Dosja. Prokuroria dërgon në gjykatë katër të pandehur, për vrasjen e Enton Nikës. Dëshmia e Ismet Gaxherrit: Nuk u kisha asnjë lek borxh autorëve, kërkuan vetëm Entonin


Sokol Çobo


enton-nikaj

Enton Nikaj


Prokuroria e Tiranës përfundon hetimet dhe dërgon për gjykim katër persona, të akuzuar për vrasjen e ndodhur në Linzë më 11 nëntor 2015. Duke ndërtuar dinamikën e ngjarjes, akuza deklaron se Enton Nikaj ka mbetur i vrarë nga plumbat që kanë dalë nga pistoleta që mbante në dorë Emiljano Tasho. Në këtë ngjarje u plagos dhe Ismet Gaxherri.


Dosja e prokurorisë


Sipas hetuesve, më 11 nëntor të vitit të kaluar, rreth orës 14:10 në vendin e quajtur Linzë, në lokalin “MURAGA” në pronësi të Ismet Gaxherrit janë konfliktuar në ambientet e parkingut të makinave Ervis Martinaj, Bujar Hasani, Mirsad Kuçana dhe Emiljano Tasho me Enton Nikaj e Ismet Gaxherri, ku si pasojë e këtij konflikti të armatosur është vrarë Enton Nikaj dhe është plagosur me mjete të forta në kokë Ismet Gaxheri. Nga dinamika e hetimeve ka rezultuar se autorët, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, pasi kanë debatuar me viktimën Enton Nikaj dhe të dëmtuarin Ismet Gaxherri janë konfliktuar fizikisht dhe më pas kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të tij ku si pasojë ka gjetur vdekjen Nikaj. Pasi kanë realizuar krimin autorët janë larguar me automjetin tip “Mercedes benz” me targa AA 725 MD, i cili figuron i regjistruar në pronësi të Emiljano Ninës. Gjithashtu në lidhje me këtë ngjarje janë marrë vendimet e ekspertimit biologjike, balistike dhe mjekoligjore.


Pamjet filmike


Nga këqyrja e këtyre pamjeve filmike të përftuara nga DVR konstatohet se në kamerën me nr. 11, e cila monitoron zonën veriore të parkimit të lokalit vihet re në mënyrë kronologjike e shpjeguar me anë të fotove. Nga pamjet duket lëvizja e Enton Nikës dhe pas tij Ismet Gaxherrit. Gjithashtu, vihet re se automjeti me targa AA725MD ndalon dhe drejtuesi i automjetit që është i pandehuri Ervis Martinaj, i cili hap derën dhe zbret nga automjeti dhe vihet re se bisedon me Enton Nikën dhe Ismet Gaxherrin. Pas tij dalin edhe personat e tjerë që ishin brenda në automjet. Në këtë moment Martinaj drejton Nikaj duke e çuar në afërsi të murit të shkallëve të lokalit. Në këtë moment personat e tjerë afrohen duke i rrethuar. Në vijim, Ervis Martinaj i vë dorën në qafë Enton Nikës, ndërsa i pandehuri Mirsad Kuçana i drejton dorën Ismet Gaxherrit, i cili ka një telefon celular në dorë që e fut më pas në xhep. Mirsad Kuçana godet me grusht në fytyrë Enton Nikën. Ismet Gaxherri tenton të ndajë shtetasin Enton Nika, por Emiljano Tasho dhe Bujar Hasani nxjerrin dhe mbajnë në duart e djathta objekte të ngjashme me armë zjarri pistolete. Konflikti vijon midis këtyre personave ku Emiljano Tasho godet me qytën e pistoletës Ismet Gaxherrin. Gjithashtu vihet re se Ervis Martinaj, Mirsad Kuçana dhe Bujar Hasani po godasin shtetasin Enton Nika me grushte e shkelma.

Nga pamjet filmike të kamerave të sigurisë dallohet qartë që i pandehuri Bujar Hasani mban një pistoletë në dorë me të cilën godet shtetasin Enton Nika. Emiljano Tasho dhe Bujar Hasani po mbajnë armët në duar ndërsa Ervis Martinaj po godet me grushte Nikën. Të pandehurit shtyjnë drejt murit Enton Nikën, i cili del nga objektivi i kamerës. Pas tij shkon Emiljano Tasho, ndërsa Bujar Hasani qëndron pa lëvizur. Bujar Hasani tkurr supet dhe ul paksa kokën. Pas këtij momenti, ata largohen në drejtim të automjetit.


Dëshmia e Gaxherrit


Ismet Gaxherri ka deklaruar se ditën e ngjarjes ai nuk ka komunikuar fare me të pandehurin Ervis Martinaj. Madje, me këtë shtetas ai kishte afro 1 vit e gjysmë që nuk ka pasur kontakte telefonike, pasi i ka pasur një shumë parash borxh, të cilat ia ka shlyer dhe që atëherë nuk ka pasur asnjë lloj kontakti me këtë shtetas.

Gaxherri ka shpjeguar se me të pandehurin Ervis Martinaj nuk ka pasur lidhje të ngushta shoqërore, por para disa kohësh ai i ka marrë borxh një shumë parash borxh, pasi ka hapur një lokal në Linzë. Këtë shumë parash ia ka shlyer pas dy vitesh dhe aktualisht nuk ka asnjë borxh këtij shtetasi. Lidhur me faktin se në momentin e konfliktit çfarë i ka thënë shtetasi Ervis Martinaj atij dhe viktimës Enton Nika, si dhe cili ka qenë shkaku i këtij konflikti ai ka deklaruar se në momentin kur ai me Entonin janë afruar te parkimi kanë dalë nga makina dhe janë drejtuar për nga lokali ku kanë hasur Ervisin me tre personat e tjerë dhe i foli “Viso ç’kemi” dhe ai u është drejtuar se “nuk kam punë me ty dhe ka thirrur Entonin, duke i thënë “o çuni hajde një sekondë” dhe i ka hedhur dorën në qafë, duke i thënë “A më njeh mua, unë jam Ervis Martini” dhe Entoni i ka thënë “qofsh me shëndet, unë jam Enton Nika” dhe më pas Ervisi i ka sharë nga familja Entonin dhe më pas Mirsad Kuçana e ka goditur me grusht Enton ku dhe më pas e vranë. Ai shpjegon se në konflikt ka parë që Mirsadi qëlloi me grusht dhe personi që është arrestuar për ngjarjen që quhet Emiljano Tasho ka pasur pistoletë, ndërsa personi tjetër me xhup jeshil ka nxjerrë nga çanta një pistoletë me ngjyrë të zezë dhe ia ka dhënë në dorë Mirsadit dhe vetë ky person kishte në dorë një pistoletë. Shkaku që ka ndodhur ky konflikt ai nuk e di.