Vendimi i qeverisë
Inspektorati Kombëtar për Mbrojtjen e Territorit ashtu siç dhe ishte paralajmëruar prej kohësh, kalon zyrtarisht në varësi të Ministrisë së Brendshme, duke u shkëputur nga varësia e Ministrisë së Transporteve. Vendimi është marrë në mbledhjen e djeshme të Këshillit të Ministrave, i cili vendosi gjithashtu ndryshimin e organizimit dhe funksionimit të IKMT-së. Sipas vendimit të qeverisë, Inspektorati Kombëtar për Mbrojtjen e Territorit organizohet në dy nivele, qendror dhe rajonal. Ndërsa, ky inspektorat do të ketë degët e tij në Tiranë, Durrës, Korçë, Vlorë, Sarandë, Lushnjë, Kukës dhe Shkodër, të cilat do të ushtrojnë veprimtarinë e tyre në territorin rajonal përkatës dhe janë përgjegjëse për inspektimin në atë rajon. IKMT-ja drejtohet nga kryeinspektori, emërimi dhe lirimi i të cilit bëhet nga Kryeministri.