Replikat


Reagon Ministria e Mbrojtjes: Mbikëqyrja parlamentare nuk është kontroll punëtor


Seanca – Në fillim të javës tjetër, ministri i Mbrojtjes, Arben Imami do të jetë në një seancë të posaçme në Komisionin e Sigurisë, ku do të raportojë për disa shqetësime të ngritura së fundmi nga opozita.


Gjoni – “Imami më parë bën mirë të pyesë ish-drejtuesin e SHIU-t apo bashkëshorten e tij, se cili është partneri serb në një prej kompanive ku ajo zotëron aksione që tregton municione e armatime shqiptare”


Ministria – “Ministri i Mbrojtjes, z. Arben Imami, mirëpret korrigjimin që deputeti Ilir Gjoni i bëri kryetarit të tij, duke u tërhequr nga akuzat për trafik armësh në atë për tregti armësh”


Refuzimi i Ministrisë së Mbrojtjes për të mos pranuar mbikëqyrjen parlamentare ka rindezur dje debatet mes deputetëve të Partisë Socialiste dhe ministrit Arben Imami. Në një konferencë për shtyp nga selia e PS-së, nënkryetari i Komisionit të Sigurisë, Ilir Gjoni, akuzoi dje Ministrinë e Mbrojtjes se kundër çdo lloj ligji në vend po pengon inspektimin e deputetëve në këtë institucion që ju përket të gjithë shqiptarëve. Sipas Gjonit, me këtë sjellje kjo ministri po rrezikon dhe imazhin e Shqipërisë si një vend anëtar i NATO-s. “Është për të ardhur keq dhe njëkohësisht është alarmante që Ministria jonë e Mbrojtjes, e cila përfaqëson vendin tonë në organizatën e NATO-s, e cila, në themel e parim bazë të saj ka transparencën, kontrollin civil mbi Forcat e Armatosura dhe respektimin e ligjit, të jetë institucioni më i mbyllur, më abuziv e më i korruptuar që cenon rëndë jo vetëm imazhin e vendit dhe dëmton ndjeshëm integrimin dhe arritjen e standardeve të NATO-s të Forcave tona të Armatosura, por dhe të vetë NATO-n si të tërë”, theksoi Gjoni. Ai i kujtoi Imamit se PS-ja kishte prova të qarta në implikimin e bizneseve serbe me municionet shqiptare. “Ministri Imami, para se të dalë me deklarata publike bën mirë të pyesë ish-drejtuesin e SHIU-t apo bashkëshorten e tij se cili është partneri serb në një prej kompanive ku ajo zotëron aksione që tregton municione e armatime shqiptare”, deklaroi Gjoni. Deputeti i PS-së theksoi gjithashtu se PS dispononte të dhëna dhe për përgjime të paligjshme që bëheshin nga ana e Shërbimit Informativ Ushtarak. “Indiciet e qarta të dhëna nga disa burime, siç janë media, vetë punonjësit e institucioneve të sigurisë, deklaratat e herëpashershme të zyrtarëve të lartë siç ishte rasti i Berishës më 21 janar, kur deklaroi se i vetmi burim i informacionit kishte qenë SHIU, na forcojnë bindjen se elementë të caktuar të kësaj ministrie kanë dalë jashtë kornizave ligjore e kushtetuese, duke u përfshirë në tregti korruptive armësh e municionesh, madje ndoshta deri në përdorimin e strukturave të specializuara të kësaj ministrie për kryerjen e aktiviteteve të rënda antikushtetuesve, siç mund të jenë dhe përgjimet e paautorizuara”, deklaroi Gjoni. Pas kësaj deklarate të tij, ishte i menjëhershëm reagimi i Ministrisë i Mbrojtjes. Në njoftimin për shtyp theksohet se PS, më në fund është tërhequr nga akuzat për trafik armësh nisur nga fakti se nuk kishte prova. “Ministri i Mbrojtjes, z. Arben Imami, mirëpret korrigjimin që deputeti Ilir Gjoni i bëri kryetarit të tij, duke u tërhequr nga akuzat për trafik armësh në atë për tregti armësh, nëse kjo e fundit mund të konsiderohet akuzë”, theksohet në njoftimin për shtyp. Në njoftim përdoren dhe nota ironike në çështjen e përgjimeve. “Ndihemi të detyruar të sqarojmë për të disatën herë se mbikëqyrja parlamentare nuk përputhet me ‘kontrollet punëtore’ që rëndom organizoheshin njëherë e një kohë. I kujtojmë zotit Gjoni në veçanti se ‘Revolucioni i Madh Kinez’ ka mbaruar”, theksohet në njoftimin për shtyp.


F.Mejdini