Prindërit e një vajze dymuajshe akuzojnë mjekët për neglizhencë dhe pakujdesi
Foshnja ka shkuar në spital me hundën e bllokuar me një gogël, që ia kishte futur i vëllai
Neglizhenca – Pas verifikimeve të para, mjekët u kanë thënë familjarëve se gjithçka kishte kaluar. Prindërit e dërguan foshnjën në shtëpi, ku gjendja u rëndua
Pakujdesia – Foshnja u ridërgua në spital me probleme frymëmarrjeje dhe pas një rikontrolli, ndërroi jetë. Prindërit akuzuan mjekët për pakujdesi në mjekim
Denoncimi – Pas disa ditësh, dy prindërit e foshnjës u paraqitën në Komisariatin e Policisë Nr.4, ku dhe bënë denoncimin ndaj mjekëve
Silvana Muça
Vdes një foshnjë dymuajshe në urgjencën e spitalit “Nënë Tereza” në Tiranë, prindërit akuzojnë mjekët për pakujdesi dhe neglizhencë. Ngjarja ka ndodhur katër ditë më parë dhe prindërit e foshnjës kanë bërë kallëzim penal në Komisariatin Nr.4, ndaj dy mjekëve që morën përsipër kurimin e vajzës dymuajshe. Pas marrjes së denoncimit nga familjarët e foshnjës së vdekur, policia ka nisur hetimet për zbardhjen e ngjarjes. Hetuesit kanë sekuestruar kartelën e viktimës, për të verifikuar nëse mjekët kanë vepruar me korrektësi apo jo. Nga ana tjetër, mjekët specializantë thonë se fëmija ka ardhur në spital në gjendje të rëndë dhe ata kanë bërë të pamundurën që t’i shpëtojnë jetën, por nuk ia kanë dalë.
Ngjarja
Më 28 prill 2014, prindërit e foshnjës dymuajshe paraqiten të alarmuar në spital, për të kërkuar ndihmën e mjekëve. Ata u kanë thënë specialistëve se fëmija paraqiste probleme me frymëmarrjen, duke dyshuar se ai mund të kishte në hundë një gogël të vogël plastike, e shkaktuar nga pakujdesia e vëllait 4-vjeçar, teksa luante me foshnjën. Mjekët, pasi kanë dëgjuar ankesat e fëmijës, kanë ndërhyrë për të normalizuar shëndetin e vajzës dymuajshe. Tri orë më pas, mjekë specializantë u kanë thënë prindërve që vajza ishte mirë me shëndet dhe si pasojë e kësaj mund ta dërgonin në shtëpi. Me të mbërritur në banesë, foshnja ka shfaqur sërish probleme me frymëmarrjen. Ata janë rikthyer në spital, për të kërkuar ndihmën e mjekëve. Këta të fundit kanë ndërhyrë, por vogëlushja ka humbur jetën disa minuta pasi ka mbërritur aty. Mjaft të acaruar, prindërit kanë nisur që të debatojnë me mjekët, të cilët morën përsipër kurimin e vajzës dhe i garantuan asaj jetën. Dy ditë më vonë, ata janë paraqitur në polici, për të kallëzuar mjekët për mungesë neglizhence dhe pakujdesi. Përpara grupit hetimor ata kanë thënë se mjekët garantuan jetën e vajzës, duke thënë se mund të shkonin në shtëpi, pasi shëndeti i vajzës nuk paraqiste më rrezik për jetën. Sipas prindërve, specialistët nuk janë treguar të kujdesshëm në mjekimin e foshnjës me inicialet V.I. Ata kanë dhënë në polici edhe emrat e mjekëve, duke kërkuar nga ana e organeve ligjzbatuese që të zbardhet e vërteta e vdekjes së foshnjës dhe neglizhencës së treguar nga ana e mjekëve. Ndërkaq, emrat e mjekëve nuk bëhen me dije për arsye hetimore, por thuhet se ata janë dy specializantë.
Hetimet
Pas marrjes së kallëzimit, grupi hetimor ka nisur punën për zbardhjen e shkaqeve dhe rrethanave që çuan në vdekjen e foshnjës. Në urgjencë janë paraqitur një grup hetuesish të përbërë nga një prokuror dhe punonjës policie. Ata kanë sekuestruar kartelën klinike të fëmijës. Gjithashtu, policia ka shoqëruar mjekët e përfshirë në akuzat e prindërve të viktimës. Ata janë marrë në pyetje nga ana e grupit hetimor, në lidhje me punën e tyre. Burime nga policia bëjnë me dije se specializantët hedhin poshtë pretendimet e familjarëve të viktimës. Ata thonë se nuk e kanë neglizhuar punën e tyre dhe për më tepër, të jenë treguar të pakujdesshëm. Sipas mjekëve, foshnja ka mbërritur në spital në gjendje pothuajse të vdekur. Ndonëse ata kanë bërë të pamundurën për ta shpëtuar, nuk ia kanë dalë. Kufoma është dërguar në morg, për t’iu nënshtruar ekspertizës mjekoligjore, prej së cilës pritet që të dalin shkaqet e vërteta të vdekjes së foshnjës.
Besim Boçi:
U kurua nga specializantë? Është urdhri i ministrit Beqaj
Shefi i ORL-së ua hedh fajin prindërve dhe ministrit
Menjëherë pasi vdekja e foshnjës është bërë mediatike, shefi i ORL-së, Besim Boçi, ka reaguar në lidhje me akuzat. Ai thotë se prindërit nuk kanë zbatuar rekomandimin e mjekut, i cili kërkonte që fëmija të qëndronte disa orë në shërbimin e pediatrisë. Gjithashtu, Boçi thotë se foshnja është paraqitur në urgjencë në gjendje të mirë shëndetësore. “Fillimisht fëmija i është nënshtruar kontrollit në pediatri. Pas një kontrolli të bërë në këtë pavijon, nuk është konstatuar prania e një trupi të huaj në hundë. Më pas, foshnja i është nënshtruar edhe një kontrolli nga një mjek specializant i vitit të katërt në ORL, i cili ka bërë të njëjtin konstatim, që fëmija nuk kishte lodër në rrugët e frymëmarrjes dhe si pasojë e kësaj, mjeku i ORL-së e referoi në shërbimin e pediatrisë, ku e rekomandon që fëmija të qëndrojë përreth 2-3 orë nën kujdesin e mjekëve. Nga informacioni që kam, familjarët e foshnjës e kanë dërguar fëmijën në shtëpi dhe nuk e kanë lënë në pediatri”, sqaron Boçi. Ndërkaq, në lidhje me faktin se fëmija është kontrolluar nga një mjek specializant dhe pa praninë e mjekut rojë, thotë se ky është urdhri i ministrit të Shëndetësisë, i cili lejon që specializanti të marrë përsipër mjekimin e pacientit, pa prezencën e mjekut rojë. Ky i fundit, sipas shefit të ORL-së, është i përjashtuar nga përgjegjësia. Gjithashtu, ai thotë se ka vënë në dispozicion të hetuesve kartelën mjekësore të foshnjës. Sipas shefit të ORL-së, do të jetë ekspertiza mjekoligjore ajo që do të ndihmojë organin e akuzës për zbardhjen e plotë të të vërtetës.
Somario
Nga informacioni që kam, familjarët e foshnjës e kanë dërguar fëmijën në shtëpi dhe nuk e kanë lënë në pediatri
Specializantët?
Ky është urdhri i ministrit të Shëndetësisë, i cili lejon që specializanti të marrë përsipër mjekimin e pacientit, pa prezencën e mjekut rojë