Presidenti Ilir Meta ka deklaruar se nuk ka asnjë ndryshim në qëndrimet e tij, pavarësisht se ka miratuar ndryshimet në Kodin Penal, nismë e ndërmarrë nga qeveria Rama.


Presidenti tha se ka të njëjtin qëndrim që kishte me 2 mars.


“Nuk ka qëndrim të dyfishtë. Më thoni ku është qëndrimi ndryshe? Ku është çedimi?  Flitet sikur është bërë ndonjë marrëveshje e jashtëzakonshme”, iu përgjigj presidenti zërave të fundit lidhur për një ribashkëpunim me mazhorancën e PS dhe kryeministrin Edi Rama.


I pyetur nga akademiku Artan Fuga se pse presidenca nuk bëri një konsultim publik, apo të thërriste edhe opozitën, Meta tha se logjika qëndron, por jemi në emergjencë.


“Unë e mirëkuptoj profesor Fugën. Logjika juaj është shumë parimore. Sikure sposton pak momentin, kohën kur jemi. Jemi në emergjencë, në krizë ku gjërat bëheshin edhe pa një bazë ligjore. Një nga arsyet pse e thirra KSK për herë të dytë ishte edhe ndryshimet e Kodit Penal. I ftuar ka qenë edhe kreu i opozitës, zoti Basha. Para konferencës e kam thirrur zotin Basha. Kam lexuar mendimet e Avokatit të Popullit, të KSHH-së. Ka qenë e vështirë për të bërë konsultime si në kohë normale.


Opozita do e kishte të vështirë të thotë që këto formulime nuk qëndrojnë. Ata do ngrejnë problemin e procedurës. Kështu që jemi në një situatë ku i gjithë bashkëpunim u bë për interesin publik”, tha presidenti Meta