Vriten Gjinovefa Vava, 77 vjeçe dhe Elsa Vava 72 vjeçe. Hetohet grabitje dhe konfliktet e pronësisë


Shtëpia ku jetonin të moshuarat është një banesë e vjetër dykatëshe, me orendi të vjetra brenda saj


HETIMET


Pistat – Hetimet e policisë janë përqendruar në dy pista të mundshme, atë të një konflikti për pronën dhe pistën e grabitjes


Shoqërimet – Janë shoqëruar në polici si dëshmitarë, disa fqinj dhe të afërm të të moshuarave, për t’u pyetur për konfliktet e viktimave


Policia – Motivi i krimit është mister për shkak se nuk ka shenja që banesa të jetë grabitur. Hetuesit dyshojnë për konflikte pronësie


Vali Qyrfyçi



Një ngjarje e rëndë kriminale ka ndodhur gjatë orëve të para të së martës në qytetin e Durrësit. Dy gra të moshuara, Gjinovefa Vava, 77 vjeçe, dhe Elsa Vava, 72 vjeçe, janë lidhur dhe mbytur me qese plastmase në banesën e tyre. Viktimat, kunata me njëra-tjetrën, jetonin në katin e dytë të një shtëpie dykatëshe në lagjen 11 të qytetit. Ka qenë djali i Elsës që ka konstatuar krimin në mëngjes, ndërsa motra e paralizuar e Gjinovefës, Marjana Vava, e cila jetonte në katin e parë të shtëpisë ka deklaruar se nuk ka parë dhe dëgjuar gjë. Edhe fqinjët mohojnë të kenë dëgjuar zhurma nga shtëpia e Vavëve. Kjo për shkak të orës së vonë kur ka ndodhur ngjarja që tronditi opinionin publik, si dhe motit të keq që karakterizoi natën e kaluar në Durrës. Në vendngjarje përveç drejtuesve të Policisë dhe Prokurorisë së Durrësit kanë mbërritur dhe specialistë nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit. Hetimet po drejtohen nga Prokurori i Rrethit të Durrësit.


 


Ngjarja horror


Gjinovefa Vava 77 vjeçe

Gjinovefa Vava, 77 vjeçe


Elsa Vava 72 vjeçe

Elsa Vava 72 vjeçe


Në funksion të zbardhjes së krimit janë shoqëruar rreth 20 persona. Përveç të afërmve dhe fqinjëve të viktimave, në polici janë shoqëruar dhe persona me precedentë penalë për vjedhje dhe përdorim narkotikësh. Nga gjendja në të cilën u gjet shtëpia dyshohet se gratë kanë bërë rezistencë para se të lidheshin e mbyteshin. Nga këqyrja e trupave rezulton se vdekja është shkaktuar nga asfiksia. Shtëpia dykatëshe, ku banonin tre të moshuarat, ndodhet në një nga lagjet e vjetra të Durrësit. Ajo dhe prona të tjera kanë qenë objekt konfliktesh gjyqësore mes familjeve të viktimave dhe familjeve të tjera në lidhje gjaku dhe krushqie me to. Gratë e moshuara janë gjetur mëngjesin e djeshëm nga djali i njërës prej viktimave. Vasil Vava ka nxituar si çdo mëngjes të shkojë për të parë nënën dhe hallat e tij që jetonin në shtëpinë e vjetër, po pamja ka qenë e frikshme, si në ato skenat e dhunshme të realizimeve kinematografike. Gratë janë gjetur me këmbë dhe duar të lidhura, si dhe qese plastmase të shtrënguara pas qafës.


 


Pistat hetimore


Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur drejtues të lartë të Policisë së Durrësit, si dhe të prokurorisë. Ata kanë rindërtuar edhe një herë skenën e ngjarjes, të ndihmuar edhe nga ekspertë mjekoligjorë. Nisur edhe nga koha e vdekjes, burimet nga policia pohojnë se vrasja mund të jetë bërë pak pas mesnate, ndërsa autorët janë kujdesur që të mos bëjnë zhurmë.


“Autorët e vrasjes së dyfishtë dyshohet se kanë hyrë në banesë duke kapërcyer murin rrethues, ndërsa më pas kanë shkuar në katin e dytë të banesës. Pa bërë zhurmë, ata janë ngjitur dhe kanë shkuar në kat të dytë, ndërsa ende nuk dihet sesi kanë hyrë brenda. Një dyshim i policisë është se autorët mund të jenë të njohur të viktimave, pasi kanë shkuar në vendin që kanë qëndruar Gjinovefa dhe Elsa. Madje, janë futur brenda banesës pa thyer ndonjë dritare apo derë. Por, në brendësi të dhomave, shtëpia është gjetur e shkatërruar dhe gjithçka e përmbysur. Dyshimet e para ishin se autorët kanë kërkuar me ngulm sende me vlerë. Në pyetje janë marrë familjarët e viktimave, të cilët kanë treguar se në shtëpi nuk mungonte asnjë gjë. Kjo ka sjellë që hetimet të devijojnë, nga pista e grabitjes në atë të konflikteve të pronësisë.


Mësohet se në familjen Vava ka pasur shumë gjyqe pronësish. Madje, kushërinjtë akuzojnë njëri-tjetrin për uzurpime pronash. Ende nuk dihet se për çfarë prone bëhet fjalë, por hetuesit po verifikojnë nëse edhe shtëpia ku ndodhi vrasja mund të kishte konflikte të mëparshme. Në këtë banesë jetonin tre gra të moshuara, njëra prej të cilave kishte probleme shëndetësore. Fatmirësisht, gruaja nuk është dhunuar nga grabitësit. Ajo është motra e një prej të moshuarave që mbeti e vrarë, ndërsa mësohet se nuk është në gjendje për të folur në lidhje me çfarë ndodhi në banesë.


 


Deklaratat 


Gratë jetonin prej vitesh në banesën e vjetër dykatëshe, familjarët e tjerë disa shtëpi larg


Familjarët: Autorët shfrytëzuan kohën e keqe Fqinjët: Gratë kishin konflikte për shtëpinë


Fqinjët dhe të afërmit ndihen të shokuar nga ngjarja dhe fundi i dhimbshëm i dy grave durrsake. Nipi i Elsës shprehet i rezervuar për konfliktet farefisnore mbi pronësinë. “Kanë shfrytëzuar kohën e keqe. Një krim i paparë. Policia thotë se është grabitje. Jemi të gjithë të tronditur. Nuk mund të vihet dorë mbi dy të moshuara”, – shprehet një tjetër familjar i viktimave.


“Elsa ishte një llogaritare e zonja, nënë e dy fëmijëve të martuar. Gra zonja të dyja. Nuk e di ç’të them. Një gjëmë. Një tërmet i madh. Kanë qenë të dyja gra të mrekullueshme. Një nuse që rrinte me dy kunatat në shtëpi dhe shkonin shumë mirë. Kanë pasur sherr për shtëpinë. Po nuk besoj se ua kanë bërë nipërit këtë. Do të ishte e tmerrshme”, – thotë me ngashërim një tjetër fqinje dhe shoqe fëmijërie e njërës prej viktimave.


Ndërkohë, Kiço Simaku, krushku i 77-vjeçares Gjinofeva Vava, tregon se si i njihte të ndjerat. Zonjat i përkisnin dy prej familjeve më të njohura dhe të respektuara në qytetin bregdetar të Durrësit, thotë ai, ndërsa shton se asnjëherë nuk kanë pasur probleme.


Ato jetonin të vetme prej vitesh, por kishin mbështetjen financiare të fëmijëve që jetonin shumë pranë banesës së tyre. Madje kishin pajtuar edhe një punëtore për të moshuarën e cila ishte e paralizuar. “Këto janë tre gra të tria të moshuara. Njëra prej tyre është e shoqja e ish-arsimtarit të dalluar të Durrësit Jani Vava. Ka punuar si llogaritare në Uzinën mekanike, ka qenë një grua e nderuar. Tjetra, Gjinovefa është motra e Janit, e cila edhe ajo ka qenë punëtore. Kanë edhe një motër që e kanë të sëmurë dhe banon bashkë me to, të tria janë me pension. Gjithmonë kanë parë punën e tyre dhe nuk i kanë rënë kurrkujt në qafë. Kanë një vajzë dhe një djalë të martuar. Fëmijët jetonin më vete në një shtëpi më poshtë. Kanë pasur një grua që i ndihmonte për motrën që është sëmurë dhe që e paguanin. Është ajo proverba e vjetër që paratë dhe gjynahet nuk tregohen, kështu që nuk kam ditur të kenë para të tjera mënjanë përveç lekëve që i mbeteshin nga pensionet”, shprehet i afërmi i viktimave Kiço Simaku.


Ndërkohë, komshinj të të moshuarave janë shprehur të shokuar për krimin e rëndë. Ata bëjnë apel që autorët e masakrës të vihen para drejtësisë. “Të gjithë i njihnim për gra të nderuara në lagje, ato ishin në pension dhe ishin shumë të sjellshme”, thotë një fqinj i tyre. Sakaq, një tjetër shprehet se “jemi të shokuar nga kjo tragjedi e rëndë, pasi ato zonja nuk e meritonin kurrsesi një fat të tillë”. “Uroj që autorët e kësaj masakre të identifikohen dhe të vihen para drejtësisë dhe të marrin dënimin maksimal”, thotë një tjetër komshi i të moshuarave.


Të moshuarat jetonin shumë pranë të afërmve të tyre. Ishte djali i 72-vjeçares Elsa Vava ai që ka shkuar në banesë dhe ka parë të pajetë nënën e tij dhe nusen e vëllait të së moshuarës.


[callout]Policia e Durrësit: Janë shoqëruar 20 persona


Policia e Durrësit ka dhënë përmes një njoftimi zyrtar informacionet paraprake për vrasjen e të moshuarave. Deri dje pasdite janë shoqëruar rreth 20 persona, të cilët dyshohet të kenë dijeni mbi rrethanat e krimit, si komshinj, të afërm apo edhe persona me precedentë në fushën e vjedhjeve me dhunë dhe përdorimit të narkotikëve. “Veprimet hetimore po drejtohen nga Prokurori i Rrethit. Nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë Shtetit janë dërguar specialistë të hetimit të krimeve të rënda dhe veprimet po ndiqen nga strukturat e Drejtorisë së Policisë Qarkut në funksion të zbardhjes së ngjarjes dhe motiveve e rrethanave të saj”, njofton Policia e Durrësit.[/callout]