Debate të ashpra mes palëve në Komisionin e Ligjeve dhe Këshillin e Legjislacionit
BLEDAR HOTI
Partia Socialiste voton në parim dhe nen për nen për draftin, por nuk e voton në tërësi, për shkak të mosmarrjes në konsideratë të pikave të tjera të opozitës për ndryshimin e Kushtetutës. Në debate mes mazhorancës dhe opozitës është zhvilluar mbledhja e Këshillit të Legjislacionit, e cila kishte në rendin e ditës shqyrtimin e draftit konsensual të hartuar nga të dy të mandatarit, Pandeli Majko i PS-së, dhe Edi Paloka i PD-së. Në votimin në tërësi të draftit, PS nuk ka votuar duke e argumentuar atë me faktin se nuk mund të ketë dy votime për Kushtetutën, një në gusht dhe një në shtator. Në tërësi, drafti u votua vetëm nga 15 deputetët e mazhorancës, ndërsa opozita nuk mori pjesë në votim. Në këtë proces, Kastriot Islami abstenoi. Paketa e PS-së duket se është një nga kushtet për të kaluar ndryshimet e Kushtetutës, duke bërë që data 6 gusht për arritjen e konsensusit të jetë ende e largët. Socialistët kanë votuar në parim dhe nen për nen, por në tërësi, nuk votuan. Kjo solli debate të ashpra mes palëve.
Debati në mbledhje
Jozefina Topalli: Hedhim në votim nenin 4. Kush është dakord? Islami abstenim.
Kastriot Islami: Nuk po shpjegoj ato vërejtje, por i jap përparësi datës 6 gusht.
Jozefina Topalli: Hedhim votimin në tërësi. Kush është dakord për kufizimet e imunitetit në Kushtetutë? S’jeni dakord ju të PS-së. Numëroni! Pro 15 vetë. Janë 12 abstenime nga PS, miratohet neni.
(PS reagon nuk abstenuam, s’morëm pjesë në votim)
Pandeli Majko: Zoti Islami, do t’ju lutesha, jeni deputet i vjetër. Nuk keni pse të futeni në logjika abstenimi për të thënë se 6 gushti qenka data e tmerrshme, o vemi, o s’vemi. Unë të kam mik. Je koleg i vjetër. Dhe dikur në Kushtetutën e ‘98 ke qenë përfaqësues i qeverisë për ndryshimin e Kushtetutës. Nuk na vije për të na thënë se kjo datë është finalja për të miratuar Kushtetutën, ose do të bëhet nami, por e miratuam ngadalë, me muaj, duke iu rikthyer 14 herë një neni dhe më pas shkuam në referendum. Dhe ti më shumë se tjerët e di shumë mirë…
Jozefina Topalli: Nuk ka replika personale. Shpjego mungesën e votës për atë që the jam dakord.
Pandeli Majko: Ta mbaroj, se nga 2005…
Jozefina Topalli: Shpjego pse nuk votove atë që ke shkruar vetë me dorën tande.
Pandeli Majko: Patjetër, patjetër moj, po shqiptarëve dhe shqiptareve. Tani të vazhdoj. 6 gushti nuk është i shkruar në këtë ligj. Data është një histori, e cila është ndërtuar për t’i thënë opozitës: o bëj kështu si them unë, ose ti do të akuzosh se nuk je për integrimin në BE.
Arenca Trashani: Po, po kështu është.
Pandeli Majko: 6 gushti nuk mund të përdoret, por përsëris në invers fjalët e Rusmalit, nuk është gozhda e Nastradinit. Nuk ka nevojë të numërohen goglat. Ne kemi ardhur këtu për t’u thënë se nga a deri te zh-ja se ku është një projekt që do të votohet nga kolegët e PS-së në Kuvend.
Jozefina Topalli: Sapo nuk e votuat.
Pandeli Majko: Mos më ndërhy. Unë po shpjegoj mënyrën e qëndrimit. Nuk ka nevojë për lodra fjalësh, këta janë dhe këta nuk janë. Unë bashkë me kolegun Paloka kemi bërë një punë të shkëlqyer dhe këtë kapitull e kemi mbyllur me shumë dinjitet përballë publikut. Ne duhet të ulemi me të njëjtin standard, me të njëjtin proces. Të mos e shikojmë si një histori goglash, me shumë dinjitet. Nëse jeni kundër, këtë mos e thoni se jeni kundër, por ejani në tavolinë dhe na e thoni. Ne nuk mund t’ju imponojmë ju që ky proces të votohet me 2/3. Nuk mund t’i thuash opozitës se mund të marrësh pushtetin. Nuk mund të thuash zonja kryetare se kush është pro heqjes së imunitetit, janë këta, e kush është kundër, janë këta. Ne kemi ardhur këtu shumë qartë, se jemi pro ndryshimit të Kushtetutës.
Jozefina Topalli: Por, nuk e votuat..
Pandeli Majko: Nuk bëhet kjo punë hapadollapa. U hap në gusht, u hap në shtator, jemi për një seriozitet.
Jozefina Topalli: Por, jo me votë, sapo u treguat shqiptarëve se tjetër gjë thoni, e pastaj kur vjen puna për të votuar nuk e bëni.
Pandeli Majko: Po bëni lodra, mos luani teatër, zonja kryetare.
Jozefina Topalli: Unë do të kisha dhënë dorëheqjen dhe do të kisha shkuar në shtëpi. Të mos votoja, do të kisha dhënë dorëheqjen. Fjalën e ka Kastriot Islami..
Pandeli Majko: Dorëheqjen zonjë duhet ta kishe dhënë shumë kohë më parë, për mënyrën se si i trajton kolegët e tu në Parlament. Por kjo është një histori tjetër. Këtu s’kemi ardhur të nxisim blofe ndaj njëri-tjetrit. Atë që e kemi bërë ne me ju, duhet ta bëni dhe ju, apo siç e keni thënë, jeni avokatja e opozitës.
Jozefina Topalli: Jeni në një situatë aspak dinjitoze. Si avokate e juaj do t’ju thoja jeni më të lirë, nuk iu ka kush në dorë shpirti, bëni atë që ju kërkon ndërgjegjja. Fjalën e ka z. Islami
Kastriot Islami: Ky debat për fatin e mirë e të keq që u kanalizua para tri ditësh, duke respektuar procedurën. Sipas procedurës së Parlamentit. Nuk mund të dalësh nga kjo. Këtu mund ta ekzagjeroj, nëse ambasadori amerikan ka thënë se data 6 gusht është shumë e mirë, e ka thënë se mbylleni këtë me imunitetin, e më pas hapeni, pra mos i kushtëzoni proceset me njëri-tjetrin. Këtë nuk do ta bëja, por më detyrove ta bëj miku im Pandi, unë kam vepruar si në ‘98 dhe sot. Ti miku im dashur nuk je si në ‘98, jo unë nuk jam, e këtë debat nuk doja ta bëja me ty personalisht publikisht sot.
Ilir Rusmali: Ky projektligj e ka mbaruar procedurën, tani s’na mbetet gjë tjetër veçse të argëtojmë njëri-tjetrin dhe median. Mbledhja e realizoi qëllimin e vet, u miratua. Ky projektligj ishte vepra e Majkos. Kompromisi i vet. Dhe që Majko dhe shokët e vet të mos ta votojnë produktin e vet, kjo nuk ka shpjegim dot në botë. Nastradini që rri aty përjashta dhe gozhda e tij nuk mjaftojnë për këtë. Është halucinante, është çmenduri. Produktin tuaj nuk e votoni, këtë e bëni jo sot, por ka 10 vite që ndodh një gjë e tillë. Ne duam integrimin. Ky është problemi juaj, shpjegojuani shqiptarëve se pse na mbani peng. Ne e bëmë tonën, përgjigjuni ju përpara shqiptarëve.
Jozefina Topalli: Këtu mbaron puna e drafti do ndjekë procedurën (çohet dhe ikën nga mbledhja)
Fatmir Xhafaj: Si mbyllet mbledhja, vetë e nise, vetë e mbylle.
Tabela me nenet
Neni 73 ndryshohet si vijon: Neni 73
1. Deputeti nuk mban përgjegjësi për mendimet e shprehura në Kuvend dhe votat e dhëna prej tij në ushtrim të funksionit. Kjo dispozitë nuk zbatohet në rastin e shpifjes.
2. Deputeti nuk mund të arrestohet ose t’i hiqet liria në çfarëdo lloj forme apo ndaj tij të ushtrohet kontroll personal ose i banesës, pa autorizimin e Kuvendit.
3. Deputeti mund të ndalohet ose të arrestohet pa autorizim kur kapet në kryerje e sipër ose menjëherë pas kryerjes së një krimi. Në këto raste, Prokurori i Përgjithshëm njofton menjëherë Kuvendin, i cili, kur konstaton se nuk ka vend për procedim, vendos për heqjen e masës.
4. Për çështjet e parashikuara në paragrafët 2 dhe 3 të këtij neni. Kuvendi mund të diskutojë në seancë me dyer të mbyllura për arsye të mbrojtjes së të dhënave. Vendimi merret me votim të hapur.
Amendamenti 2. Neni 2 i projektligjit të riformulohet si vijon:
Neni 2
Neni 126 ndryshohet si vijon: Neni 126
Gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese nuk mban përgjegjësi për mendimet e shprehura dhe vendimet e marra në ushtrim të funksioneve të tij.
Gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese nuk mund të arrestohet apo t’i hiqet liria në çfarëdo forme apo ndaj tij të ushtrohet kontroll personal ose i banesës, pa autorizimin e vetë gjykatës, përveçse nëse kapet në kryerje e sipër ose menjëherë pas kryerjes së një krimi. Në këtë rast, Prokurori i Përgjithshëm vë menjëherë në dijeni Gjykatën Kushtetuese. Kur Gjykata Kushtetuese nuk jep pëlqimin brenda 24 orëve për dërgimin në Gjykatë të gjyqtarit të arrestuar, organi kompetent është i detyruar ta Urojë atë.
Amendamenti 3. Neni 3 i projektligjit të riformulohet si vijon:
Neni 3
Neni 137 ndryshohet si vijon: Neni 137
1. Gjyqtari i Gjykatës së Lartë nuk mban përgjegjësi për mendimet e shprehura dhe vendimet e marra në ushtrim të funksioneve të tij.
Gjyqtari i Gjykatës së Lartë nuk mund të arrestohet apo t’i hiqet liria në çfarëdo forme apo ndaj tij të ushtrohet kontroll personal ose i banesës, pa autorizimin e vetë gjykatës, përveçse nëse kapet në kryerje e sipër ose menjëherë pas kryerjes së një krimi. Në këtë rast, Prokurori i Përgjithshëm vë menjëherë në dijeni Gjykatën Kushtetuese. Kur Gjykata Kushtetuese nuk jep pëlqimin brenda 24 orëve për dërgimin në gjykatë të gjyqtarit të arrestuar, organi kompetent është i detyruar ta lirojë atë.
2. Gjyqtarët nuk mbajnë përgjegjësi për mendimet e shprehura dhe vendimet e marra në ushtrim të funksioneve të tyre gjyqësore.
Gjyqtari nuk mund të arrestohet ose t’i hiqet liria në çfarëdo forme apo ndaj tij të ushtrohet kontroll personal ose i banesës, pa autorizimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, përveçse nëse kapet gjatë kryerjes ose menjëherë pas kryerjes së një krimi. Në këtë rast, Prokurori i Përgjithshëm vë menjëherë në dijeni Këshillin e Lartë të Drejtësisë, i cili mund të vendosë për heqjen e masës.