Fatmir Mediu, letër zyrtare kryekomisioneres Lleshi. KQZ: Akoma s’kemi vendosur
Ikja e LSI-së nga koalicioni qeveritar rindez shpresat e republikanëve për përfaqësimin me anëtar në komisionet zgjedhore të niveleve të dyta dhe të treta. Prej së premtes mësohet se kreu i PR-së, Fatmir Mediu, ka depozituar një letër në KQZ ku kërkon marrjen e komisionerit, pasi LSI-ja tashmë nuk është një parti e shumicës parlamentare. Ky ka qenë argumenti kryesor i Mediut që kërkon ndërhyrjen e KQZ-së për marrjen e një vendimi për të ndryshuar kompozimin e KZAZ-ve dhe KQV-ve. Ikja e LSI-së drejt koalicionit opozitar bën që mazhoranca të humbë dominimin në komisionet nivelet e dyta dhe të treta. Në gjysmën e komisioneve, raporti shkon në 5 me 2, në favor të opozitës dhe në gjysmën tjetër të komisioneve shkon në 4 me 3 po në favor të saj. KQZ-ja mori vendim ku përcaktoi se të drejtën e caktimit të anëtarëve në KZAZ dhe KQZ ta kenë PD, LSI si pjesë të mazhorancës dhe PS dhe PBDNJ si pjesë të opozitës. Burime pranë KQZ-së bënë të ditur se ende nuk ka ndonjë nismë për shqyrtimin e kërkesës së paraqitur nga kreu i PR-së, Fatmir Mediu, duke mos marrë një vendim përfundimtar. Afati i fundit i shqyrtimit të kësaj është 23 prilli, pasi në këtë datë do të shqyrtohen koalicionet politike. Por ndryshimi i raporteve ka ndodhur dhe në KQZ, ku tashmë katër anëtarët janë më pranë opozitës, ndërsa tre të tjerët janë më pranë mazhorancës. Kjo e bën të pamundur mundësinë e votimit në KQZ pasi mund të rrëzohej një kërkesë e PR-së. Por çështja e ndryshimit të komisionerëve nga LSI-ja me atë të PR-së mund të përfundojë në Kolegjin Zgjedhor, në rast të mosmarrjes së 5 votave nga ana e 7 anëtarëve të KQZ-së. Kolegji mund të vendosë për mënyrën e raportit të komisioneve mes shumicës dhe opozitës parlamentare. Demokratët duket se nuk do të lejojnë një raport të tillë në komisione. Vetë Kryeministri Sali Berisha ka kërkuar zbatimin e frymës së ligjit zgjedhor, ku parashikohet balancimi i institucioneve. Vetë juristët e PD-së kanë dhënë opsionin e dërgimit të çështjes në Kolegj në rast se KQZ-ja nuk merr një vendim. Ndërsa juristët e PS-së shprehen kundër një skeme të tillë, të paktën për ndryshimin e përbërjes së KQZ-së. Kjo pasi Kodi Zgjedhor nuk e parashikon një rast të tillë. Çështja e komisionerëve pritet të jetë prova e radhës së KQZ-së, por që mund të rindezë debatet politike.