“Të hapim një debat publik mbi idetë”
Kryetari i Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Shpëtim Idrizi, prezantoi dje 140 kandidatët për deputetë të kësaj force politike dhe bashkë me ta dhe të ashtuquajturën “Kartën e Vlerave” të PDIU-së. Në fjalën e tij, Idrizi theksoi se ky dokument ishte një manifest i vlerave me të cilën PDIU do të garojë në zgjedhjet e 23 qershorit. “Akti që ne po marrim këtë iniciativë për të hapur një debat të gjerë mbi vlerat, tolerancën, mirëkuptimin e bashkëpunimin mes gjithë forcave politike shqiptare, tregon se lidershipi shqiptar ka dështuar në misionin e tij. Qëllimi është t’i shpallim këto ide e parime si Kartën e Vlerave të PDIU-së, por edhe të hapim një debat publik mbi këto ide e vlera të paraqitura më poshtë, për mënyrën sesi duhet të jetë, sesi duhet ndjerë dhe duhet kuptuar e ndërtuar “qendra e moderuar politike shqiptare”, e cila ka domosdoshmërisht lipsje të madhe për t’u ngjizur e përtërirë”, theksoi Idrizi. Në këtë aktivitet u prezantua edhe kryekoordinatori i fushatës zgjedhore të PDIU-së për zgjedhjet e 23 qershorit, Arjan Galdini, i cili falënderoi për këtë besim dhe u shpreh se ai bashkohej me këtë vizion, këtë ekip politik, sfidës në çdo qytet dhe fshat.