Pranga Gjergji Cukalit dhe 6 të tjerëve. Si organizohej rrjeti dhe CV-ja e shefit 37-vjeçar
Fshehja – Nga pamjet e operacionit shihet që droga paketohej në një apartament në Tiranë dhe fshihej në kavanoza apo në arush pelushi.
“Llogaritarja” – Një femër shënonte në fletore të gjitha shitjet, sipas ditëve. Xhiroja mujore nga fitimet arrinte deri në 50 mijë euro
Mariglen Mullai
Nuk qëndroi dot larg telasheve më tepër se një vit “i forti i Myslym Shyrit”, 37-vjeçari Gjergji Cukali, pasi Antidroga e Tiranës e arrestoi atë si kapon e një rrjeti që shpërndante kokainë në kryeqytet. Hera e fundit që Cukali “i hapi punë” policisë ishte 13 maji i vitit të kaluar, kur u kap me një shotgun, ndërsa ngjarja thelbësore në CV-në e tij kriminale është pengmarrja 100 mijë euroshe e 2004-s. Gjithsesi, kësaj radhe duket se nuk do ta kalojë lehtë akuzën e “prodhimit dhe shitjes së narkotikëve, e kryer në bashkëpunim”, pasi specialistët e Antidrogës vërtetuan gjithçka. Kokaina, e siguruar nga bosi, pra Cukali, paketohej në një apartament në Tiranë dhe fshihej në kavanoza apo në arush pelushi, ndërsa një femër shënonte në fletore të gjitha shitjet. Xhiroja mujore arrinte deri në 50 mijë euro. U sekuestruan 282.1 gramë kokainë.
Kokaina “tangent”
Lajmin për shkatërrimin e këtij rrjeti kriminal, preferoi ta jepte vetë kryepolici i Tiranës, Ervin Hodaj, i cili gjatë një deklarate për shtyp tha se në pranga, në kohë të ndryshme, janë vënë 16 anëtarë të një grupi kriminal. Të arrestuarit e operacionit të koduar “Tangent” janë shtetas nga disa qytete të Shqipërisë, por edhe nga Kosova. Ndër ta ka edhe të dënuar më herët për vepra të rënda penale. Në kuadër të këtij operacioni, janë proceduar penalisht: Gjergji Cukali, 37 vjeç, nga Tirana, i dënuar më parë për pengmarrje dhe armëmbajtje pa leje; Artur Tarja, 36 vjeç, nga Tirana, i dënuar më parë për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor dhe Muharrem Kallushi, 32 vjeç, nga Tirana. Të arrestuarit e tjerë janë Vjollca Gjoka, 46 vjeçe, nga Tirana; Gentian Balliu, 30 vjeç, lindur në Kurbin e banues në Tiranë; Armand Gjoka, 50 vjeç, nga Tirana dhe Krisald Kundraxhi, 29 vjeç, nga Tirana, i dënuar më parë për veprën penale të prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike. Në kohë të ndryshme, më herët janë arrestuar edhe 9 shtetas, të identifikuar me inicialet J. K., 26 vjeç, nga Tirana; A. M., 37 vjeç, nga Prishtina; J. B., 33 vjeçe, nga Prishtina; H. T., 45 vjeç, nga Kavaja; A. T., 27 vjeç, nga Kavaja; J. H., 26 vjeç, nga Durrësi; A. S., 26 vjeç, nga Korça; G. Ç., 25 vjeç, nga Korça dhe M. J., 33 vjeç, nga Tirana. Sipas Hodajt, ky grup shpërndante lëndë narkotike kokainë në zona të ndryshme të Tiranës si “Myslym Shyri”, ish-Blloku, sheshi “Willson”, në rrugën “Ali Demi”, në zonën e Porcelanit dhe në Rrugën e Elbasanit. Drejtori i Policisë së Tiranës shtoi se ata siguronin lëndën narkotike përmes Gjergji Cukalit dhe më pas e shpërndanin, sipas porosive të marra nga klientët. Policia sekuestroi 282.1 gramë lëndë e dyshuar narkotike kokainë, 25 telefona celularë, 5 automjete të markave të ndryshme dhe 15 çelësa automjetesh, të cilat dyshohen se janë mjete të lëna si garanci për dhënien e shumave të ndryshme të parave. Po hetohen edhe pasuritë e vëna nga aktiviteti kriminal i anëtarëve të grupit. Për Cukalin është ngritur edhe akuza e “falsifikimit të dokumenteve”, pasi iu gjetën dhe iu sekuestruan një kartë identifikimi, patentë dhe pasaportë biometrike të falsifikuara.
CV-ja e Cukalit
Në fund të gushtit 2012, Cukali është kapur pranë lulishtes “1 Maji”, përballë ish-ekspozitës “Shqipëria Sot”, me një pistoletë tip “Glock” me 17 fishekë, që e mbante në një çantë të vogël. Rreth orës 16:00 të 5 majit 2012, Shpend Kadiu, 43 vjeç, punonjës sigurie, në një kompani private, ka bërë kallëzim se në rrugën “Mihal Grameno”, pranë Shkollës së Baletit, është dhunuar fizikisht dhe është kërcënuar me armë për jetën nga dy persona të panjohur, për një vend parkimi të parapaguar. Policia, asokohe, tha se nga deklarimet e marra është arritur të identifikohen autorët e ngjarjes, Gjergji Pjerin Cukali, 33 vjeç, lindur dhe banues në rrugën “Myslym Shyri”, i dënuar më parë për vepra të ndryshme penale dhe Kataldo Françesko Lezhja, 20 vjeç. Gjergj Cukali ka qenë një prej personazheve të njohura të botës kriminale të kryeqytetit, pasi bashkë me miqtë e tij, Florian Metalla, Ledio Lito, Ilir Kodumi, Eduart Skuka dhe Durim Gurzi, morën peng Fatjon Demirlikën dhe kërkuan 100 mijë euro për lirimin e tij. Por plani i tyre dështoi, pasi u arrestuan në kohë nga Policia e Tiranës. Në korrik të vitit 2004, në rrugën “Myslym Shyri” në Tiranë, pranë një karburanti, merret peng Fatjon Demirlika. Rrëmbyesit i kërkuan familjes së Demirlikës një shumë prej 100 mijë eurosh në këmbim të lirimit të të afërmit të tyre. Vendi i dorëzimit të parave ishte lënë në varrezat e Tufinës. Familjarët e Demirlikës njoftuan policinë, e cila vendosi të dërgojë një agjent të sajin për të dorëzuar gjobën e vendosur nga pengmarrësit. Në momentin e dorëzimit të shumës prej 100 mijë eurosh, policia arrestoi Ledio Litën, i cili më pas tregoi vendin ku mbahej pengu Demirlika.