Ministria e Jashtme: Rama, dhunë ndaj diplomatit. PS: Keqardhje për nivelin mediokër të MPJ. Debate të ashpra në kuvend
Kryeministri Sali Berisha gjatë seancës së sotme të kuvendit ka akuzuar kryetarin e Partisë Socialiste Edi Rama se ka kryer akte të dhunshme, brutale dhe amorale ndaj një diplomati shqiptar në Vjenë dhe propozoi ngritjen e një komisioni hetimor për të zbardhur me detaje se çfarë ka ndodhur në takimin e një dite më parë në ambientet e Akademisë Diplomatike të Vjenës.
“Jam këtu për të denoncuar një akt të paprecedentë dhe që përbën aktin më të rëndë ndoshta në tërë historinë diplomatike të Shqipërisë. Ka ndodhur një agresion i rëndë, i turpshëm, brutal dhe shtazor, që kryetari i PS-së i ka bërë njërit prej diplomatëve të rinj, më të përgjegjshëm dhe më të përgatitur të këtij vendi.
Unë dua të informoj shqiptarët se dje në një nga sallat më prestigjioze të Austrisë, tek zoti Rama mbante një konferencë, pasi thotë gjithçka dhe tregon trillimet dhe mashtrimet e tij për vendin tonë, ky zotëri, duke dalë, pasi mbyllet konferenca në të cilën zoti Rama humbi tërësisht kontrollin kur e pyetën për gjëra të ndryshme, dhe dhunoi një diplomat”, tha Berisha.
“Akti që ka ndodhur në Vjenë nuk e ka kryer asnjë prej udhëheqësve të komunizmit. Ditën e hënë do të votohet ngritja e Komisionit Hetimor për këtë çështje. Kjo është një histeri kolektive dhe Rama në fund të hetimit do të përfundojë aty ku e meriton”, tha me tone të ashpra Berisha.
Shefi i Qeverisë theksoi se do të ushtrojë të drejtën e tij Kushtetuese për të thirrur Parlamentin në çdo kohë me qëllim ngritjen e Komisionit Hetimor.
Pas fjalës së Berishës, ishte kreu i grupit kuvendor socialist Gramoz Ruçi, i cili theksoi se Ministria e Punëve të Jashtme duhet të njoftonte shkarkimin e këtij diplomati dhe jo marrjen e tij në mbrojtje.
“E vetmja gjë që duhet të bëni në këtë moment është lirimi i diplomatit dhe t’i kërkoni falje PS-së”, tha Ruçi.
Akuzat e rënda u bënë në seancën e sotme plenare, për një çështje që është konsideruar fillimisht gjatë mesditës si incident nga Ministria e Jashtme.
Ministria e jashtme: Rama ushtroi dhunë ndaj diplomatit Egin Ceka

Diplomati Egin Ceka, djali i Neritan Cekës
Në një konferencë për shtyp, zëvendësministrja e Jashtme Edith Harxhi njoftoi se në Akademinë Diplomatike të Vjenës, gjatë një bisede është fyer imazhi i Shqipërisë disa here.
“Ministria e Punëve të Jashtme, është njoftuar sot, nëpërmjet ambasadorit të Republikës së Shqipërisë pranë Misionin e OSBE-së z. Spriro Koci, mbi incidentin e ndodhur dje në Akademinë diplomatike të Vjenës gjatë një takimi të organizuar nga kjo Akademi. Zoti Edi Rama Kryetar i Partisë Socialiste të Shqipërisë, ka qenë i ftuar në këtë takim në të cilin kanë marrë pjesë diplomatë shqiptarë, diplomatë të huaj dhe shqiptarë që jetonin në Austri.
Gjatë një bisede, është fyer imazhi i Shqipërisë disa here. Në të njëjtën kohë një nga diplomatët shqiptarë z, Egin Ceka, diplomat i ri energjik, prej disa vitesh diplomat në ambasadën tonë në Vjenë, aktualisht në Misionin tonë në OSBE, i shkolluar jashtë, në përfundim të takimit është afruar tek z. Rama për të biseduar rreth një pike që z. Edi Rama e ka ngritur disa here: pengimin nga ana e tij për votën e shqiptarëve kudo nëpër botë nëpërmjet ambasadave tona. Z. Rama ka potencuar gjatë bisedës së tij, që nuk është e mundur vota e shqiptarëve për arsye të tejpolitizimit të përfaqësive diplomatike shqiptare e pikërish z. Ceka duke u nisur nga dëshira e tij për të bashkëbiseduar dhe për ta depolitizuar bisedën është afruar tek z. Rama për të diskutuar rreth kësaj temë që shërbimi diplomatik shqiptar jo vetëm që nuk është politik, por në mënyrën më të mirë të mundshme, do të mund të kthente një shërbim të tillë ndaj shtetasve shqiptarë, pikërisht për të siguruar votën e tyre pranë ambasadave shqiptare. Në këtë moment zoti Rama ka reaguar në mënyrë mjaft agresive, ka përdorur dhunë fillimisht verbale, më pas në dhunë fizike, e cila ka rezultuar me një konflikt të hapur mes dy palëve Ramës dhe diplomatit Ceka. Ky konflikt është shpërndarë nga të pranishmit në sallë dhe diplomatët e huaj që ishin prezent. Dhuna verbale ka vazhduar edhe më tej duke i kërkuar z, Ceka që të dalë jashtë, madje duke përdorur edhe fjalë që nuk janë të denja për asnjë qytetar shqiptar, aq më tepër për një kryetar partie karshi diplomatëve shqiptarë.
Natyrisht Ministria e Punëve të Jashtme dënon shumë rëndë këtë akt, që është një akt i paprecedentë. Gjatë këtyre tetë viteve të fundit, nuk ka ndodhur asnjëherë një akt i tillë. Gjithsesi ky akt dënohet, sepse është një cenim jo vetëm i dinjitetit të diplomatëve shqiptarë, si shërbim i denjë i shtetit tonë, i cili mundohet të ngrejë imazhin e Shqipërisë dhe shqiptarëve në botë, por dënon kërcënimin e imazhit të Shqipërisë që i bëhet sot për sot në botë. Fatkeqësisht kjo vjen në një moment mjaft delikat për politikën në të njëjtën kohë edhe si cenim që në mënyrë të drejtpërdrejtë kërcënon ashpër momente të veçanta të jetës së shqiptarëve. Natyrisht ne vazhdojmë ta dënojmë këtë akt pa fund dhe jam e sigurt që shërbimi diplomatik shqiptar, si edhe diplomatët shqiptarë bashkohen me mua dhe shumë të tjerë. Sot jemi pranë zotit Ceka””, thuhet në reagimin e Harxhit.
PS: Keqardhje për nivelin mediokër të MPJ dhe diplomacisë shqiptare
Ndërkohë, me një reagim të minutave të fundit, PS shpreh keqardhje për nivelin banal ku ka rënë Ministria e Jashtme dhe trupi diplomatik shqiptar.
“Në Akademinë Politike të Vjenës ka pasur vetëm një ngjarje: Dialogu prej më shumë se dy orësh i një audience të nderuar me kryetarin e Partisë Socialiste Edi Rama. Pas takimit djali i Neritan Cekës,që për hatër të babait paguhet me taksat e shqiptarëve si diplomat, i është afruar Edi Ramës duke derdhur një lumë fjalësh të padenja kundër opozitës. Ndërsa kryesocialisti është përpjekur ta qetësojë, të pranishmit e kanë larguar djalin e Neritan Cekës nga mjedisi i Akademisë Politike. Ndërkohë sot, Ministria e Jashtme vazhdoi avazin e saj të propagandës antiopozitare duke i dalë në mbrojtje një “diplomati” që s’është asgjë tjetër veçse një prej shumë shëmbëlltyrave të degradimit të trupit tonë diplomatik në një lukuni kalamajsh, kunetërish, mbesash, kushërinjsh, dhëndurësh e krushqish të sojit e të sorollopit të oborrit të një pushteti të dalë duarsh, që po jeton ditët e veta të fundit”, thuhet në reagimin e PS.
Organizatori i forumit që u mbajt në Vjenë mohon të ketë pasur incident mes Ramës dhe Cekës
Autoritetet zyrtare austriake të “Renner Institut”, që organizuan takimin e Edi Ramës në Vjenë, mohojnë të ketë ndodhur ndonjë incident mes kreut të PS, Edi Rama dhe diplomatit Egin Ceka gjatë aktivitetit të organizuar prej tyre.
Në një përgjigje për kryeredaktorin e lajmeve në News 7, thuhet se: “Dje u zhvillua dialogu me Edi Ramën dhe ishin gati 140 veta në sallë ku Rama iu përgjigj pyetjeve dhe të interesuarve. Çdo i ftuar kishte mundësinë të pyeste dhe kështu aktiviteti përfundoi qetësisht.
Përsa i përket pyetjes suaj se ka pasur ngjarje apo të tilla si ju thoni, ne duam t’u themi se në dijeninë tone nuk kemi asnjë info se ka ndodhur një gjë e tillë”.
25 prill 2013 (gazeta-Shqip.com)