gjiknuri, në një intervistë për “Shqip”, theksoi se ky formatim nuk do të ndikojë në fatin e zgjedhjeve. Duke marrë parasysh precedentët e 2009-s dhe 2011-s…
Z. Gjiknuri, por dhe të tjerë kontribuues në ndryshimet e Kodit Zgjedhor kanë shumë të drejtë kur shpresojnë të ndodhë ndryshe nga vitet e mëparshme, por duhen pyetur të tjerët kolegë të tij se çfarë thonë, ose ndryshe çfarë mendojnë. Gjithsesi ajo që kam aspiruar në mënyrë të vazhdueshme ka qenë se do të ishte tërësisht ndryshe në e projekti ligjor i numërimit elektronik do të ishte tërësor, pra në gjithë Shqipërinë, si dhe ekipi monitorues të ishte më mirë profesional se sa kështu siç është tërësisht politik. Nga e keqja e madhe, uroj që të ndodhë të paktën dhe kështu siç është parashikuar në Kodin Zgjedhor, çka se nuk do të ndodhë siç parashikohet. Jam pesimist duke i mëshuar faktit se nuk është e rastësishme mosmarrëveshja politike e Qarkut të Fierit, kur dihet se projekti pilot i numërimit elektronik të votës do të jetë në këtë qark. Po kaq i bindur jam dhe sa i përket nxjerrjes së rezultatit dhe certifikimit të tij nga KQZ-ja. Nëse në zgjedhjet vendore, rezultati i përgjithshëm i kaloi kufijtë e një muaji, do të jemi dëshmitarë se si pasojë e formatimit të disa dispozitave të kodit mbi kompetencat e KQZ-së mbi dyshueshmërinë e rezultateve, do të na bëjë të na zërë malli për rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2013.
A mund të jetë apelimi një faktor vendosës në zgjedhje. Në Kod, janë vendosur dy qarqe pilot; Fieri e Tirana për numërim elektronik dhe kontroll të letërnjoftimeve. Sipas jush, do të ketë sukses ky proces?
Thënë pa ironi, konstatoj se fryma gjithëpërfshirëse e ndryshimeve të fundit në Kodin Zgjedhor, me gjithë anën pozitive të tij, kalon në katër nocione themelore, të cilat janë hetimi, rihetimi, gjykimi dhe apelimi, arsye shumë e fortë kjo që i dha “mundësi” politikës së Parlamentit shqiptar të zgjidhte një pjesë të konsiderueshme të anëtarëve nga pjesëtarë me eksperiencë të lavdërueshme nga fusha e organeve hetimore, ndryshe nga ish KQZ-ja e mëparshme që anëtarët vinin nga gjyqësori. Duke u rikthyer në pyetjen tuaj, pra sa i përket përgjigjes në lidhje me mundësinë e apelimit si faktor vendosës, theksoj se përpos nocioneve të sipërpërmendura në mënyrë të vazhdueshme, padyshim rezultati dhe veprimtaria e institucioneve kontribuuese në zgjedhje do të jetë tepër i kontestuar dhe për pasojë, si dhe për arsyen e thjeshtë, se politika deri tani ka treguar se ka frikë nga numërimi elektronik. Procesi i numërimit elektronit edhe pse do të përgatitet, nuk do të ndodhë, sepse “nuk duhet të ndodhë”. Për këtë duhen pyetur ata që heshtin ose flasin ndryshe nga Damiani…
Vonesa – “Nëse në zgjedhjet vendore, rezultati i përgjithshëm i kaloi kufijtë e një muaji, do të jemi dëshmitarë se si pasojë e formatimit të disa dispozitave të kodit mbi kompetencat e KQZ-së mbi dyshueshmërinë e rezultateve, do të na bëjë të na zërë malli për rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2013”
Polarizimi – “Aktualisht, vetëm nga një vëzhgim i thjeshtë duket qartazi se institucioni i ri, KQZ-ja, jo vetëm që është tërësisht politike, shkak i cili dha si pasojë tejkalimin në kohë të krijimit të saj, por edhe dispozitat e Kodit të ri Zgjedhor, në vend që të impononin konsensus sa më të gjerë të këtij institucioni në vendimmarrje, e kufizuan atë duke e polarizuar tejskajshëm institucionin më të lartë që administron zgjedhjet”
Shumica – KQZ-ja për shkak të vendimmarrjes së ndarë pafundësisht katër me tre, shfaqej pasoja e funksionimit arbitrar të shumicës së thjeshtë të saj, pra të katërshes së mazhorancës qeverisëse