PDIU


Fatjona Mejdini


“Ne do të kthehemi në vatrat tona në Çamëri, në vatrat kombëtare të shqiptarëve, që shtrihen nga Preveza në Mollën e Kuqe”


Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet pritet të paraqesë në Kuvend për miratim, rezolutën për zgjidhjen e çështjes çame brenda një jave. Këtë e konfirmoi dje kryetari i PDIU-së, Shpëtim Idrizi, i cili nga Fieri e konsideroi këtë çështje si “provën e zjarrit” për Parlamentin shqiptar. Idrizi, teksa mbajti fjalën e rastit në një mbledhje të PDIU-së për zgjedhjet e brendshme në parti, deklaroi se shpresonte se nuk do të kishte “rrjedhje” votash në provën e radhës për këtë çështje. “Shumë shpejt ne do të kemi provën e zjarrit për të gjitha partitë politike. Është çështje ditësh tashmë që të prezantohet në Kuvend, rezoluta për çështjen çame, një dokument që do të vendosi përpara provës të gjithë deputetët shqiptarë. Unë jam i sigurt se nuk do të ketë ‘rrjedhje’ siç kishte në vitin 2004, ndonëse shumë prej 53 deputetëve që u larguan nga seanca, janë sot sërish në sallën e Parlamentit”, u shpreh Idrizi përpara simpatizantëve të PDIU-së në Fier. Më parë, kreu i PDIU-së ka deklaruar se ai priste që kundër kësaj rezolute të votonte vetëm kryetari i Partisë së Bashkimit për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule, pasi pjesa tjetër e Parlamentit të Shqipërisë duhet të ishte e ndërgjegjësuar për një nismë të tillë. Por edhe negociatat e PDIU-së me partitë e tjera duket se nuk kanë munguar kësaj radhe dhe “terreni” për miratimin e kësaj rezolute në Parlament duket se është bërë gati. Idrizi, në mënyrë të herëpashershme ka theksuar se votimi në Parlamentin shqiptar i rezolutës çame do të jetë një tregues i rëndësishëm për sa u përket edhe aleancave të ardhshme që do të bëjë kjo parti në kuadër të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2013. Nisur nga përgatitja për zgjedhjet e ardhshme, dje nga Fieri, Idrizi theksoi se organizimi i mirë i brendshëm i partisë do të ishte një kusht më shumë në kuadër të forcimit të kauzës politike të kësaj force politike. “Është e rëndësishme që përfaqësimi ynë të jetë sa më i madh, ne duhet që të kemi prezencën tonë. PDIU-ja ishte forca e parë parlamentare që theksoi domosdoshmërinë e mbrojtjes së çështjes kombëtare, të bashkimit kombëtar, si një detyrim kushtetues, të zgjidhjes së çështjes çame, si një plagë e kombit tonë. Sot, me kënaqësi dëgjoj nga shumica dërrmuese e politikës shqiptare që flet për kombin dhe atdheun. Kjo i duhet kombit dhe ne e mirëpresim, nuk na bën xheloz. Çështja çame dhe çështja kombëtare do të gjejnë zgjidhjen. Ne do të kthehemi në vatrat tona në Çamëri, në vatrat kombëtare të shqiptarëve, që shtrihen nga Preveza në Mollën e Kuqe”, theksoi Idrizi. Në procesin zgjedhor për kryetarin e PDIU-së, dega Fier, morën pjesë dy kandidatë. Pas votimit sipas parimit një anëtar, një votë, fitues u shpall Nustret Avdullai. Procesi zgjedhor do të vijojë edhe në ditët në vijim në qytete të tjera, për të përfunduar këtë proces përpara procesit të ardhshëm zgjedhor.


Rezoluta – Prej muajsh lidershipi i PDIU-së ka bërë negociata me partitë parlamentare për të arritur një mbështetje sa më të madhe për këtë rezolutë


PBDNJ – I vetmi që pritet të votojë kundër kësaj rezolute është deputeti i PBDNJ-së, Vangjel Dule, i cili ka pasur shpesh debate në Kuvend me deputetët e PDIU-së


Emërimi – Dje është emëruar Halil Hyseni, përfaqësues i PDIU-së si drejtor i Autoritetit të Aviacionit Civil, që aktualisht e ka pasur PD-ja


 


Replikat


Deklaratat e Kryeministrit shkaktojnë debate të ashpra


OMONIA dhe “Çamëria” përplasen për “Prevezën”


“Deklarata e fundit e OMONIA-s, që e cilëson antihistorik faktin historik që Preveza është pjesë e trojeve etnike shqiptare, është për konsum të brendshëm të financuesve misteriozë të kësaj organizate”


Shoqata “Çamëria” akuzoi dje organizatën e minoritetit grek në vend, OMONIA, se po luan interesat e grupeve ekstremiste greke si “Agimi i Artë” dhe po përpiqet të shkatërrojë miqësinë mes dy vendeve fqinje. Këtë deklaratë, shoqata e bëri në kuadër të reagimit të organizatës së minoritetit grek, sipas së cilës, Preveza nuk ka qenë asnjëherë pjesë e Shqipërisë. Në mënyrë të qartë, shoqata “Çamëria” ka theksuar se Preveza jo vetëm se ka qenë tokë shqiptare, po vijon të jetë e tillë dhe është aneksuar vetëm si pasojë e padrejtësive që fuqitë e mëdha europiane bënë në vitin 1913. “Deklarata e fundit e OMONIA-s, që e cilëson antihistorik faktin historik që Preveza është pjesë e trojeve etnike shqiptare, është për konsum të brendshëm të financuesve misterioz të kësaj organizate që nuk ka të bëjë më me Shqipërinë. Preveza dhe e gjithë Çamëria kanë qenë, janë dhe do të jenë tokë shqiptare. Këto treva sot gëlojnë brenda shtetit grek, si pasojë e padrejtësisë historike kundër kombit shqiptar nisur në Konferencën e Londrës. Shoqata ‘Çamëria’ e thekson me forcë se urat e bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Greqisë janë pa dyshim rivendosja e drejtësisë për shqiptarët e Çamërisë dhe respektimi i minoritetit grek”, theksohet në deklaratë, duke e quajtur


OMONIA-n të “bollanizuar”, dhe se tashmë është bërë një levë presioni e “Agimit të Artë” në Shqipëri.


 


 


 


Athina


Avramopulos: Berisha e mori mesazhin nga BE


Ministri i Jashtëm grek, Dimitris Avramopulos, e ka konsideruar sërish dje si të papranueshme deklaratën e Berishës për kufijtë fillestarë të Shqipërisë. Kreu i diplomacisë greke i është


rikthyer deklaratës së Kryeministrit Berisha më 27 nëntor në Vlorë, duke ritheksuar edhe një herë qëndrimin e tij lidhur me këtë çështje. Ai ka theksuar se të tilla deklarata nuk bëjnë gjë tjetër veçse dëmtojnë marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë mes vendeve të rajonit, duke e kthyer atë më keq se në të shkuarën.


“Deklaratat ishin të papranueshme. Kam vendosur të anuloj vizitën time, pasi kërkova një riformulim të deklaratës, e cila përfundimisht erdhi, por ishte tepër vonë”, ka theksuar ai.


Ministri i Jashtëm grek theksoi se Greqia synon që të ketë marrëdhënie të mira me fqinjët, gjë të cilës, sipas tij, nuk i kontribuon aspak deklarata e Berishës. “Tirana e mori këtë mesazh me zë të lartë dhe të qartë. Dhe është shumë e rëndësishme që edhe Komisioni Europian lëshoi një paralajmërim të ashpër ndaj Shqipërisë”, deklaroi ai.


 


Rezoluta


PE: Pesë shtetet e BE-së të njohin Kosovën


Draft/rezoluta e diskutuar në Komisionin e Jashtëm të Parlamentit Europian inkurajon 5 shtetet anëtare të BE-së që nuk kanë njohur ende Kosovën ta ndërmarrin këtë hap, ndërsa mirëpret konkluzionet e Komisionit Europian që studimi i fizibilitetit për MSA-në të mund të përfundojë, pavarësisht se vendet anëtare kanë një këndvështrim të ndryshëm ndaj statusit të Kosovës. Në tekst theksohet se ndarja e Kosovës nuk është një opsion, ndërsa mirëpritet mbështetja e dhënë nga KE-ja për integritetin territorial të Kosovës. Draft/rezoluta bën thirrje për implementimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura deri më tani në dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit, në veçanti atë për menaxhimin e integruar të kufirit.