Vajza e dytë e familjes Vata është në emigrim, akuza kërkon një dëshmi pas rrëfimit të Shaban Norjes


Një nga dëshmitë që mund të hedhë më shumë dritë mbi vrasjen makabre të Ajshe Vatës, është edhe rrëfimi i motrës së viktimës, e cila aktualisht ndodhet në Itali. Grupi hetimor ka marrë vetëm versionin e Shaban Norjes, monstrës që vrau dhe i preu kokën 18-vjeçares, pasi më parë kishte një marrëdhënie 4-vjeçare me të, duke e lënë shtatzënë para 11 javësh, i cili ka pohuar se ka pasur marrëdhënie seksuale edhe me motrat e viktimës. Rrëfimi i “kasapit”, krahas detajeve të marrëdhënies me 18-vjeçaren, ka qenë edhe për miqësinë me familjen Vata para 20 viteve, kur dhe i shiti tokën, ndërsa më pas ka folur për vizitat e vajzave të kësaj familjeje në shtëpinë e tij, ku dhe ka abuzuar me to, në moshë fare të vogël. Ai ka shpjeguar se para se të abuzonte seksualisht me Ajshen, ka kryer marrëdhënie seksuale edhe me një nga motrat e saj, më e madhe, madje këtë histori e ka marrë vesh edhe Muhameti, babai i vajzave, i cili vetëm sa ka prishur miqësinë me të moshuarin.


Burime nga Prokuroria e Durrësit thanë për gazetën “Shqip” se kanë kërkuar një dëshmi të motrës së Ajshes, por ka marrë si përgjigje nga familja se “V.Vata jeton në shtetin italian”. “Ne kërkojmë pyetjen e kësaj shtetaseje, pasi mund të jetë dëshmia kyçe. Ka dyshime se vajza mund të ketë dijeni për raportin e Ajshes me Shabanin, madje edhe kërcënimet që i bënte ky i fundit. Të njëjtin fat, sipas autorit, e ka pasur edhe kjo dëshmitare”, pohojnë burimet nga akuza, që saktësojnë se ende nuk janë mbyllur plotësisht veprimet hetimore, megjithëse deri më tani janë pyetur rreth 50 persona.


 


Versioni i të moshuarit


Prokuroria thotë se ka vetëm versionin e 80-vjeçarit, i cili është marrë disa herë në pyetje, pas arrestimit tri ditë më parë. Ai ka deklaruar se ka ndjekur së paku 4 apo 5 herë motrën e Ajshes, e cila sipas tij ka pasur marrëdhënie seksuale me një person tjetër në fshat. “Ai e ka ndjekur dhe i ka vëzhguar. Ai thotë që kishte lajmëruar babanë e saj, Muhamet Vatën që vajza nuk sillej mirë. 80-vjeçari i akuzuar ka thënë që, pas divorcit të motrës së viktimës nga bashkëshorti, një pjesë të fajit, Muhameti ia ka vënë atij, që në atë kohë ka qenë 76 vjeç. Po sipas dëshmive të autorit, vajza, pas divorcit ka thënë që marrëdhëniet i ka pasur me Shabanin. Nëse raportet janë të vërteta apo jo nuk dihet, dhe kjo nuk është objekt hetimi për momentin”, pohon prokuroria. Për të gjitha këto dyshime, akuza ka kërkuar me ngulm dëshminë e motrës së Ajshes, megjithëse një gjë e tillë deri më tani nuk ka ndodhur, pasi ajo jeton jashtë kufijve të shtetit shqiptar.


 


Masakrimi


Prokuroria e Durrësit konfirmon se ka marrë në dorë raportin mjekoligjor ku konfirmohet se trupi i 18-vjeçares Ajshe Vata është prerë me një kosë. Viktima ishte 3-muajshe shtatzënë, ndërsa rezultatet e ADN-së, të kryera në fetus, dolën në përputhje me gjakun e autorit. Po kështu edhe analizat e kryera në rrobat e viktimës dhe të autorit dolën që kishin përputhje me 80-vjeçarin Shaban Norja në momentin e skenës së vrasjes. “Pështyma dhe gjurmët e gjetura në trupin e 18-vjeçares, në gjoks dhe në pjesë të tjera kanë përkuar plotësisht. Gjithashtu edhe gjurmët e gjakut dhe të pështymës, të gjetura në këmishën e autorit, përkonin me gjurmët e gjakut që u gjetën në tutat e vajzës rreth 100 metra larg banesës njëkatëshe që Norja kishte në ruajtje. Ndërkaq, xhupi i vajzës, me të cilin ka dalë nga shtëpia e saj, i gjetur rreth 1 kilometër larg nga vendngjarja, në një vendgrumbullim plehrash, përkon me gjurmët e gishtave dhe djersën e autorit, i cili e ka lënë aty pasi kishte kryer vrasjen, në tentativë për të zhdukur gjurmët e krimit”, pohojnë burimet nga prokuroria, e cila ka përgatitur edhe kërkesën për masë arresti.


 


Sot, para gjykatës


I konsideruar me një sërë prova bindëse si autor i krimit të rëndë të ndodhur në Durrës, Shaban Norja pritet të dalë sot para Gjykatës së Durrësit. Prokurori i çështjes, Sokol Nishani, do u kërkojë togave të zeza caktimin e masës së sigurimit “arrest me burg” për të arrestuarin, ndërkohë që gjatë marrjes së dëshmisë së Norjes edhe ky i fundit ka preferuar të mbyllet në qeli për shkak se tashmë i trembet një vrasjeje të mundshme nga familjarët 18-vjeçares Ajshe Vata. s.ç


 


Hetimet


Mesnatën e 11 tetorit, 80-vjeçari veproi pasi i druhej frikës së arrestimit. Viktima, tre numra


Policia: Shabani ka fshirë numrin e Ajshes dhe mesazhet që kanë shkëmbyer


Hetimet për vrasjen e Ajshe Vatës, krahas zbardhjes së motivit, po përqendrohen në dokumentimin e të gjithë lëvizjeve gjatë natës së krimit. Fillimisht është marrë dëshmia e 80-vjeçarit, i cili ka pranuar të tregojë një pjesë të lëvizjeve, nga shtëpia, te dhoma ku takohej me viktimën, e deri te veprimi ekstrem, vrasja me plumb pas koke dhe prerja e kokës më pas. Hetuesit kanë marrë në dorë dje pasdite tabulatet telefonike të autorit dhe viktimës, ndërsa antenat kanë përcaktuar edhe lëvizjet e të dyve. Nga këqyrja paraprake ka rezultuar se Shabani ka fshirë thuajse të gjitha mesazhet që ka shkëmbyer me viktimën gjatë kohës së historisë intime mes tyre.


Një veprim i tillë është kryer gjatë mesnatës së 11 tetorit, kur ai ka ekzekutuar Ajshen, ndërkohë që fshirja e mesazheve ka ndodhur edhe gjatë ditës, pasi 80-vjeçari ka mësuar se për vrasjen që ai kishte kryer ishte vënë në dijeni policia e Durrësit. Për të shmangur një zbulim të shpejtë të tij, pasi i moshuari kishte menduar se do shoqërohej në polici për të dhënë sqarime rreth asaj që dinte për krimin, për shkak edhe të afrimitetit me familjen Vata, ai ka fshirë thuajse të gjitha mesazhet përfshirë këtu edhe numrat personalë të Ajshe Vatës. Sipas organit të akuzës së Durrësit bëhet fjalë për tre numra që Ajshe Vata, ka pasur në dispozicion, ku me ta ka komunikuar me të moshuarin. Vata dhe Norja, sipas ekspertëve të policisë kanë pasur një komunikim konstant me mesazhe. Pjesa më e madhe e mesazheve sipas akuzës janë fshirë nga i moshuari, por sërish ai ka harruar disa prej tyre, të cilët janë gjetur në telefonin e autorit të krimit gjatë këqyrjes së tij nga specialistët e policisë.


Aparati celular i është dërguar për ekspertim teknik në laboratorin e kriminalistikës të Ministrisë së Brendshme. Nga verifikimi i tij është arritur të bëhet rikuperimi i dhjetëra mesazheve. Burimet tregohen të rezervuara në informacione, ndërsa pohojnë vetëm se mes viktimës dhe Shaban Norjes ka pasur një komunikim konstant.