Qefalia: Kreu i SHISH-it të na raportojë për shtetësinë e tij kanadeze


BLEDAR HOTI


Në momentin që opozita në Komisionin e Sigurisë kërkon fakte dhe dokumente nga Ministria e Mbrojtjes, për çështjet që janë në hetim, ministri Arben Imami i dërgon atyre si dhuratë një CD me valle dhe këngë popullore shqiptare. Të mbledhur pas shumë javëve, deputetët e komisionit janë gjendur përpara një surprize të ministrit Imami, një CD dhuratë me këngët popullore të kënduara nga Ansambli i Ushtrisë. “Sot, nga Ministria e Mbrojtjes ne marrim një disk me këngë e valle popullore, që fillojnë që nga Eposi i Kreshnikëve, Vallja e Tropojës etj. Këtë na servir sot Ministria e Mbrojtjes, ndërkohë që duhet të na servirte dokumente serioze për të arritur dhe për të bërë detyrën tonë”, tha socialisti Gazmir Bizhga. Në Komisionin e Sigurisë, deputetët e opozitës kanë paraqitur në diskutimet e tyre kërkesat në lidhje me çështje të ndryshme, të cilat kanë mbetur pezull prej kohësh si rezultat i mosrealizimit të mbikëqyrjes parlamentare në Ministrinë e Mbrojtjes. Mungesa e bashkëpunimit dhe bllokimi i bërë nga ministri Imami është shqetësimi i vetëm për opozitën. “Nuk e di se si mund ta vazhdojmë punën dhe bashkëpunimin me njëri-tjetrin, në qoftë se nuk zbatohet ky vendim i marrë mbi baza ligjore, në bazë të Kushtetutës, Rregullores së Kuvendit dhe vendimit të Komisionit. Ne kemi një praktikë të miratuar në komision, një vendim, por për arsye që s’po e kuptojmë, në mënyra të pakuptimta dhe antiligjore nuk na lejhet mbikëqyrja parlamentare. Dua të sjell në vëmendjen tuaj prononcimin edhe të ndonjë kolegu tonë, që i ka quajtur kolegët e vet si haxhiqamilistë. Doja t’i thosha atij kolegu që të zbatojë etikën e komunikimit me kolegët se janë deputetë dhe nuk janë klientë të një dyqani byrekësh ku zotëria në fjalë e ka furnizuar më parë me presh dhe me gjizë për të bërë byrek”, tha socialisti Piro Lutaj. Kryekomisioneri Leonard Demi i hodhi poshtë këto qëndrime, duke theksuar se Imami do të jetë sërish në Komisionin e Sigurisë për çështjet e mbikëqyrjes parlamentare. “Nga të 8 çështjet, një kemi bërë deri më sot, ndërsa janë edhe shtatë të tjera. Le të punojmë bashkërisht që t’i realizojmë dhe kur të jemi gati të ftojmë ministrin e Mbrojtjes të vijë këtu. Ai të tijat, Komisioni të vetat. Pa asnjë hezitim, është i hapur në bazë të Rregullores dhe Kushtetutës të kryejë autoritetin e vet. Mbikëqyrja parlamentare është një nga ato, të cilën do ta bëjë sipas Rregullores së Parlamentit, kryesisht të nenit 38, 18 e 102. Brenda këtyre neneve jemi të ftuar të veprojmë”, theksoi Demi. Më tej ai u shpreh se “nëse ne marrim vendim për ta bërë mbledhjen me dyer të mbyllura, atëherë ato që deklarojmë këtu, s’duhet t’i botojmë nëpër gazeta. Është gjëja më minimale e respektit ndaj njëri-tjetrit dhe dokumenteve që kemi miratuar”. Deputeti i PS-së, Xhemal Qefalia ka kërkuar që Komisioni i Sigurisë të thërrasë kreu i SHISH-it, Visho Ajazi Lika, për të dhënë shpjegime në lidhje me nënshtetësinë, nëse e ka kanadeze apo shqiptare. “Është ndërruar drejtori i SHISH-it. Ne si Komision Sigurie nuk e kemi informacionin se cili është personi që ka marrë drejtimin e këtij shërbimi, për të cilin në media përditë thuhet se ka shtetësi shqiptare apo kanadeze. Ne nuk e kemi këtë informacion. Ky person ka qenë azilant politik, ekonomik apo ku ta di unë? Njëkohësisht jemi të interesuar zoti kryetar dhe duhet ta fusni edhe në axhendën e punës suaj, që drejtori i sapoemëruar duhet të vijë pranë Komisionit të Sigurisë të na raportojë se cila është situata, sepse dëgjojmë në media mjaft kolegë të mazhorancës të cilët vazhdojnë që të baltosin punën e këtij shërbimi duke ia kaluar përgjegjësinë ish-drejtuesit të mëparshëm. Ndërkohë që nga ana tjetër, kemi një vlerësim maksimal nga ndërkombëtarët të cilët kanë bashkëpunuar me ish-drejtorin e SHISH-it”, tha Qefalia.