Ish-polici


Violeta Kolthi ngre dyshime për ngjarjen në Komisariatin Nr.3


“Im shoq nuk kishte motiv vetëvrasjeje. Dyshoj se policia e dhunoi dhe manipuloi vdekjen e tij”


“Do të kërkoj të vërtetën e vdekjes së bashkëshortit. Për mua gjithçka është e mbuluar me mister”


Pretendimet


Dhuna – “Shkova në vendin e ngjarjes, te lulishtja ku policia gjeti tim shoq. Ata e kanë rrahur Nushin. Ai i ka sharë, sepse ka qenë i dehur dhe si pasojë e kësaj, policia ka përdorur dhunë mbi të”


Mjekoligjorët – “Ekspertiza thotë se vdekja i ka ardhur pas varjes. Nuk na linin fare te morgu. Kur e tërhoqëm trupin, e pamë që kishte në fyt shenjën e rripit, por gjithsesi ajo simptomë është e manipuluar”


Vendngjarja – “Hekurat ku pretendohet se im shoq ka varur veten, siç tregohet edhe në foto, nuk janë aq lart që të realizohet një veprim i tillë, pasi burri im ishte i gjatë dhe këmbët i mbërrinin në tokë”


Kamerat – “Një tjetër dyshim lind nga kamerat që ndodhen në atë dhomë. Në atë moment, kur mendohet se burri im ka vrarë veten, ato kanë qenë të fikura. Pse pikërisht në ato momente kanë qenë të fikura?”


Silvana Muça



Violeta Kolthi, bashkëshortja e ish-gardianit, i cili u gjet i vetëvarur më 11 prill të këtij viti brenda Komisariatit Nr.3, akuzon Policinë e Tiranës për vrasjen e të shoqit. Ajo thotë se ngjarja po manipulohet dhe gjithçka është e mistershme për atë fatkeqësi të saj. E veja kërkon të vërtetën, duke thënë se ajo që thuhet prej policisë, nuk është e besueshme. Pretendon se Ndue Kolthi nuk ka pasur arsye të vetëvritej, pasi gjithçka shkonte mirë dhe se ai kurrë nuk kishte shfaqur shenja depresioni. “Policia ka ushtruar dhunë mbi tim shoq, i cili ka qenë në gjendje të dehur. Rrahjet e tepërta dhe gjendja në të cilën ndodhej im shoq, i kanë shkaktuar vdekjen. Ai nuk u ka rezistuar goditjeve në trup, pasi ka qenë i dobët fizikisht. Policisë u ka mbetur në dorë dhe për pasojë inskenuan versionin e vetëvarjes. Ka shumë gjëra që më bëjnë të dyshoj”, është shprehur e veja gjatë bisedës. Ndërkaq, sipas policisë, Ndue Kolthi u gjet i varur me rripin e pantallonave, në një prej dhomave të shoqërimit të Komisariatit Nr.3. Pas ngjarjes, Prokuroria e Tiranës, Avokati i Popullit dhe Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm, kanë nisur hetimet për rrethanat në të cilën 50-vjeçari gjeti vdekjen, por deri më sot nuk ka asnjë konkluzion zyrtar. Dyshimet e saj Violeta i ka rrëfyer në një intervistë për “Shqip”, në të cilën tregon se ka punësuar edhe një avokat për të zbardhur të vërtetën për humbjen e jetës së të shoqit.


A mund të na flisni për momentet e fundit të Ndue Kolthit?


Rreth orës gjashtë të pasdites erdhi në shtëpi dhe më kërkoi disa lekë. Unë nuk i dhashë se nuk kisha. Ai doli jashtë dhe më tha që do të kthehej shumë shpejt. Kishte zbritur te lokali i lagjes dhe kishte marrë 20 mijë lekë të vjetra borxh. I kishte thënë se në qoftë se nuk ia kthente dot, t’ia bënte hallall borxhin. Fqinji nuk ia kishte mbajtur, por ia kishte dhënë. Ka ndenjur pak aty dhe është larguar te një lokal në zonën e Laprakës. Prej disa kohësh shkonte atje për të takuar miqtë e tij. Kishte rreth tre muaj që pinte, jo shpesh, por pinte. Aman në ato rastet e dehjes së tij, e tejkalonte, bëhej furtunë. Kështu duhet të ketë ndodhur edhe atë natë. Prita që të kthehej, por nuk erdhi. E lashë derën hapur me shpresën se do të vinte.


Nuk u shqetësuat për vonesën e tij?


Normal që po, sidomos kur më mori në telefon në mesnatë. Në atë kohë unë isha në gjumë dhe zilja e telefonit më zgjoi. I fola, por nuk më ktheu përgjigje. Dëgjova vetëm një pasthirrmë. E thërrisja vazhdimisht përtej telefonit, por nuk fliste. E mora sërish dhe ndodhte e njëjta gjë gjatë gjithë kohës. Pas përpjekjeve të shumta në telefon, si për dreq, atë natë më zuri gjumi.


Kush ua dha lajmin për vdekjen?


U zgjova dhe kërkova kafen e mëngjesit nga fqinji që ka lokalin poshtë shtëpisë. Ai erdhi dhe më tha që të hapja televizorin se më kishte vdekur burri. Në ato momente dola si e çmendur dhe vura kujën nëpër lagje. Dolën gratë e pallatit dhe nisën të qanin me mua.


Çfarë bëtë më pas?


U lidha në telefon me vëllezërit dhe motrat e Nushit, që i ka disa prej nëne dhe disa prej babe. Ata erdhën me shpejtësi në shtëpi dhe shkuam në morg, sepse atje e kishin dërguar trupin. Atje nuk arritëm që të hynim brenda, sepse nuk na lejonin. Arsyeja e kësaj ishte shumë e dyshimtë. Kërkoja të dija të vërtetën. Pastaj e tërhoqëm trupin dhe e varrosëm në vendin e lindjes së tij, Kurbin. Kur u ktheva, nisa kërkimet për atë që ka ndodhur atë natë.


Çfarë doni të thoni?


Shkova në vendin e ngjarjes, te lulishtja ku policia gjeti tim shoq. Ata e kanë rrahur Nushin. Ai i ka sharë, sepse ka qenë i dehur dhe si pasojë e kësaj, policia ka përdorur dhunë mbi trupin e tij. Me vete ka pasur një pistoletë lodër, çakmak. Në momentin që policia ka tentuar t’ia marrë, ai nuk i ka lejuar. Pavarësisht kësaj, ata ia kanë marrë dhe pa ndjenja e kanë futur në furgon. Pas kësaj, forcat e policisë e kanë çuar në spital për ta mjekuar dhe pastaj e kanë dërguar sërish në rajon, pa më telefonuar. Kështu thuhet, se unë nuk e di a ka qenë vërtet në spital atë natë. Telefoni i tij ka pasur plot numra. Mjaftonte që policia të bënte një telefonatë dhe ishte zgjidhur gjithçka. Pse e kanë çuar në rajon? Për një pistoletë lodër? Të gjithë e kanë njohur atë se im shoq ka punuar në rajonin nr.3. Ata nuk e kishin çuar në birucë, por në dhomën ku rrinë të miturit. Në orën 04:30 të mëngjesit është “vetëvarur” pa asnjë lloj motivi.


Ç’doni të thoni pa asnjë lloj motivi?


Dua të them se nuk e besoj versionin e policisë dhe kam dyshimet e mia në lidhje me vetëvrasjen e tim shoqi. Dyshimi im është te goditjet e mëdha që ka marrë prej policisë. Ai nuk ka qenë i fortë fizikisht dhe ma ha mendja që ai ka vdekur aty, që në lulishte. Ka qenë në gjendje shumë të rënduar.


Nga e nxirrni këtë konkluzion?


Këtë ma thonë dëshmitarët që e kanë parë ngjarjen, por nuk deklarojnë në prokurori se çfarë kanë parë, sepse ishin shumë të frikësuar. U kam kërkuar që të dëshmojnë, por më thanë në asnjë mënyrë, duke më lënë të vetme në këtë çështje. Di të them që Nushi ka vdekur nga pija dhe rrahja e policëve. Im shoq nuk është varur, sepse nuk është një tip që kalonte në depresion. Kam 22 vjet që e njoh dhe nuk më ka dhënë ndonjë shenjë depresioni që do e çonte në vetëvrasje.


Çfarë thotë ekspertiza mjekoligjore?


Ekspertiza thotë se vdekja i ka ardhur pas varjes. Nuk na linin fare te morgu. Kur e tërhoqëm trupin, e pamë që kishte në fyt shenjën e rripit, por gjithsesi ajo simptomë është e manipuluar.


Pse mendoni se ka manipulim të provave?


Po ta varësh një të vdekur, shenja do t’i mbetet në fyt. Nushi sytë i kishte të mbyllur, sikur flinte gjumë. Një njëri që varet, sytë dhe goja i mbeten të hapura, ndërsa gjuha del jashtë. Këto simptoma nuk ishin te Nushi. Jam 100% e sigurt që ngjarja është manipuluar nga policia.


Po keni prova të tjera?


Vëllai i burrit tim e ka ndjekur këtë çështje më shumë. Ai ka shkuar në vendin e ngjarjes, pra brenda Komisariatit Nr.3 dhe ka parë të gjithë skenën. Aty të lind një tjetër dyshim për vetëvarjen. Hekurat ku pretendohet se ai ka varur veten, po ashtu siç tregohet edhe në foto, nuk janë aq lart, që të realizohet një veprim i tillë, pasi burri im ishte i gjatë dhe këmbët i mbërrinin në tokë. Kjo të sjell dyshimet se “vetëvarja” e tij mund të jetë sajuar nga policia. Një tjetër dyshim ka të bëjë me kamerat që ndodhen në atë dhomë. Në atë moment, kur mendohet se burri im ka vrarë veten, ato kanë qenë të fikura. Pse pikërisht në ato momente kanë qenë të fikura? Pse të gjithë heshtin për vdekjen e burrit tim? Nuk do ta besoj kurrë se ai ka vrarë veten.


Si do të veproni për të vërtetuar dyshimet tuaja?


Do të kërkoj të vërtetën e vdekjes së tim shoqi deri në fund. Nuk ishte burri im vetëvrasës. Për mua gjithçka është e mbuluar me mister. Dëshmitarët më thonë se e kanë rrahur. Nuk mund ta duroj dot këtë situatë. Kam mbetur fillikat e vetme në këtë jetë. Të dy jemi rritur të Shtëpia e Fëmijës dhe vetëm njëri-tjetrin kishim. Bashkë kemi kaluar një jetë të mrekullueshme. Për një jetë të tërë ka punuar si gardian burgu, por e hoqën dhe nuk e rikthyen më. Te puna që kishte tani, ndihej shumë mirë. Nuk e di se nga më erdhi e gjithë kjo fatkeqësi. Dua të ngre zërin dhe të gjej të vërtetën. Për këtë arsye kam punësuar edhe një avokat, me qëllim që të zbardhet e vërteta. Vëllai i burrit tim, bashkë me avokatin, po kërkojnë çdo informacion të mundshëm për të zbardhur të vërtetën.


 


 


Policia


“Kolthi vari veten në gjendje të dehur” 


Ish-polici Ndue Kolthi, i cili punonte si rojë i objekteve private dhe ishte anëtarësuar tek Aleanca Kuqezi, sipas policisë, i dha fund jetës mëngjesin e 11 prillit, duke u vetëvarur në dhomat e pritjes së Komisariatit Nr.3 në Tiranë. Policia deklaroi se 50-vjeçari Ndue Kolthi ishte gjetur i gjakosur dhe pa ndjenja në rrugë dhe pas mjekimit në spital, patrulla e kishte shoqëruar në ambientet e policisë, pasi me vete kishte një pistoletë lodër. Por, duke përfituar nga mungesa e njerëzve, aty ka lidhur rripin në një hekur dhe ka varur veten. Ngjarja e rëndë në ambientet e komisariatit ka ngritur menjëherë në këmbë Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm dhe Avokatin e Popullit, që kanë nisur hetimet për të verifikuar nëse policia ka ndjekur procedurën standarde për këtë rast. Nga ana tjetër, edhe prokuroria po heton shkaqet që kanë çuar 50-vjeçarin drejt vetëvrasjes, ku paraprakisht është ngritur dyshimi se ky veprim është kryer në gjendje të dehur.