Kreu i partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Shpëtim Idrizi ka deklaruar sot nga Fieri se rezoluta për çështjen çame do të prezantohet në Kuvend brenda pak ditësh, duke vendosur në provë edhe angazhimin që kanë shprehur të gjitha partitë politike për këtë çështje.
“Shumë shpejt ne do të kemi provën e zjarrit për të gjitha partitë politike. Është çështje ditësh tashmë që të prezantohet në Kuvend, Rezoluta për Çështjen Çame, një dokument që do të vendosi përpara provës të gjithë deputetët shqiptarë. Unë jam i sigurt se nuk do të ketë ‘rrjedhje’ siç kishte në vitin 2004, ndonëse shumë prej 53 deputetëve që u larguan nga seanca, janë sot sërish në sallën e parlamentit”,– u shpreh ai.
Idrizi i bëri këto deklarata pas procesit të zgjedhjes së kryetarit të degës së PDIU-së në Fier, ku pas votimit sipas parimit një anëtar një votë u shpall fitues Nustret Avdullai. Procesi zgjedhor do të vijojë edhe në ditët në vijim në qytete të tjera. Të pranishëm në këtë aktivitet ishin edhe deputeti Dashamir Tahiri, zëvendësministrat Ardian Tana dhe Abaz Hado, ish kryetari i shoqatës Çamëria, Servet Mehmeti, etj.
3 dhjetor 2012 (gazeta-Shqip.com)