Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive ka reaguar pas denoncimeve të Partisë Socialiste për pasurinë e familjes kryeministrore. ILDKP-ja ka sqaruar nëpërmjet një deklarate për mediat se është duke zhvilluar kontrollin e plotë mbi deklaratat e kryeministrit të Shqipërisë, të ministrave dhe disa zyrtarëve të tjerë të lartë, si edhe ndaj “personave të lidhur” me ta.
Kontrolli ka nisur në Tetor të këtij viti dhe sipas ILDKPS-së deri më tani nuk ka rezultuar asnjë problem. “Aktualisht, ILDKP po zhvillon procedurën e kontrollit të plotë për vetëdeklarimin e pasurisë për vitin 2010 dhe 2011 të subjektit me funksion kryeministër.
ILDKP, krahas hetimit administrativ që kryen në bazë të ligjit, fton të gjithë qytetarët që kanë informacione mbi pasuritë e zyrtarë të kabinetit qeveritar, të ofrojnë të dhëna konkrete që do të ndihmojnë në zhvillimin e një hetimi më të plotë mbi pasuritë dhe burimin e krijimit të tyre”, thuhet në njoftimin e ILDKP-së.
Partia Socialiste prej disa ditësh po denoncon publikisht atë që e ka cilësuar pasurinë e “bllokut të ri blu”. Deputeti socialist Taulant Balla ka bërë transparencën e pasurisë së dy fëmijëve të kryeministrit Sali Berisha.
19 dhjetor 2012 (gazeta-Shqip.com)