Kreu i PDIU feston shpalljen nga Parlamenti të rezolutës për çështjen çame


PDIUPartia Drejtësi, Integrim dhe Unitet, së bashku me shoqatën “Çamëria”, zhvilluan dje një ceremoni festive për të kremtuar dhe miratimin e rezolutës çame nga ana e Parlamentit shqiptar. Në ceremoninë ku merrnin pjesë mbështetës të shumtë të kësaj kauze, kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi, theksoi se i vetmi kompromis që kjo parti ka bërë me rezolutën ka qenë ai me tekstin e këtij dokumenti të hartuar në vitin 2004 nga ana e shoqatës “Çamëria”. “Po, ne bëmë një kompromis, pranuam një kompromis, por unë kam qenë shumë i lumtur që ne bëmë kompromis me rezolutën e shoqatës ‘Çamëria’ të vitit 2004. Dhe ky ishte një kompromis, i cili ne më të rinjve, që kemi marrë stafetën nga ju, na bënte nder. E pra ky është i vetmi kompromis që ne kemi bërë. Kemi bërë kompromis me Çamërinë, kemi bërë kompromis me shoqatën ‘Çamëria’, ashtu siç jemi gati të bëjmë kompromis me të gjithë shqiptarët kudo që janë për të drejtat e tyre”, deklaroi Idrizi në fjalën e tij. Nga ana tjetër, kreu i PDIU-së theksoi se në zgjedhjet e 23 qershorit, kjo parti do të arrijë të marrë pesë deputetë. “Rezoluta nuk ka qenë qëllimi ynë, rezoluta është mjeti për të realizuar qëllimet tona. Është një mjet i domosdoshëm dhe unë besoj se ne do të dalim nga këto zgjedhje me 5 deputetë, që në radhë të parë do të jenë 5 deputetë patriotë”, theksoi Idrizi. Ai falënderoi të gjithë mbështetësit ndër vite të çështjes çame dhe theksoi se PDIU-ja, ashtu siç kishte arritur t’i impononte politikës shqiptare këtë rezolutë, do të ishte e aftë ta çonte dhe më tej këtë çështje. Fjalën e hapjes së kësaj feste e mbajti ish-kryetari i shoqatës “Çamëria”, Servet Mehmeti, i cili falënderoi të gjithë ata persona që nuk kanë kursyer në asnjë moment mbështetjen për çështjen çame. Në këtë takim festiv përshëndetën dhe deputeti Dashamir Tahiri, Presidenti i Nderit i PDIU-së, Tahir Muhedini, kryetari i shoqatës “Çamëria”, Ardian Tana, dhe kryetarja e Forumit të Gruas së PDIU-së, Vjollca Braho.