Evenimenti


Aktiviteti i këtij viti, një manifestim gjigant dëshmish dhe force


Këtë vit, aktiviteti tashmë i kthyer në traditë, “Java e kulturës dhe historisë së Çamërisë” do të zhvillohet me një formë më të kompletuar dhe me një zë më të fortë. Këtë e ka bërë të ditur kryetari i Partisë Drejtësi, Unitet dhe Integrim, Shpëtim Idrizi, i cili ka theksuar dje, se “kjo është java ku të gjithë duhet të bashkohemi për të drejtat e një popullsie, e cila u diskriminua, u masakrua dhe u dëbua, vetëm pse ishin shqiptarë”. Kështu, në ditën e sotme nis një lumë aktivitetesh, që kësaj here do të kenë një përmasë më të madhe për të risjellë historinë e dhimbshme të gjenocidit të shtetit grek ndaj shqiptarëve autoktonë të krahinës martire të Çamërisë. Zoti Idrizi deklaroi dje, se “për herë të parë çështja çame dhe kultura e Çamërisë do të dalin nga sallat e mbyllura të konsumit të brendshëm, për t’u bashkuar me çdo shqiptar”. Gjatë aktiviteteve që do të zhvillohen nga 25 deri më 30 qershor, nuk do të ketë fjalë të ftohta dhe retorikë politike. Por në radhë të parë, dëshmi të forta dhe të gjalla të atyre shqiptarëve që kanë vuajtur gjenocidin e tmerrshëm. Kreu i PDIU-së deklaroi se “në qendër të vëmendjes do të jenë dëshmitë e atyre që në moshë fare të vogël kanë parë masakrimin e të afërmve dhe janë detyruar, në mes të dimrit, të përshkojnë qindra kilometra nën armët e armiqve të tyre”. Por në aktivitetet e organizuara nga Shoqata “Çamëria”, PDIU-ja dhe Klubi i Patriotëve të Rinj, do të ketë ekspozita dhe punime shkencore për bukuritë dhe pasurinë historike të një pjese të pandarë të Shqipërisë, që iu shkëput me dhunë para 100 vjetëve, por që banorët e saj kanë ruajtur edhe me çmimin më të madh si jeta e tyre dhe e familjarëve, gjuhën dhe traditat shqiptare. Ndaj dhe kreu i PDIU-së e konsideroi aktivitetin e këtij viti, si një rast për të bashkuar të gjithë shqiptarët, të cilët mbrojtjen e të drejtat e çdo bashkëpatrioti dhe çdo centimetri tokë tonën duhet ta kenë lajtmotiv permanent, siç ndodh me të gjitha kombet në Europë.


“Java e kulturës dhe historisë së Çamërisë” do të ketë edhe një mision për politikën, ku në Kuvendin e Shqipërisë çështja çame do të prezantohet botërisht, ku të gjithë deputetët do të njihen me historinë dhe tragjedinë e kësaj pjese të popullit shqiptar. Kryetari i PDIU-së, Shpëtim Idrizi, deklaroi se kulmi dhe lajtmotivi i kësaj jave do të jetë dita e shtunë, “aty ku ne shlyejmë një borxh ndaj martirëve të kombit tonë, që humbën jetën nga gjenocidi grek. Në Kllogjer të Sarandës, ku më shumë se 3000 shqiptarë të Çamërisë humbën jetën e nuk u lejuan të kishin as një gur mbi varr, do të kenë një varrezë monumentale për t’i nderuar, për të kujtuar atë çka ndodhi e për të marrë forcë për betejën tonë legjitime”. Idrizi shtoi më tej se “nevoja për të mos harruar është sot qëllimi i çdo shqiptari patriot. Në Kllogjer do të nisim një epokë të re, ku e shkuara do të gdhendet e pashueshme dhe e ardhmja do të marrë një hov të ri”. Ndërkaq, një tjetër projekt madhështor do të gjejë zbatim në Ninat të Sarandës, ku do të nderohen figura të shquara të kombit si Hasan Tahsini dhe Bilal Xhaferri me një kompleks muzeor për shqiptarët e Çamërisë. Por si çdo vit do të kryhet riti tashmë i famshëm i marshimit drejt Qafë-Botës, ku sipas kreut të PDIU-së, “tregojmë forcën e kombit tonë dhe vendosmërinë që shumë shpejt ne do të kthehemi në trojet tona”. Dhe kjo është e rëndësishme, pasi Çamëria, çështja çame dhe kultura e kësaj treve, i përkasin të gjithë shqiptarëve, pavarësisht prejardhjes së tyre krahinore, apo bindjeve të tyre politike.


 


Aktivitetet


– Dëshmi të masakrave nga personat që kanë mbijetuar personalisht nga gjenocidi grek


– Nis ndërtimi i varrezës monumentale në Kllogjer, ku humbën jetën mbi 3000 shqiptarë të Çamërisë


– Java shpalos kulturën e traditën e kësaj treve, pjesë e kulturës sonë kombëtare


– Seancë e posaçme në Kuvend, ku deputetët do të njihen me historinë dhe tragjedinë e Çamërisë


– Nis ndërtimi i kompleksit muzeor të Hasan Tahsinit dhe Bilal Xhaferrit në Ninat


– Marshimi tradicional drejt Qafë-Botës për të jetësuar kalvarin