Një ngjarje e paprecedentë ka ndodhur gjatë natës në qytetin e Durrësit, ku i është vendosur zjarri një objekti kulti.
Bëhet fjalë për Kishën Katolike “Shën Domoniku”, që gjendet në zonën e Kënetës, të cilës i është vënë zjarri nga persona të paidentifikuar.
Nga zjarri janë djegur dyert e jashtme dhe disa objekte në hyrje të kishës.
Famulltari i Famullisë së Shën Domenikut, Bernard Caurana, e konsideron këtë një akt barbar dhe të qëllimshëm, pa mundur të ngrejë dyshime mbi persona konkretë: “Na vjen keq për këtë akt. Gjithsesi, na ngushëllon fakti që po ecim përpara dhe nuk është diçka që na pengon në ecjen tonë shpirtërore”.
Nga mbetjet në vendngjarje, rezulton se autorët kanë përdorur mjete rrethanore, si goma e letra për të ndezur zjarrin që dëmtoi derën kryesore të kishës.
Ka qenë ndërhyrja e menjëhershme e forcave zjarrfikëse që ka parandaluar përhapjen e flakëve dhe dëme më të mëdha. Ato janë njoftuar menjëherë sapo janë vënë re flakët gjatë natës.
Policia ndërkohë po punon për identifikimin dhe kapjen e autorëve të këtij akti.
6 qershor 2018 (gazeta-Shqip.com)