Grupe serbësh ndërhynë me forcë duke ndërprerë votimet në një shkollë në veri të Mitrovicës. Tërhiqet personeli i OSBE-së
Incidentet e dhunshme çuan në ndërprerjen e votimeve në disa vendvotime në veriun e Mitrovicës të banuar me shumicë serbe.
Policia e Kosovës përdori gazin lotsjellës për të shpërndarë grupe të serbëve të maskuar që hynë më dhunë në disa vendvotime duke shkatërruar kutitë e votimit dhe duke qëlluar qytetarët e pranishëm dhe anëtarët e komisioneve zgjedhore.
Përfaqësuesit e Misionit të Organizatës për Siguri e Bashkëpunim në Evropës që lehtësojnë zgjedhjet në veri, janë larguar nga vendvotimet ku kanë ndodhur incidentet, por edhe nga dy qendra tjera të votimit, pë shkaqe sigurie.
Incidenti ka ndodhur në kohën kur një numër i madh i votuesve kishte mësyrë vendvotimet në një shkollë në veri ku ndodhen 16 na 33 vendvotimet sa janë gjithsej në veri të Mitrovicës.
Misioni i Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit nëpërmjet një komunikate theksoi se “e ka marrë situatën me seriozitet dhe jemi duke e përkrahur Policinë e Kosovë në punën e saj”.
Incidentet pasuan thirrjet kundër pjesëmarrjes në votime dhe frikësimin e kërcënimin i qytetarëve por edhe kandidatëve të subjekteve politike serbe që kanë përshkuar procesin e zgjedhjeve në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe.
Përfshirja e tyre në zgjedhjet për pushtetin komunal ishte pjesë e marrëveshjes së arritur në prill të këtij viti në bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre.
Serbia vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës, por ajo u përfshi në bisedime dhe u pajtua të nxisë serbët e veriut të marrin pjesë në zgjedhjet e organizuara nga Prishtina në përpjekje për t’u afruar me Bashkimin Evropian.
Grupe politike, kryesisht ato të afërta me opozitën në Serbi, po qëndrojnë në afërsi të vendvotimeve duke ushtruar trysni ndaj qytetarëve serbë por edhe kandidatëve të subjekteve politike që marrin pjesë në zgjedhje që të heqin dorë nga votimet. Ata thonë se pjesëmarrja në zgjedhje është siç thuhet tradhti ndaj Serbisë dhe njohje e shtetit të Kosovës. Gjatë tërë ditës ata po filmojnë qytetarët që po hyjnë në vendvotime.
Që nga shpallja e këtyre zgjedhjeve është thënë se organizimi i tyre në veri është sprovë e qëndrueshmërisë së marrëveshjes së arritur me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian dhe një sfidë e veçantë për shkak të mospajtimeve të një pjese të përfaqësuesve serb. Disa incidente të dhunshme kanë përshkuar edhe fushatën për këto zgjedhje.
Zyrtarë të Beogradit edhe sot u bënë thirrje serbëve në veriun e Kosovës që të marrin pjesë në zgjedhje, pavarësisht trysnive dhe kërcënimeve dhe në këtë mënyrë siç thuhet, të krijojnë pushtetin e tyre dhe bashkësinë e komunave serbe, një mekanizëm i paraparë me marrëveshjen e prillit e cila u ofron atyre një shkallë të gjerë autonomie.
Kryeministrit serb Ivica Daçiç, tha se fati serbëve të Kosovës nuk duhet të jetë në duart e Prishtinës e as organizatave të së djathtës ekstreme dhe partive nga Serbia, ndërsa i cilësoi thirrjet për bojkotim të zgjedhjeve si veprime kundërshtetërore që rrezikojnë mbijetesën e serbëve në Kosovë.
Ndryshe nga veriu, situata është e qetë dhe me pjesëmarrje të gjerë në votime në zonat tjera të banuara me shumicë serbe. Në komunën e Graçanicës, qytetarë të shumtë sot po prisnin në radhë për të votuar, ndërsa një situatë e ngjashme ishte edhe në komunat tjera ku deri në orët e pasdites votuan më shumë se 35 për qind e banorëve serbë, krejt ndryshe nga komunat veriore, ku pjesëmarrja më e lartë deri në orën 15 ishte 14 për qind në komunën e Zubin Potokut.