Ndërkombëtarët


Pas diplomatit të Uashingtonit, dje ka reaguar edhe ambasadorja gjermane


Ard Kola


Pas Uashingtonit dhe Brukselit ka reaguar Berlini zyrtar në lidhje me grevën tashmë njëmujore të ish të burgosurve politikë në Shqipëri. Një tjetër zë i prezencës së ndërkombëtarëve në Shqipëri ka apeluar për gjetjen e një zgjidhje për ish të përndjekurit politikë, të ngujuar prej 27 ditësh në grevë urie. Ka qenë ambasadorja gjermane, Carola Müller-Holtkemper, e cila nga qyteti i Pogradecit, ndërsa ka folur për grevën e urisë, ka deklaruar se qeveria duhet të nisë negociatat me grevistët për të gjetur një zgjidhje. Duke vlerësuar vuajtjet e ish të burgosurve gjatë diktaturës komuniste, ajo është shprehur se dëmshpërblimi është më e pakta që mund të bëhet për të lehtësuar sadopak “vitet e humbura” nën regjimin e diktatorit Hoxha. Ambasadorja gjermane foli nga Pogradeci edhe për raportin e KE-së për statusin kandidat në BE, ku tha se Shqipëria duhet të përmbushë dhe disa kritere për të marrë statusin. Holtkemper ka shprehur domosdoshmërinë për dialog mes palëve dhe punë të përbashkët, në mënyrë që të përmbyllin reformat përpara mbledhjes së KiE në dhjetor.


Sa i përket ekonomisë dhe zhvillimit të saj në Shqipëri, ambasadorja gjermane vlerësoi se Shqipëria ka pasur ecuri pozitive të rritjes ekonomike, ndërsa ka shtuar se duhet të luftohet informaliteti dhe korrupsioni për të ruajtur rritjen ekonomike. Ambasadorja gjermane, e pyetur nga “Shqip” në lidhje me emërimin e Ristanit në postin e zëvendësministrit të Brendshëm dhe polarizimin politik në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, deklaroi se “jo vetëm ne, Gjermania, por edhe vendet e tjera, organizmat, por veçanërisht OSBE-ODIHR do të jetë mjaft i kujdesshëm në vëzhgimin e zgjedhjeve, rezultati i të cilave do të përcaktojë fatin e perspektivës europiane të Shqipërisë”.


Arvizu


Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Aleksandër Arvizu, deklaroi pak ditë më parë se qeveria duhet medoemos të negociojë me grevistët, pasi në radhë të parë është një çështje humane. Arvizu shkoi më tej në deklaratën e tij, duke theksuar se qeveria duhet të negociojë dhe me atë që nuk i pëlqen, ndryshe mund të largohet. Në një intervistë televizive, ambasadori i SHBA-së në Tiranë, deklaroi shprehimisht: “Të flas ndershmërisht, krahasuar me çështje të tjera, nuk e kam parë opozitën të angazhohet aq shumë sa mund të mendohej. Nuk është se i kanë përkeqësuar gjërat dukshëm me sa mund të shoh unë. Mendoj se në radhë të parë – mund ta kem gabim – ka të bëjë me situatën thuajse unike që paraqitet në çështjen e ish të persekutuarve. Mendoj që çdo shqiptar që e sheh, e kupton shumë më mirë se sa unë se ç’dua të them. Me pak fjalë, shumë prej personave ish të persekutuar kanë një antipati të fortë ndaj komunizmit; mendoj është e drejtë të thuhet se një përqindje e madhe e tyre janë mbështetës të PD-së. Ndjej se një arsye pse kjo çështje e posaçme ngacmon një përgjigje thuajse emocionale nga ana e disa njerëzve në qeveri, njerëzve pranë qeverisë, mbështetës të koalicionit qeverisës, termi që kam dëgjuar është: tradhti! Si mund ta bëjnë këtë? Ata thonë që ne, PD-ja, që në fillim edhe tani – kemi bërë më shumë se kushdo tjetër për ju. Kam parë njerëz në lot, thuajse duke u dridhur. Përsëris, nuk po gjykoj. Po bëj kujdes të mos e kaloj cakun, por po them që këtë e kuptoj. Nëse do isha në vendin tuaj, kushedi, ndoshta do ndihesha njësoj. Po them që në një shoqëri demokratike, një prej detyrimeve, një barrë është që duhet të qeverisësh, të marrësh vendimet e vështira, të bësh dialog, me dikë që mund të doje ta mbysje fare, por prapë e ke detyrim; je zgjedhur për këtë. Nëse vihesh kaq shumë në siklet, atëherë hiq dorë nga pozicioni që mban, atëherë ik, lëre ta bëjë dikush tjetër”.


 


Holtkemper – Duke vlerësuar vuajtjet e ish të burgosurve gjatë diktaturës komuniste, ajo është shprehur se dëmshpërblimi është më e pakta që mund të bëhet për të lehtësuar sadopak “vitet e humbura”


Arvizu – “Një prej detyrimeve, një barrë është që duhet të qeverisësh, të marrësh vendimet e vështira, të bësh dialog, me dikë që mund të doje ta mbysje fare, por prapë e ke detyrim; je zgjedhur për këtë. Nëse vihesh kaq shumë në siklet, atëherë hiq dorë nga pozicioni që mban, atëherë ik, lëre ta bëjë dikush tjetër”.


 


 


 


Qëndrimi


Ambasadori i OSBE-së: Demokracia kërkon negocim 


Wollfarth: Greva dhe protesta e ish të burgosurve është e ligjshme


“Demokracia kërkon dialog”. Një tjetër përfaqësues ndërkombëtar jep këtë mesazh, si zgjidhje për situatën e krijuar mes qeverisë dhe ish të përndjekurve në grevë urie prej 27 ditësh. Ambasadori i OSBE–së në Tiranë, Eugen Wollfarth, në të parin deklarim për këtë çështje, përforcon mesazhin që pak ditë më parë dha edhe ambasadori amerikan Aleksandër Arvizu, për fillimin e dialogut nga qeveria. Përmes një deklarate të shpërndarë për mediat, Wollfarth theksoi se nuk duhet të agravohet më tej situata përmes deklaratave të ashpra publike. “Demokracia kërkon dialog. Ashpërsimi i mëtejshëm i deklaratave politike publike vetëm sa


acaron një situatë tashmë të tensionuar. Prandaj, unë i nxis të gjitha palët, përfshirë shoqërinë civile, të angazhohen në një diskutim të sinqertë, me qëllim gjetjen e një rruge konstruktive


për të ecur përpara”, shkruan ambasadori. Duke komentuar grevën e urisë, por edhe protestën që u mbajt përpara Parlamentit, teksa zhvillohej seanca e radhës parlamentare, Wollfarth i konsideron themelore për Shqipërinë çështjet e ngritura nga ish të përndjekurit. “E drejta për të zhvilluar protesta paqësore është thelbësore në qeverisjen demokratike. Unë i përgëzoj të gjithë ata që u përfshinë në manifestimin e sotëm – si protestuesit, ashtu edhe punonjësit e policisë – për sigurimin e një atmosfere konstruktive. Çështjet e ngritura nga protesta e sotme, si dhe nga greva e urisë që po zhvillojnë disa ish të përndjekur politikë, janë themelore për Shqipërinë”, shkruan më tej ambasadori. Deklarata e kreut të prezencës së OSBE-së në Tiranë, përpos grevës, i referohej tubimit të mbajtur përpara Parlamentit, nga përfaqësues të ish të përndjekurve dhe qytetarë të Tiranës. Ata kërkuan gjithashtu fillimin e dialogut me kreun e qeverisë, të cilin e akuzuan për përqendrimin e të gjitha pushteteve dhe krijimin e klimës së terrorit për grevistët, duke marrë shkas edhe nga arrestimi gjatë dy netëve më parë të njërit prej tyre, Asllan Patrioti, që e cilësuan si politik. Ata thanë se duhet të dëgjohen mesazhet e ndërkombëtarëve, të nisë dialogu nga qeveria ose të largohet ajo. Ajo që ra në sy ishte përqendrimi i lartë i forcave policore, me gjithë pjesëmarrjen e paktë në numër të protestuesve. Uniformat blu ishin vendosur përgjatë gjithë rrethimit të Parlamentit dhe të shtuar në numër në hyrje të tij.