Pas incidentit të turpshëm me flamurin shqiptar, i cili ishte vendosur përmbys gjatë konferencën e përbashkët për shtyp të ministrit të Jashtëm shqiptar, Edmond Panaritit dhe homologut të tij grek, Avramopulos, Greqia ka kërkuar ndjesë në mënyrë zyrtare.


Sipas zyrës së shtypit e MPJ-së, ministri grek, Avramopulos i ka telefonuar ministrit Panariti, për t’i kërkuar ndjesë për incidentin protokollar.


Avramopulos mësohet se ka shprehur keqardhjen lidhur me pakujdesinë për flamurin dhe siguroi ministrin Panariti se ngjarja nuk do të errësojë rezultatet e suksesshme të vizitës së tij në Athinë.


Ministri grek i konfirmoi homologut shqiptar se ky nuk është vetëm qëndrimi i tij personal, por i gjithë opinionit publik grek.


incidenti diplomatik ndodhi ditën e djeshme gjatë konferencës së përbashkët për shtyp të ministri shqiptar të Punëve të Jashtme, Edmond Panariti dhe ministrit të Jashtëm grek, Dimitris Avramopulos, në Athinë, ku u vu re se shqiponja në flamurin shqiptar që ndodhej në krah të ministrit Panariti ishte vendosur me kokë poshtë.

4 tetor 2012 (gazeta-Shqip.com)