Brukseli ka kërkuar nga klasa politike shqiptare arritjen e një marrëveshjeje për heqjen e imuniteteve përpara tetorit, kohë kur do të bëhet publik progresraporti për vendet që kërkojnë të hyjnë në BE. Stefano Sannino, Drejtori i Përgjithshëm për Zgjerimin në Komisionin Evropian, në një konferencë për shtyp ka apeluar për arritjen e një dakortësie mes mazhorancës dhe opozitës për imunitetin e zyrtarëve.
“Reforma për çështjen e imunitetit në Shqipëri, për ne është një element mjaft i rëndësishëm në luftën kundër korrupsionit, është një hap përpara në drejtimin e duhur”, ka thënë Sannino, duke shtuar më tej se pas marrëveshjes për miratimin e reformës elektorale: “shpresojmë që të bëhet një përpjekje tjetër gjatë dy javëve të ardhshme. Shqipëria ka arritur rezultate të dukshme, por ajo që mbetet problem është fakti që çdo vendim shoqërohet me një luftë politike, e në fund mbetet më shumë kjo betejë sesa rezultati. Në rrugën e integrimit për në BE, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar është një nga “thembrat e Akilit” të vendeve të Ballkanit, përfshirë Shqipërinë”.
3 shtator 2012 (gazeta-Shqip.com)