Kryeministri i vendit, Edi Rama i pranishëm në inaugurimin e komisariatit të ri të policisë rrugore, ka lëvduar punën e ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri i cili sipas kreut të qeverisë është sot në qendër të kritikave dhe sulmeve nga opozita, pasi e ka kthyer policinë në një model që duhet ndjekur nga të gjithë ndryshe nga ç’ishte deri dje.
“Besoj që të gjithë ju mediat keni në arkivat tuaja pamje të freskëta, të më pak se 3 viteve më parë, kur vinit shpesh në këtë territor për të parë sesi torturoheshin njerëzit përballë një ngrehine të rrënuar, të ndërtuar qysh prej vitit 1981 dhe të degraduar skajshmërisht. Njerëz të detyruar që të zinin radhë që në 04:00 të mëngjesit, për të paguar gjobat e shkeljeve në qarkullimin rrugor.
Rreth 200 mijë njerëz në vit përballeshin me një situatë që as në mesjetë nuk mund të gjente krahasim.
Ja ku jemi sot, këtu, në një situatë tërësisht të transformuar, me një pritje të denjë për të gjithë qytetarët.
120-150 persona në ditë shërbehen në kushte optimale, falë një investimi të kryer në bashkëpunim me sipërmarrjen, pa nxjerrë asnjë qindarkë nga buxheti i shtetit, si pjesë e programit të Rilindjes së Policisë së Shtetit dhe transformimit të saj nga një trupë e tradhtuar, e braktisur, e lënë rrugëve duke shtyrë automjetet që ngecnin për mungesë karburanti, që nga ana tjetër grabitej masivisht, në një polici që çdo ditë e më shumë i ngjan trupave simotra në Europën ku jetojmë.
Respekt për skuadrën e Ministrit të Brendshëm!
Respekt për drejtuesit e Policisë së Shtetit, që, të çliruar nga kthetrat e politikës së lidhur me krimin, që i mbante nën një trysni të përditshme dhe ua kishte bërë ferr profesionin e tyre, sot janë në krye të detyrës dhe çojnë përpara një projekt madhështor të vënies së Policisë së Shtetit plotësisht në shërbim të shtetit dhe qytetarëve.
Natyrisht që, kjo punë ka në krye Ministrin e Brendshëm dhe sa herë më jepet rasti e kam përsëritur dhe do e përsëris që puna e tij meriton çdo lëvdatë, pasi jo më kot meriton edhe gjylet e përditshme të baltës së SHQUP-it, që janë në fakt, komplimenti më i mirë për punën e ministrit dhe të gjithë ekipit të Ministrisë së Brendshme dhe drejtuesve të Policisë së Shtetit. Kompliment që vjen nga ata, të cilët vetëm shtet nuk njohin e vetëm shtet nuk ditën të bëjnë dhe teksa shohin se si po bëhet shteti, asgjë tjetër s’mund të bëjnë përveçse të mbushin topat e baltës dhe të gjuajnë, duke filluar nga Policia e Shtetit, që është modeli për t’u ndjekur nga të gjithë”, tha Rama.
29 korrik 2016 (gazeta-Shqip.com)