Dëmshpërblimi


Studentet: I kemi shkruar edhe Kryeministrit, por s’ka përgjigje


Disa nga vajzat e aksidentuara kërkojnë ende trajtim mjekësor, por nuk kanë para për këto shërbime


Bardha Nergjoni


Florije PeciHistoria e Florije Pecit ka rikthyer në vëmendje trajtimin e studenteve të aksidentuara në Himarë, që në atë kohë mori sensibilizimin e të gjithëve, por jo të atyre që duhej të përgjigjeshin financiarisht për to. Kompania tek e cila ishte siguruar autobusi i transportit të studenteve, nuk ka dëmshpërblyer ende sigurimin e shëndetit për të mbijetuarat. Ato, tashmë kanë depozituar dosjet e tyre pranë kësaj kompanie, por edhe pse kanë kaluar tre muaj nga ky proces, të mbijetuarat ende nuk kanë mundur t’i marrin paratë për dëmtimet që pësuan. Edhe pse kanë kontaktuar disa herë me drejtues të kompanisë, ata i kanë zvarritur. Një pjesë e mirë kanë ende shenjat në fytyrë si pasojë e aksidentit, një pjesë ka shëndetin e dobët dhe një pjesë kërkon ende trajtim mjekësor, por asnjë nga të dëmtuarat nuk e ka përfituar këtë dëmshpërblim. Nga informacionet që ato kanë mbledhur, shuma që i kalon një miliard lekë është konfirmuar, por për ta tërhequr, tashmë është e vështirë. Nga të dhënat e tyre, tashmë kompania e sigurimeve ka paguar detyrimet për Spitalin austriak, ku u mjekuan dy vajzat në koma, ndër të cilat edhe Florije Peci. Për mjekimin e dy vajzave janë disbursuar rreth 150 mijë euro, ndërsa për të dëmtuarat e tjera asnjë fond minimal. Studentet e aksidentuara e përfituan këtë siguracion nga kompania e transportit të autobusëve, kontratë që parashikonte të merrte përsipër edhe palët e treta të përfshira në aksident.


Studentja


Doriana Kumria thotë se ato vetë i kanë bërë të gjitha përpjekjet që ta përfitonin këtë siguracion që u nevojitet, pasi shumë prej tyre kanë ende ekzaminime shëndetësore dhe ndërhyrje për të bërë deri në rikuperimin e plotë. “Ne i kemi shkruar edhe Kryeministrit për këtë, por nuk morëm ndonjë përgjigje. Dokumentacioni që kemi paraqitur ka qenë i plotë, por nuk e dimë pse na zvarrisin kaq gjatë”, tregon Doriana, teksa flet për “Shqip” në lidhje me problemin që nuk po gjen zgjidhje. Mësohet se nga dëmshpërblimi i kompanisë janë paguar 75 mijë euro për Spitalin austriak, ku u kurua Florija dhe 65 mijë euro për Eriselda Guberen. Këto para, sipas studenteve, janë dhënë për Spitalin austriak, por duket se për to nuk po mendon askush më.


Senati akademik


Këtë shqetësim e ka shprehur edhe Julian Hoxhaj, anëtar i senatit akademik dhe përfaqësues i studentëve, i cili ka dënuar edhe ngjarjen e ndodhur në dëm të Florije Pecit, duke kërkuar zbardhjen e kësaj ngjarjeje dhe nxjerrjen e përgjegjësive. Ai i është bashkuar edhe shqetësimit të studenteve të mbijetuara nga aksidenti që nuk kanë marrë ende dëmshpërblimin nga kompania e sigurimeve. “Është për të ardhur keq që rreth nëntë muaj pas aksidentit të Himarës, kompania e sigurimeve ende nuk ka dëmshpërblyer studentet e aksidentuara. Kjo çështje, tashmë do të ndiqet në rrugë ligjore dhe javës që vjen, është lënë një takim me Avokatin e Popullit, Igli Totozani, me qëllim që ai të marrë në dorë çështjen dhe të bëjë të mundur zgjidhjen e saj. Personalisht, shpresoj që zëri i studenteve dhe i familjarëve të tyre të dëgjohet dhe dëmshpërblimi që u takon t’u jepet sa më parë. Ne kemi përgatitur një kërkesë zyrtare që do t’u dërgohet të gjitha organeve kompetente që të përfundojë odiseja e dëmshpërblimit. Kërkesa është firmosur nga studentet e aksidentuara”, shprehet Hoxhaj.


 


 


Lista


Studentet e mbijetuara të aksidentit, që duhet të dëmshpërblehen nga kompania e sigurimit


Kaltra Pollozhani


Doriana Kumria


Alma Deda


Blerina Çereni


Besiana Dani


Antoneta Taçe


Adisa çela


Adjola Musaku


Griselda Zeneli


Ticiana Hysa


Anisa Hysa


Elsa Shtylla


Lirie Hasa


Elidona Gjinaj


Mirsie Biba


Ifsjana Karriqi


Besiana Xheneti


Arta Ballabani


Juliana Kuqi


Enkela Daja


Anisa Çobaj


Ergita Opingari


Shegushe Haka


Eranda Bardho


 


 


Në fshatin Katjel


Mjekët e zonës rrëfejnë momentin që u vunë në dijeni për shtatzëninë


Banorët dhe të afërmit, të shokuar për abuzimet


Në fshatin Katjel, të gjithë janë të shokuar nga ajo që kanë mësuar së fundmi. Mjaft të indinjuar nga ky fakt janë të afërmit e familjes dhe banorët e fshatit. Kushërira Lindita Durbaku shprehet se Florija kishte mjaft ëndrra për të ardhmen e saj dhe kjo që ndodhi i ndryshoi totalisht jetën. Ndërsa i afërmi Xhemal Muça shprehet se kjo është një ngjarje mjaft e rëndë për vajzën e familjen dhe kërkon që organet kompetente të zbardhin të vërtetën e të vënë para përgjegjësisë autorin. Banorë të tjerë shprehen se ky është një krim dhe autori duhet të trajtohet si kriminel. Ndërkohë, shtëpia e Florijes është thuajse e braktisur. Të gjithë familjarët e saj ndodhen në Tiranë, veç nuses së vëllait, e cila thotë se që kur e kanë marrë vesh është si një aksident i dytë pas atij që Florija pësoi në Himarë. “Jemi të tronditur. Ky ishte më keq se kur morëm vesh aksidentin. Nuk dimë çfarë i ka ndodhur, pasi as ajo vetë nuk di të thotë asgjë, sepse nuk mban mend. Ishte një lajm i tmerrshëm”, shprehet ajo. Ndërsa Gjergji Dhono, mjeku gjinekolog i zonës, e ka konfirmuar shtatzëninë e Florijes i pari, duke ia transmetuar lajmin asaj dhe familjarëve. “Vizitën e parë e kreu tek unë. Florija ishte shtatzënë dhe kur i thashë familjarëve, u shokuan. Ndërsa vetë ajo e mori me të qeshur. Dukej që nuk ishte shumë mirë. Ishte e shpërqendruar dhe kishte veprime që nuk tregonin normalitet”, shprehet ai. Ndërkohë, mjekja e familjes, Violeta Koro, që e ka ndjekur Florije Peçin që nga koha kur është kthyer nga Austria, pohon se gjatë këtyre muajve, ajo nuk ka pasur probleme shëndetësore e fizike. Por ka qenë e motra që e ka njoftuar për dyshimet e barkut që po i rritej.


 


 


Solidarizimi


Si e kujtojnë studentet 22-vjeçaren: Nuk ka pasur të dashur, ishte e urtë dhe mësonte


Shoqet: Kjo është traumë e dytë për Florijen


DSCF2204Florija ishte një studente model para se të ndodhte aksidenti. Të mbijetuarat e Himarës, tashmë studente në degën Master në Universitetin e Elbasanit, e cilësojnë të urtë dhe pa ndonjë lidhje dashurie gjatë periudhës së studimeve në këtë universitet. Kaltra Pollozhani, studentja që ishte edhe më rëndë se të tjerat, tregon se Florija ishte një studente e mirë, e rregullt, e urtë dhe shumë e thjeshtë. Nuk e kishin parë të shoqërohej me ndonjë djalë para aksidentit. Ajo thotë se kjo ngjarje e ka tronditur mjaft, pasi ajo ishte në listën për t’u dërguar gjithashtu në Austri për kurim dhe vetëm pasi është përmirësuar disi, është anuluar transporti për mjekim më të specializuar. “Është një ngjarje shumë e tmerrshme ajo që i ka ndodhur Florijes. Më duket e pamendueshme që mund të ndodhë kjo në një spital. Mund të ishte kushdo nga ne. Është tragjike kjo që ka ndodhur”, shprehet Alma Deda. Të shokuara nga lajmi që kanë mësuar, studentet shprehen se Florijen nuk e kanë parë më në shkollë pas kthimit nga Austria. Florija nuk ka mundur ta përfundojë shkollën si të gjitha vajzat e tjera, për shkak të gjendjes së saj më të rëndë. “Ne nuk e pamë më të vijë në shkollë. Ajo u zgjua e fundit nga koma. Shoqja e saj e ngushtë ishte Juliana Tola, e cila ndërroi jetë në aksident. Ajo ishte studente e rregullt. Nuk ka pasur asnjëherë probleme. Nuk mund ta besojmë. Ajo iku për t’u mjekuar dhe mësojmë këtë lajm. Duket një skandal i vërtetë. Shpresojmë që drejtësia të bëjë punën e saj e të dënohen përgjegjësit. Kemi tentuar të komunikojmë në “Facebook”, por ajo herë shfaqej e qartë, e herë e turbullt. Ka ende pasojat e aksidentit, ndërkohë që i ndodh edhe kjo shtatzëni. Është e tmerrshme”, tregon më tej Alma Deda. Ndërkohë, lidhur me gjendjen e Florijes, ato thonë se ajo po e merrte veten ngadalë. Pasojat tek ajo ishin më të mëdha, pasi kishte pësuar një ndërhyrje në kokë. “Ne jemi mjaft të tronditura dhe jemi pranë Florijes në të gjithë këtë që ka ndodhur. Ky është një skandal dhe duhet të ketë përgjegjës”, shprehen 5 nga studentet që i mbijetuan aksidentit të 21 majit. Gjithashtu, kjo ngjarje ka shokuar edhe pjesën tjetër të studentëve dhe pedagogëve. E gjithë kjo ngjarje ka kthyer edhe një herë në mendje aksidentin dhe pasojat që sjell ai edhe sot. Lajm i pabesueshëm është quajtur nga pjesa më e madhe dhe nuk duhet të ndodhte një gjë e tillë, pasi kjo ia shkatërron jetën asaj vajze që ka kaluar traumën më të madhe të jetës së saj dhe tashmë do të duhet të kalojë një traumë të dytë.


B. Nergjoni