Gjyqtari Neritan Tabaku zbardh pas 20 muajsh vendimin që i dha pafajësinë vrasësit të kryekomisarit Adem Tahiraj. Në gjykatë, vrasësi, krahas gjyqtarëve, u mbrojt edhe nga policët


Vendimi i   “vrasjes”


Sokol Çobo


Ilir Xhakja, një nga personat më të rrezikshëm në Shqipëri pas viteve ’90, ku u arrestua dhe lirua disa herë për vepra të rënda penale, ka fituar pafajësinë në vitin 2011 me ndihmën e punonjësve të Policisë së Shtetit. Dy inspektorë krimesh kanë dëshmuar në gjykatë në favor të këtij personi, megjithëse provat balistike kanë nxjerrë gjurmë gishtash në armë dhe fishekë. Ata kanë pohuar se i akuzuari për vrasjen e Qerim Malokut ishte në Gjermani ditën e krimit, megjithëse akuza kishte prova se vrasja ishte bërë pikërisht nga 38-vjeçari. Gjyqtari Neritan Tabaku ka zbardhur pas 20 muajsh vendimin e pafajësisë, e cila i hapi rrugën vrasjes së 13 shtatorit në fshatin Katund Sukth në Durrës, ku mbeti i vrarë shefi i Komisariatit të Shijakut, Adem Tahiraj.



Vendimi i gjykates mbi te pandehurin Ilir Xhakja (PDF)



Vrasja 


Më datë 26.07.1998, rreth orës 23:00, në vendin e quajtur Katund Sukth, është vrarë me armë zjarri shtetasi Qerim Maloku banor i fshatit Sukth. Para se të vritej, viktima Qerim Maloku kishte dalë nga banesa e tij, kishte shkuar te lokali i nipit të tij e kishte pirë diçka aty dhe më pas ishte nisur për te një bilardo që ndodhej pranë banesës tij. Gjatë rrugës për te bilardo viktima është goditur me breshëri automatiku nga persona të paidentifikuar. Me dëgjimin e krismave, menjëherë ishin afruar nipi i tij, Agron Maloku, dhe persona të tjerë e më


pas kishte shkuar dhe djali i tij, Ylli Maloku. Pas disa kohësh janë sekuestruar disa armë në një bunker dhe nga ekspertimi ka rezultuar se disa gjurmë i përkisnin pikërisht Ilir Xhakes. “Akti Nr.644 datë 19.03.2002 ‘ekspertim daktiloskopik’ bërë nga ekspertët Ardian Shehu e Orest Afezolli, ka nxjerrë konkluzionin se; ‘gjurma e gishtit objekt ekspertimi e shënuar me shkronjën ‘A’ e fiksuar mbi sipërfaqen e një fisheku, e bllokuar si provë materiale në Kodrën e Vreshtit Jubë Durrës, më datën 18.03.2002, është formuar nga gishti i madh i dorës së djathtë të shtetasit Ilir Azem Xhakja”, thuhej në një akt ekspertim. Çështja u hetua fillimisht në Durrës, më pas te Krimet e Rënda. Gjykata e Shkallës së Parë e Krimeve të Rënda e dënoi me 21 vite burg, Apeli e la në fuqi, ndërsa Gjykata e Lartë e riktheu për rigjykim.


 


Kontradiktat


Duke qenë se organi i akuzës për të pandehurin Ilir Xhakja mbështetet tërësisht në konkluzionet e akteve të ekspertimit të cilat janë shkencore dhe kur në rastin konkret aktet e ekspertimit nuk përputhen midis tyre, lënë hapësirë dhe dyshime që nuk e bindin gjykatën për fajësi. Kështu, në aktin e bërë në vitin 1998, kohë në të cilën ka ndodhur ngjarja, eksperti thotë se janë tetë gëzhoja objekt ekspertimi, të cilat janë qitur nga dy armë, ndërkohë që ekspertët e mëvonshëm pas katër vjetëve (ato të vitit 2002) në ekspertimin e po këtyre tetë gëzhojave të gjendura në vendin e ngjarjes të datës 26.07.1998, theksojnë se është qëlluar me tri armë dhe një nga këto armë rezulton sipas ekspertëve arma e gjetur në një tunel në Kodrat e Jubës, në Sukth. Shtohet një armë për të bërë lidhjen midis armëve të përdorura në vend ngjarjen e datës 26.07.1998 dhe atë të ngjarjes të datës 18.03.2002, në një kohë që janë dy ngjarje të shkëputura në kohë dhe në hapësirë dhe që nuk lidhen me njëra-tjetrën. Gjyqtari pohon në vendim se mundësia për gjurmë gishtash të autorit është pikërisht te gëzhojat e gjetura në ngjarjen e datës 26 korrik 1998 ku është vrarë shtetasi Qerim Maloku. Tabaku thotë se nuk shpjegohen rrethanat sesi i pandehuri Ilir Xhakja paska vendosur fishekun në karikatorë dhe nuk konstatohet asnjë gjurmë e gishtit të tij, as në fishekët e tjerë, por është fiksuar vetëm në fishekun e tretë të karikatorit, në një kohë që gjurmë gishtash nuk ka as në fishekët e tjerë të gjetur, as në karikatorë, as në natriban që mbështjell dy karikatorët.


 


Dëshmitarët


Edhe dëshmitarët nuk e implikojnë të pandehurin Ilir Xhakja, madje as njerëz të afërm të viktimës. Nipi viktimës, Agron Maloku, që është dëshmitar kryesor i vendit ngjarjes, në asnjë moment nuk e ka implikuar të pandehurin Ilir Xhakja në vendin e ngjarjes që do të thotë se e përjashton si autor të mundshëm. I pandehuri Ilir Xhakja është nga Sukthi dhe fqinj me deklaruesin dhe nëse do të kishte qenë ky i fundit një nga personat autorë që shtinë mbi të ndjerin, do të identifikohej nga nipi i viktimës. Edhe dëshmitarja Besnike Maloku, bashkëshortja e nipit të viktimës nuk e implikon të pandehurin Ilir Xhakja. Po kështu, dëshmitari Maksut Zhiti me detyrën punonjës i policisë kriminale i zonës që ka kryer veprimet e para procedurale në vendin e ngjarjes deklaroi në gjykim se i pandehuri Ilir Xhakja nuk ka qenë në momentin e vrasjes së shtetasit Qerim Maloku në Katund Sukth dhe se në cilësinë e inspektorit të zonës është interesuar për vendndodhjen e tij dhe pasi ka folur në telefon me këtë të fundit ka vërtetuar qenien e tij në Gjermani. Po kështu, në dëshmi ky dëshmitar konfirmoi faktin se pjesëtarë të familjes Xhakja merrnin pjesë në mortin e familjes Maloku. Një provë e rëndësishme është vërtetimi i banimit lëshuar nga zyra e regjistrimit të popullsisë të qytetit të Memmingen të Gjermanisë, vërtetim i cili mban dhe vulën e Ambasadës Shqiptare në Berlin. Ky vërtetim tregon se i pandehuri Ilir Xhakja ka qenë në qytetin Memmingem nga data 14.02.1998 deri ne 14.08.1998.


 


Vendimi i Gjykatës së Durrësit


Neni


78


Vrasja me paramendim


1. Të deklaroj të pafajshëm të pandehurin Ilir Azem Xhakja për veprën penale të vrasjes me paramendim të shtetasit Qerim Maloku, të kryer në bashkëpunim, pasi nuk provohet që i pandehuri ta ketë kryer veprën penale që akuzohet.


 


Neni


278


Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit


2. Pushimin e çështjes penale sa i përket akuzës së mbajtjes pa leje të armëve e municioneve luftarake parashikuar nga neni 278/II i K.Penal bazuar kjo në nenin 387/I të K.Pr.Penale.


 


Krimet e Rënda, akuzat ndaj Xhakes


79/c


Vrasja në rrethana cilësuese


c) ndaj policit, kur cilësitë e viktimës janë të dukshme ose të njohura dënohet me burgim jo më pak se njëzet vjet ose me burgim të përjetshëm.


 


Neni 236


Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik


Kundërshtimi që i bëhet punonjësit të policisë së rendit publik, me qëllim për ta penguar atë për të kryer detyrën sipas ligjit… dënohet me gjobë ose me burgim gjer në një vit. Po kjo vepër, kur kryhet në bashkëpunim ose duke ushtruar dhunë fizike ose më shumë se një herë, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në shtatë vjet.


 


Neni 278


Armëmbajtja pa leje


Kur vepra kryhet në sasira të mëdha në bashkëpunim, më shumë se një herë ose ka sjellë pasoja të rënda, dënohet me burgim nga pesë gjer në pesëmbëdhjetë vjet.