Ambasadorja gjermane: Këshillat tona u injoruan
Ambasadorja e Gjermanisë në Tiranë, Carola Muller Holtekemper deklaroi dje se kërkesat e ndërkombëtarëve për të mos ndërhyrë në kompozimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve u injoruan. Këtë Holtekemper e bëri të ditur në një intervistë në “Top Channel”, duke shprehur keqardhjen dhe duke uruar që KQZ të vijojë të punojë mbi baza apolitike. “Nuk pati mungesë komunikimi prej ambasadorëve europianë dhe vendeve mike me disa politikanë shqiptarë. Është për të ardhur keq që këto qëndrime se si zgjedhjet demokratike duhet të menaxhohen u injoruan. Me të vërtetë dua të shpreh shumë keqardhje. Ne po monitorojmë dhe do të nxjerrim konkluzionet tona. Nuk presim që vetëm KQZ-ja të punojë në baza profesionale dhe apolitike, por bazuar në kriteret e Kopenhagës”, theksoi ambasadorja gjermane, duke pasur të njëjtin urim dhe për administratën publike. Ambasadorja gjermane
ka lëshuar më pas një paralajmërim: “Çdo gjë në jetë ka pasoja. Do të vijojmë të kemi bashkëbisedime mes ambasadave tona me delegacionin e BE-së dhe zgjedhjet do të vëzhgohen nga disa qindra vëzhgues. Të gjitha observimet do të mblidhen dhe mozaiku zgjedhor do të plotësohet për të pasur një fotografi zgjedhore të plotë”.