Pack: Imunitetet të mos hiqen, por të lehtësohen. Përdorni modelin tonë


Ylli Pata


Çështja e imuniteteve në Shqipëri, që tashmë është kthyer në betejë politike, ka sjellë edhe qëndrime energjike nga komuniteti ndërkombëtar, të cilat duhet nënvizuar nuk kanë qenë njësoj. Kemi pasur një qëndrim edhe pse të afërt, jo të njëtrajtshëm nga ana e dy poleve të rëndësishme të komunitetit ndërkombëtar: Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Europian. Uashingtoni është shprehur kryesisht ndërmjet ambasadorit amerikan në Shqipëri, Aleksandër Arvizu, ndërsa Brukseli i cili ka një decentralizim më të gjerë, është përfaqësuar nga ambasadori Ettore Sequi, Komisioneri për zgjerimin, Stefan Fule, por edhe eurodeputetët e rëndësishëm, Doris Pack dhe Victor Bostinaru.


SHBA


Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Tiranës, ka qenë i qartë, i prerë në qëndrimin e tij, si në deklaratat publike për mediat, por edhe në një deklaratë zyrtare të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Shqipëri. Zoti Arvizu ka kërkuar që palët të mbyllin ndryshimet në Kushtetutë, duke ndryshuar nenin e imuniteteve, pikërisht më 6 gusht, atë që e kërkon Partia Demokratike dhe LSI-ja, që kanë paraqitur dhe draftet përkatëse. Pas takimit të zhvilluar me liderin e opozitës, Edi Rama, ambasadori Aleksandër Arvizu, deklaroi: Vota është me datë 6, me kohën shqiptare është një kohë e përjetshme, ka kohë mjaftueshëm për diskutime. Ashtu siç ndodh me çdo pjesë legjislacioni, nuk duhet të lëmë të përsosurën të jetë armike e së mirës”.


BE


Ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Ettore Sequi, ka deklaruar në një intervistë për “Top Channel” se “Heqja e imuniteteve është një hap i rëndësishëm, por qartësisht nuk është e mjaftueshme. Kurrë nuk do të jetë e mjaftueshme. Lufta ndaj korrupsionit duhet të jetë e gjithanshme dhe në vetvete është një proces. Çdo tullë që i shtohet murit ka rëndësinë e vet. Ju e dini një prej fjalëve të urta që parapëlqej është “Gur, gur bëhet mur”. Ne duhet ta ndërtojmë luftën kundër korrupsionit dhe çfarë është më e rëndësishmja, atë të të luftuarit të kulturës së korrupsionit me të gjitha mënyrat. Heqja e imuniteteve është një prej tullave të këtij muri”. Ambasadori Sequi, nuk e përmend datën 6 gusht si një “deadline”. Komisioneri për Zgjerimin, Stefan Fule, ka përmendur “standardet e BE” për imunitetet. Ndërsa eurodeputetja Doris Pack, aleate e PD-së në radhët e Partive Popullore Europiane, shkon më larg. Duke folur dje nga Brukseli për “AS”, zonja Pack propozon modelin e Parlamentit Europian duke lehtësuar imunitetin jo për ta hequr fare. “Te ne vetëm parlamentarët kanë imunitet. Por ky mund të hiqet nga parlamenti kombëtar, ose nga Parlamenti Europian. Këtë unë e quaj një veprim normal, sepse të gjithë parlamentarët janë të barabartë me qytetarët e tjerë. Por, në ndryshim nga këta, deputetët kanë njëfarë garancie, meqë herë pas here ata flasin në emër të popullit. Dhe, kur e bëjnë këtë, ata edhe mund t’i kalojnë caqet e lejuara. Kurse gjykatësit nuk kanë imunitet, sepse ata nuk janë të zgjedhur nga populli. Ata janë funksionarë të emëruar dhe këta nuk kanë imunitet. Edhe këtu në Parlamentin Europian funksionarët nuk kanë imunitet”.


 


Arvizu – “Vota është me datë 6, me kohën shqiptare është një kohë e përjetshme, ka kohë mjaftueshëm për diskutime. Ashtu siç ndodh me çdo pjesë legjislacioni, nuk duhet të lëmë të përsosurën të jetë armike e së mirës”


Sequi – “Heqja e imuniteteve është një hap i rëndësishëm, por qartësisht nuk është e mjaftueshme. Kurrë nuk do të jetë e mjaftueshme. Lufta ndaj korrupsionit duhet të jetë e gjithanshme dhe në vetvete është një proces”


 


Akuzat


Replika të ashpra mes PD-së dhe Ramës


Mazhoranca dhe opozita kanë replikuar sërish në distancë në lidhje me imunitetet. Partia Demokratike, nëpërmjet zëdhënëses së saj, ka akuzuar kreun e PS-së se kërkon pazar. “Rama deklaroi se nuk do të pranojë heqjen e imunitetit për zyrtarët duke kërkuar si pazar të tyre vendosjen në Shqipëri të Kushtetutës së pakicës bllokuese apo Kushtetutës së sundimit të pakicës”, deklaroi Silvi Bardhi.  Duke vlerësuar opinionet e ekspertëve në mbledhjen e Këshillit të legjislacionit, PD i kërkon liderit të opozitës të heqë dorë nga pazaret dhe të dëgjojë zërin e qytetarëve. Por ka ardhur menjëherë kundërpërgjigjja e Ramës, nëpërmjet faqeve zyrtare në rrjetet sociale: “Çfarë neverie përsëri propaganda e Saliut për imunitetin! Kërkon konsensusin e opozitës duke përgojuar deputetët tanë e tallur shqiptarët”, thotë ai. Kreu i PS ka shtuar se “Qëndrimi ynë për imunitetin i qartë: Jemi pro, por vetëm pasi të diskutohen të gjitha ndryshimet që kemi propozuar mbi një vizion reformues”. Ndërkaq, nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili, kërkoi që bashkë me imunitetet të votohet edhe reforma parlamentare, e cila është lënë përgjysmë.