Përplasja 


Ndërmori ligj të posaçëm, u tërhoq pas telefonatës së shefit të NATO-s


BLEDAR HOTI


Konflikti mes Kryeministrit Sali Berisha dhe drejtorit të SHISH-it daton që në vitin 2005. Një luftë 7-vjeçare, për të cilin kreu i qeverisë, Berisha, personi që është mësuar sa herë është në pushtet të ketë nën kontroll çdo institucion, ia arriti vetëm pas caktimit në postin e Presidentit, deputetin e partisë që ai kryeson, Bujar Nishanin. Bahri Shaqiri u emërua në krye të SHISH-it në janar të 2005-s. Kryeministri i atëhershëm Fatos Nano i propozoi Presidentit Alfred Moisiut emrin e Shaqirit, një njeri që kishte punuar në institucionin e Shërbimit Sekret. Pas ardhjes në pushtet të demokratëve, Berisha dha sinjale bashkëjetese me kreun e SHISH-it, por shpejt ideja e kontrollit të këtij institucioni do ta zhbënte këtë bashkëjetesë. Fillimisht Kryeministri Berisha hodhi idenë e kalimit të SHISH-it në varësi të Ekzekutivit. Ky ishte sinjali i parë i luftës së Kryeministrit ndaj institucionit të Shërbimit Sekret shqiptar. Pas ikjes së Mosiut, e zgjedhjes së Bamir Topit si President, Berisha mendoi se mund ta kishte më të lehtë largimin e kreut të SHISH-it. Por Kryeministri harroi se kreu i SHISH-it do të kishte mbështetjen e fuqishme të ndërkombëtarëve, posaçërisht të SHBA-së. Deri në hyrjen e Shqipërisë në NATO, Berisha ishte njeriu që garantonte institucionet e pavarura. Pas këtij anëtarësimi, e vizitës së bujshme të Presidentit të SHBA-së, Xhorxh Bush, Kryeministri mori fuqinë për të realizuar ëndrrën e tij, atë të heqjes së kreut të SHISH-it. Kishte hartuar një projektligj, në të cilën kërkohej caktimi i mandatit të kreut të SHISH-it, e nëpërmjet dispozitave tranzitore parashikohej largimi i Shaqirit. Drafti ishte bërë edhe objekt i diskutimeve dhe me shefin e NATO-s, Rasmusen gjatë vizitës që ai kreu në mars të vitit 2010. Edhe ambasada amerikane u shpreh tepër e shqetësuar nga një vendim i tillë i mazhorancës. “Është me rëndësi jetike që Shërbimi Informativ i Shqipërisë të mbetet profesional, i pavarur dhe i lirë nga të gjitha ndërhyrjet politike. Jemi të shqetësuar që projektligji i minon këto parime. Ky projektligj i ngarkon përgjegjësi të reja brenda vendit Shërbimit Informativ të vendit, të cilat janë shqetësuese. Nxisim me forcë që ekspertë ligjorë ndërkombëtarë të lejohen të kryejnë një rishikim të gjithanshëm të projektligjit, përpara se Parlamenti të ndërmarrë ndonjë veprim të mëtejshëm. Është e domosdoshme që, çfarëdo projektligj i tillë, të përmbushë standardet ndërkombëtare, në përputhje me detyrimet euro-atlantike të Shqipërisë” deklaroi ambasadori amerikan, John Withers në 12 mars 2010. Por Kryeministri nuk u tërhoq pas këtyre apeleve dhe vendosi ta miratonte nismën në korrik të 2010-s në Kuvend, edhe pse kishte kundër deputetët e PD-së, si Leonard Demin dhe Gazmend Oketën, si dhe aleatin kryesor, LSI-në. Telefonata direkte e sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Rasmusen me Kryeministrin Sali Berisha, e bindi këtë të fundit të tërhiqet nga nisma e tij ligjore, që realizohej me shkarkimin e Shaqirit. Por pas ngjarjeve të 21 janarit 2011, Berisha nisi sërish sulmet ndaj institucioneve të pavarura. Ambasadori aktual amerikan, Alexander Arvizu duhet të ketë mbetur i zhgënjyer nga vendimi i fundit i Kryeministrit dhe i Presidentit, pasi kohë më parë, publikisht e kishte pëlqyer idenë e dhënies së mandatit të dytë të Shaqirit si shef i SHISH-it.


 


Ndërkombëtarët


NATO – Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s ndikoi direkt te Kryeministri Berisha, që të mos të votohej ligji i SHISH-it nga mazhoranca


Arvizu – Ambasadori Arvizu ka mbështetur Shaqirin, por vendimi i Berishës dhe i Nishanit duket se do të sjellë edhe reagim të ri nga SHBA-ja


Opozita – PS-ja mbajti një qëndrim zyrtar me anë të deputetit Bare, ku theksoi se pati të drejtë me kontestimin e Nishanit si President të vendit


7 vite – Beteja e Berishës për pushtimin e institucionit të SHISH-it është gati 7-vjeçare


2 nisma –  Berisha ndërmori dy nisma për të rrëzuar Shaqirin. Ato u refuzuan nga ndërkombëtarët