Përplasja. Apeli i Krimeve të Rënda: Prokuroria vonoi 10 ditë dërgimin e materialeve. Pikëpyetjet e “ngërçit” në organin e akuzës
Një nga “të fortët” e bandave të Tiranës, që lulëzuan deri në vitin 2005, është liruar nga burgu, me një vendim surprizë të Gjykatës së Apelit të Krimeve të Rënda. Domart Konjari kërkohej nga drejtësia franceze, ku ishte dënuar me 10 vite burg. Por, drejtësia e brishtë shqiptare, e cila me të drejtë kërkon reformë të thellë, ka marrë vendimin për të liruar të kërkuarin. Zyrtarisht, nuk dihet arsyeja e këtij vendimi, ndërsa çështja mund të kërkojë një hetim të plotë, qoftë nga Ministria e Drejtësisë, KLD-ja, Prokuroria apo nga çdo institucion tjetër. Apeli i Krimeve të Rënda e arsyetoi lirimin e Konjarit se organi i akuzës i vonoi letrat me 10 ditë, ndërsa akuza thotë se i ka dërguar në kohën e duhur. Por, me këtë drejtësi të pakonsoliduar, askush nuk mban përgjegjësi, pavarësisht se në çdo vend tjetër të zhvilluar, masat do të ishin ekstreme. Deri dje, asnjë institucion nuk lajmëroi se kanë filluar procedurat administrative për të gjetur “fajin”, i cili si gjithmonë është “jetim”.
Lirimi i Konjarit
Dje, Apeli i Krimeve të Rënda liroi nga burgu Domart Konjarin, i dënuar me 10 vite burg në Francë, si kreu i një rrjeti të trafikut ndërkombëtar të kokainës. 42-vjeçari ishte arrestuar në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës në nëntor të 2015 me pasaportë të falsifikuar. Në momentin e arrestimit, Konjari, i njohur ndryshe edhe si një nga pjesëtarët e ish-bandës së Rrugës Bardhyl në Tiranë, ka tentuar të korruptojë punonjësin e policisë, duke i ofruar 50 euro për mosndalimin e tij. Gjykata e Apelit i ndryshoi masën e sigurisë nga “arresti me burg” në “detyrim për paraqitjeje” edhe pse objekt gjykimi nuk ishte akuza për të cilën 42-vjeçarit Konjari i është caktuar masa e sigurisë nga Gjykata e Korçës. Arsyetimi ishte kalimi i afateve procedurale, edhe pse prokuroria kërkoi caktimin e një mase tjetër sigurie për Konjarin, për veprën penale të “korrupsionit”. Sipas prokurorisë, këtë akuzë Konjari e ka konsumuar gjatë kohës së qëndrimit të tij në burgun e Drenovës, duke tentuar të korruptojë një prokuror dhe një gjyqtar të Korçës. Për këtë vepër, Gjykata e Apelit për Krime të Rënda, jo vetëm që nuk i caktoi masë sigurie, siç kërkoi prokuroria, por i prishi edhe vendimin e Gjykatës së Korçës për akuzën e “falsifikimit dhe përdorimit të pasaportës”. Nga ana tjetër, autoritetet e drejtësisë franceze, pas arrestimit të Konjarit në nëntor të vitit të kaluar, kanë sjellë në Shqipëri një material voluminoz me një sërë akuzash në ngarkim të 42-vjeçarit. Drejtësia franceze e ka dënuar me 10 vjet burg Konjarin si drejtues i rrjetit kriminal të trafikut të kokainës së bashku me 19 persona, mes tyre shqiptarë, italianë, francezë, holandezë e spanjollë. Në dosje thuhet se Konjari krahas dënimit, dyshohet edhe për një sërë ngjarjesh të tjera kriminale në Francë, Spanjë, Itali dhe Holandë, që kanë të bëjnë me trafikun në sasi të mëdha të kokainës. Ai dyshohet se përveçse siguronte mallin, rekrutonte shoferë në moshë të vjetër me cilësinë e korrierit, si dhe siguronte makinat të cilat i modifikonte më pas për kryerjen e transportit të kokainës. Sipas mediave franceze, Domart Konjari dyshohet se bënte pjesë në krye të grupit të shqiptarëve në rrjetin e trafikut të kokainës, i përfshirë në rastin e sekuestrimit në ishujt Kanaries, një anije me vela që vinte nga Venezuela e që brenda saj kishte 3.5 tonë kokainë.
Bandat në Tiranë
Disa individë, pas viteve ’90 në Tiranë, krijuan të ashtuquajturat bandat e disa zonave. Mes tyre filloi një luftë e egër për zotërim territori, ndërsa filluan të vrisnin njëri-tjetrin. Mësohet se Domart Konjari ka qenë i përfshirë në bandën që njihet si e Rrugës Bardhyl. Mësohet se në zonën e “Trenit të vjetër” dhe të “Restorant Durrësit” drejtonte Naim Zyberi dhe miqtë e tij, Franc Konomi e Fatos Keta. Ata kishin në zotërim tërë lagjen e tyre dhe bënin një grupim shumë të madh në kryeqytet. Duke ndjekur Unazën, vinte lagjja e Gazmend Muçës, në Rrugën Bardhyl. Në këtë zonë, Gaz Muça ishte njeriu më i njohur dhe bënte ligjin sipas mënyrës së tij. Duke qenë se ai dhe Naim Zyberi ishin “të fortë” lagjesh, kishin njohje me njëri-tjetrin por edhe konflikte. Franc Konomi, miku i ngushtë i Konjarit, do të mbahej më tepër si një nga ata që morën pjesë në atentatin që iu bë më 7 prill 1992 te Xhamlliku, Gaz Muçës, edhe pse në atë ngjarje u tha se morën pjesë 4 vetë, edhe vetë Naim Zyberi. Por, edhe ndaj tij u mor hak, më 6 gusht 1997, pasi u vra në një spital në Milano të Italisë. Pak ditë para vrasjes, ndaj tij ishte bërë një atentat në të cilin mbeti i plagosur. Zyberi në atë kohë u cilësua si autori i vrasjes së Gaz Muçës dhe Artur Grorit. Më 31 korrik 1998, vritet edhe vëllai i Gaz Muçës, Taulanti. Por vrasja e Fatjon Naxhakut më 3 gusht 2005 në afërsi të “Shkollës së Kuqe”, duket se është dhe pika e ndezjes së fortë të gjakrave mes Franc Konomit dhe kundërshtarëve të tij. Naxhaku, që kishte mundur të arratisej në mënyrë spektakolare nga burgu i Marsejës në Francë, ishte nisur për të ekzekutuar Domart Konjarin, mikun e ngushtë të Franc Konomit, por nga përballja me të mbetet vetë i vrarë. I fundit që u ekzekutua nga të dy grupet ishte Franc Konomi. Më 8 korrik 2010, 10 plumba u lëshuan drejt makinës ku ndodhej ai, pranë “Ushtarit të panjohur”, duke e lënë të vdekur në vend. s.ç